Alkaloidët janë produkte natyrore të përbërjes së caktuar, të cilët përveç karbonit, hidrogjenit dhe oksigjenit, gjithmonë përmbajnë edhe azot (zakonisht në ndonjë unazë heterociklike), i cili është bartës i vetive bazike të këtyre molekulave. Ato kanë disa karakteristika të veçanta fiziologjike dhe farmakologjike për të cilat në kohën e fundit punohet me të madhe për të shtuar produktivitetin e tyre tek bimët apo që ato të përfitohen në mënyrë sintetike. Deri më tani janë izoluar dhe është përcaktuar struktura e mbi mbi 6000 alkaloidëve, ku nga prej tyre rëndësi për mjekësi kanë vetëm disa dhjetëra sosh. Në doza të larta alkaloidët janë helmues për njeriun, por në sasi të vogla reagojnë vlefshëm për organet e ndryshme. Emrin e kanë marrë në bazë të asaj se në shekullin e kaluar ato kanë qenë substancat e para të hulumtuara nga bima të cilat kishin karakter bazik (alkalin). Më vonë janë izoluar edhe disa alkaloide shtazore.

Struktura kimike e pentilamines alkaloid

Nga struktura alkaloidët janë të ndryshëm, por në bazë të disa njësive të njohura heterociklike me azot të cilat i përmbajnë, ato mund të grupohen në : alkaloide të rrjedhur nga piridina, piperidina, piroli, kinolina, izokinolina apo njësive të kondensuar me benzen.

Kafeina

Në shumicën e rasteve janë substanca kristalore, vështirë të tretshme në ujë, të cilat reagojnë në mënyrë bazike dhe kanë shije të ithët. Me acide formojnë kripëra kristalore të cilat në ujë tretën mirë dhe shërbejnë për pastrimin e tyre, kurse me reagim me baza ato përsëri ndahen në gjendje të pastërt. Alkaloidët janë optiko aktiv. Me përdorimin e reagjentëve të ndryshëm si: acidin fosfor-molibdenik, acidin fosfor-volframik, K2[HgJ4], taninë, H2[PtCl6], etj ato mund të precipitojnë. Në këtë veti bazohet përdorimi i taninës si antidot gjatë helmimit me alkaloide.

Alkaloidet në botën bimore janë shumë të përhapur, më së tepërmi gjenden në bimët dikotiledone subtropikale, nga të cilat kryesisht përfshihen këto familje : Papaveraceae, Solenacea, Ranunculacea dhe Rubiaceae. Në një bimë zakonisht gjenden disa alkaloide, por vetëm njëri dominon si përbërës kryesor. Në to ato nuk janë të lira, por të lidhura me disa acide organike p.dh me acidin e mollës, acidin citrik, acidin tanik, acidin qilibarik, acidin mekonik, etj.

Nga bimët alkaloidet ndahen duke vepruar me acide të holluara (HCl, H2SO4) në pjesë të grira të tyre, e më pas me veprim me baza ku formohen kripërat e tyre. Prej përbërëseve të tjerë pastrohen me distilim me avull uji apo ekstraktim me ndihmën e tretësve organik.

Klasifikimi i alkaloideve zakonisht është bërë nga struktura e tyre kimike apo nga veprimi i alkaloidit kryesor.

Në bazë të studimeve që janë bërë, sidomos në përcaktimin e strukturës së alkaloideve është gjetur se ato sajohen nga aminoacide të caktuara p.sh atropina dhe kokaina sajohen nga ornitina ; nikotina nga ornitina dhe lizina ; alkaloidet e grupit të morfinës sajohen nga tirozina, etj.


Llojet e alkaloideve

Redakto