"Ambasadorët tanë. Pikëtakime të diplomacisë me krijimtarinë." Gjinia: Histori. Autore e librit Valbona Nathanaili. Shtëpia botuese "UET Press". Viti i botimit 2014. Faqet e librit 158.

Përmbajtja

Redakto

Libri-Ambasadorët tanë. Pikëtakime të diplomacisë me krijimtarinë është një udhërrëfyes në jetën dhe veprimtarinë e disa prej ish-ambasadorëve më të spikatur të Shqipërisë të rekrutuar nga fusha e krijimtarisë. Synimi i librit është të tregojë llojin e komunikimit që kanë arritur të ndërtojnë e vendosin krijuesit-ambasadorët, sa kanë qenë të aftë të promovojnë Shqipërinë, vlerat e kulturën tonë. Në pjesën e parë paraqiten veprimtaria krijuese dhe diplomatike e disa prej emrave më të spikatur në këtë fushë: Faik Konica, Pëllumb Kulla, Agim Nesho, Vasil Nathanaili, Teodor Laço, Javer Malo, Misto Treska, Luan Rama, Jusuf Vrioni, Ylljet Aliçka, Piro Milkani, Arben Cici dhe Shaban Murati. Në pjesën e dytë, në formën e një forumi, përmblidhen sugjerime, vërejtje, ide dhe perceptime që kanë për këtë lloj diplomacie A. Nesho, A. Cici, L. Rama, P. Kulla, P. Milkani, Sh. Murati, T. Laço dhe Y. Aliçka. Secili prej tyre përpiqet të na shpjegojë si ka arritur të gërshetojë “diplomacinë” me “kulturën”, “detyrën” me “pasionin krijues”, “përgjegjësinë si përfaqësuesi më i lartë politik i vendit tonë në vendin e atashuar” me “përkushtimin ndaj fjalës së shkruar”, në katër rubrikat e këtij forumi: 1. Krijues diplomat, apo diplomat krijues? 2. Mendoni se ekziston një model i krijuesit diplomat? 3. Krijimi përballë motivit, statusit dhe praktikave diplomatike. 4. Antropologji e diplomatit krijues. Libri shërben si një referencë shumë e mirë për të njohur kontekstin politik e social në periudha të rëndësishme të rritjes e konsolidimit të shtetit shqiptar, pasi trajton kontributet më të shqura në këtë fushë. Paraqitja korrekte dhe me elegancë e fakteve dhe ngjarjeve, shoqëruar me dokumente autentikë dhe foto të shumta ilustruese, një pjesë e mirë e të cilave publikohen për herë të parë, jo vetëm pasurojnë ndjeshëm përmbajtjen, por janë edhe një shtysë shumë e mirë për të gjithë dashamirësit e historisë, letërsisë, politikës, shkencave sociale e komunikimit për të hulumtuar në faqet e tij.

Në këtë botim, linjat kryesore të librit janë tre: 1. Veprimtaria krijuese dhe diplomatike e çdo ambasadori. 2. Forumi me katër pyetje. 3. Një profil kulturor dhe të dhëna për ambasadorët e parë të akredituar në Shqipëri ose nga Shqipëria për disa vende, me të cilat marrëdhëniet diplomatike gjithmonë kanë pasur një peshë të veçantë, ku po veçoj Francën, Jugosllavinë dhe Rusinë.