Anastas Kapurani
Anastas Kapurani ka mbaruar Universitetin e Tiranës për anglisht. Më vonë ka ndjekur studimet në fushë të letërsisë në një program të nivelit pasuniversitar, hartuar në atë kohë pranë Institutit të Letërisë. Pikërisht këtu, më 1992, ka paraqitur disertacionin "Poetika e fjalës dhe individualiteti i poetit" (një triptik studimor që, sikundër u vlerësua, sillte një frymë të re në lëmë të kërkimit letrar) dhe më këtë mori gradën shkencore Doktor.
Po në atë vit shkoi në Universitetin e Athinës dhe gjatë periudhës 1992 – 1996 ka ndjekur një kurs të kompletuar në nivelin pasuniversitar në fushën e poetikës moderne nën drejtimin e profesorit amerikan Robert Crist. Në fund të kursit paraqiti një punim të plotë mbi poetikën e Whitman – it (From Whitman to the Whitmanesque). Pritja e mirë që pati ky punim e nxiti të përcaktonte përfundimisht fushën e tij të kërkimit, atë të tekstit modern.
Po ashtu, gjatë viteve 2002 – 2004 mbaroi një program tjetër në fushën e poetikës dhe të tekstit modern në Universitetin amerikan në Indianapolis. Në po atë vit, më 2004, përfundoi një monografi të plotësuar mbi poetikën e Fjalës së Lasgushit (The Myth of Lasgush), e cila është e vetmja monografi e shkruar për Poetin e madh. Libri u shkrua në anglisht dhe u botua po atë vit në Angli nga shtëpia botuese "Upfront Publishing".
Nga viti 1992 e më tej, autori vazhdon të jetojë në Athinë ku punon në Institutin "City & Guilds" të Londrës, në campus – in e Athinës.