Prof. Dr. Andrea Shundi është një agronom shqiptaro-amerikan.

Jetëshkrimi

Redakto

Andrea Shundi lindi në Tiranë më 1934. Mbas përfundimit të gjimnazit, kreu studimet për agronomi në Universitetin Bujqësor të Tiranës. Nga 43 vjet veprimtari (1956-99) deri sa doli në pension, gjysmën e zhvilloi në institucione shkencore: në Institutin e Kërkimeve Bujqësore në Lushnjë (1956-60, bashkëpuntor shkencor), Universitetin Bujqësor (1980-92, ligjërues, dekan i fakultetit), në Akademinë e Shkencave (1994-99, sekretar shkencor i seksionit dhe kryeredaktor i revistës "AJNTS" në anglisht). Gjatë periudhës tjetër punoi në ekonomi bujqësore dhe administratë teknike, kryesisht në M.e Bujqësisë (1964-75, kryeagronom, drejtor i shkencës, kryeredaktor i "Buletini i Shkencave Bujqësore").

Veprimtarinë shkencore e përqendroi në prodhimin foragjer dhe në vreshtari-verëtari. Ka qenë kumtues në 34 kuvende shkencore kombëtare dhe në 18 ndërkombëtare, dhe pjesëmarrës në 17 studime dhe projekte kombëtare. Andrea Shundi ka qenë gjithashtu ligjërues në universitetet e Viterbos dhe Potencës (Itali) si dhe në Selanik (Greqi). Më tutje ka qenë bashkëorganizues i Konferencës Kombëtare e Shkencave Bujqësore (1975), të simpoziumit "Shkencat Agronomike në Zhvillimet e Reja Ekonomike të Shqipërisë (1991), si dhe ka dhënë nëntë seminare mbarëkombëtare për vreshtarinë dhe verëtarinë (2002-2010).

Veprimtaria botuese e profesor Shundit përfaqësohet me 45 libra (nga të cilët dy në anglisht) dhe tekste, me vëllim mbi 10.000 faqe, krahas tyre janë 27 artikuj shkencorë dhe 128 artikuj teknikë, një pjesë të botuar në revista ndërkombëtare dhe në proceedings të kongreseve. Spikasin nëntë librat e viteve 2000: Bujqësia dhe veprimi agronomik në troje shqiptare, Prodhimi foragjer në zonën e ftohtë, Jetë agronomike, Vreshtaria praktike, Fjalor shtjellues për vreshtarinë-verëtarinë, Fjalë të urta për vreshtarinë-verëtarinë dhe shtjellime teknike, Prodhimi shtëpiak i rrushit dhe i verës, Fjalor enciklopedik për vreshtarinë-verëtarinë, Vreshta dhe kantina shqiptare, E(t)nogastronomia arbëreshe, dhe Hortikultura: vështrim enciklopedik.

Profesor Shundi është nderuar me Urdhërin "Mjeshtër i Madh" në vitin 2010, urdhër akorduar nga Presidenti i atëhershëm i Republikës, Bamir Topi.

Burimet

Redakto