Apoloni

zot grek i muzikës, profecisë dhe shërimit

Apolloni (greqisht: Ἀπόλλων, Apollon, latinisht: Apollo) - i biri i zotit suprem, Zeusit dhe i njërës prej të dashurave të tij, Letos, ishte një nga perënditë e preferuara olimpike. Në mitologjinë dhe fenë greke, ai njihet si zot i dritës dhe i Diellit, profecisë, muzikës, arteve të bukura, poezisë, harkëtarëve dhe kolonëve. Simboli i tij ishte shigjeta. Motra e tij binjake ishte Artemisa, e njohur te romakët si Diana.

Apollo di Belvedere, Muzeu i Vatikanit

Nga shekulli V pr.e.s ai lidhet drejtpërdrejt me Diellin, prandaj konsiderohej edhe si shërues i sëmundjeve të ndryshme. Jo më kot Asklepi, zot i drejtpërdrejt i shërimit është një nga bijtë e tij. Në Butrint ekziston një tempull i Asklepit.

Apolloni u lind në ishullin grek të Delosit dhe i takon gjeneratës së dytë të perëndive të Olimpit.[1] Pasi rritet ai shkon në Delfi dhe themelon atje orakullin më të famshëm grek që është vizituar nga mbretërit dhe perandorët më të famshëm të Antikitetit. Delfi në fenë e lashtë greke njihet njëkohësisht edhe si qendra e botës, i quajtur ndryshe Omfalos (Kërthiza). Apolloni konsiderohej si më i bukuri nga të gjithë perënditë meshkuj të Olimpit, përftytyrim i mashkullit ideal. Me konstruksion ishte i gjatë dhe formë të bukur trupore, andaj kishte shumë aventura dashurore, si me nimfat ashtu edhe me njerëz të zakonshëm.[2]

Nga këto aventura dashurore, ai ka kanë lindur shumë fëmijë. Apolloni, po ashtu, trajtohej si biseksual. Përveç lidhjes me femra, ai ka pasur marrëdhënie edhe me shumë meshkuj. Dashnorët e tij më të njohur meshkuj, kanë qenë: Hijakinti[3] dhe Kiparisi.

Se sa ishte Apolloni i çmuar dhe i respektuar si hyjni tek grekët e lashtë, e tregon fakti se, për nder të tij, në Delfi ishte ndërtuar Orakulli i falshëm fat-thënës, në të cilin parathëniet e veta i tregonte priftëresha e njohur Pitija. Mendohet se emri i tij, Apollon, ka origjinë frigjiane apo hitite. Studiues të tjerë e nxjerrin nga Lidia. Ka mendime që ky emër rrjedh nga folja greke ἀπόλλυμι (apollymi) që ka kuptimin “shkatërroj” meqë ai ishte shkatërrues i sëmundjeve dhe gjarprit të famshëm Piton në Delfi. Homeri e interpreton Apollonin si një zot të tmerrshëm (δεινὸς θεός) i cili sjell vdekjen dhe sëmundjen me shigjetat e tij. Për më tepër, me shigjetat e tij ai shkatërron Pitonin e Delfit duke themeluar aty orakullin më të madh grek. Me vrasjen e gjarprit nënkuptohet se drita fitoi mbi errësirën, pasi gjarpri (bir i Gaias), përfaqëson forcat e errësirës. Apolloni ishte hyjnia mbrojtëse e Trojës. Gjatë luftës, heroi grek, Akili, fyen Apollonin duke i rrëzuar statujën, duke grabitur priftëreshën apolloniane, Briseidën, e duke fjetur me të. Për hakmarrje, Apolloni përdori Parisin për të siguruar vdekjen e Akilit. Asnjë nuk e dinte sekretin e Akilit të pavdekshëm, por Apolloni lajmëron Parisin në ëndërr se pika e dobët e Akilit ishte thembra. Gjatë luftimit, Parisi, me ndihmën e Apollonit, si zot i shigjetave, e qëllon Apollonin pikërisht në thembër duke i shkaktuar vdekjen. Disa nga epitetet e Apollonit janë: Apollon Arkitenens = Apollon hark-mbajtësi Apollon Argyrotoksos = Apollon hark-argjendti Apollon Hekaergos = Apollon larg-gjuajtësi.[4] Në stitnën e dimrit, Apolloni shkonte me karrocën e vet, të cilën e tërhiqnin mjellmat, në tokën e Hiperboreanëve, ku dominonte pranvera e amshueshme. Këtë e bënte çdo vit: vetëm pranverën dhe verën e kalonte në Delfi. Gjatë vjeshtës dhe dimrit ai ia linte Delfin vëllait të tij Dionisit.

Ardhja e Apollonit në Olimp sillte me vete gëzim dhe hare. Atje rrinte në krye të Muzave, hyjneshave të arteve të bukura, si udhëheqës i tyre i merituar. Asnjëri prej perëndive nuk mund t'i afrohej për talentin që kishte në luajtje me lirë. Kur jehonte kënga e tij, zbutej edhe Aresi, zoti i luftës. Njerëzit e respektonin për shumë arsye: ishte zoti i dritës dhe i Diellit pa të cilët as që mund të kishte jetë, nistar i harmonisë dhe bukurisë pa të cilat jeta nuk do të kishte kuptim. I mbronte njerëzit në luftëra dhe rreziqe, i shëronte nga sëmundjet, kujdesej për rendin që e pat vendosur Zeusi, e ka dashur dhe shpërblyer të mirën dhe e ka dënuar të keqën. Shigjetat prej harkut të tij kurrë nuk kanë dështuar, si hakmarrëse në mënyrë të pabesueshme i kanë goditur duke sjellë murtajën. Poashtu të pashmangshme kanë qenë edhe profecitë e tij.

Në botën e zotërave dhe të kreshnikëve Apoloni e ka pasur rol të shquar. Edhe vetë ishte hero i shumë ngjarjeve. Të njohura janë p.sh. garat e tij në muzikë me satirin marsius i cili dështimin e paguan me lëkurën e vet. Gjatë garave të ngjashme me Panin, zotin e pyjeve dhe të barinjve, mbreti Mida, i fiton veshët e gomarit. Po ashtu vlen edhe për garat e tij të pafatshme me Hiakintin e ri, e sidomos për hakmarrjen e tij të tmerrshme ndaj Niobës, mbretëreshës tabane, të cilës për shkak të ofendimit të nënës së tij ia vret të gjithë fëmijët. Në luftën trojane Apolloni ishte në anën e trojanëve dhe u ndihmoi në çdo mënyrë. Si zot i shigjetave, ai ndihmon gjithashtu Paridin për të shënuar Akilin drejt e në thembër.

Si çdo zot tjetër, edhe Apolloni ka pasur shumë dashnore. Mirëpo, përkundër bukurisë së tij, te ato nuk ka pasur shumë sukses. Dashuria e tij e parë, nimfa (zana) Dafna, u shndërrua në drurin e dafinës që të shpëtojë prej tij. Propozimet dhe ofertat e tij i kanë refuzuar madje edhe dy femra të vdekshme, Kasandra dhe Marpesa. Prej trashëgimtareve të tij më së shumti janë shquar Orfeu, këngëtari thrak, të cilin e kishte me muzen, Kaliope, pastaj Asklepin, zotin e mjekësisë të cilin e lindi Koronida, e dashura e tij dhe Aristeun, birin e nimfës Kirene, i cili u ka mësuar njerëzve kultivimin e bletëve dhe rritjen e kafshëve. Djalë i tij është konsideruar edhe Himeni, zoti i martesës, ndihmës i hyjneshës Afrodita.

Apolloni është një prej hyjnive më të lashta greke. Ka mendime që adhurimi i tij në Greqi me siguri vjen nga Azia e Vogël. Sipas disa miteve vendlindja e tij është zabeli Oritigiu në Efes, në trevën e Azisë së Vogël. Sipas Bedrich Hroznit emri i tij në Azinë e Vogël është Apulunas, zot hitit. Në fillim Apolloni ishte mbrojtës i grigjave e më vonë i qyteteve të kolonialistëve grekë dhe më në fund u bë zot i dritës dhe i diellit (kurse motra e tij Artemisa hyjneshë e gjahut, natyrës dhe hënës), dhe merr shumë veti të tjera. Në këngë e thërrasin shigjetar i pagabueshëm, Harkargjendi, Dritëlindësi, dhe më së shumti i Shndritshmi (Febus). Ishte i nderuar në tërë botën greko-romake. Romakët adhuronin rininë e tij, e kanë marrë prej grekëve dhe siç duket, para tyre prej grekëve e kanë marrë etruskët. Për nderë të Apolonit në Delfi, në pranverë dhe në vjeshtë, janë organizuar festa madhështore dhe për çdo katër vjet lojërat pitike. Kremtime të ngjashme janë organizuar edhe në Delos, Milet e gjetiu. Në Romë lojërat e Apollonit janë organizuar prej vitit 212 para e.s. Në kujtim të fitores te Akciusi në vitin 31 para e.s. Augusti për nder Apollonit themelon lojërat e Akciusit.

Apolloni dhe muzat, Versajë, Paris


Me emrin e Apollonit janë të lidhura edhe veprat më të famshme në arkitekturë dhe skulpturë të antikës. Tempulli më i lashtë deri më sot, pjesërisht i ruajtur, tempulli dorik në Greqi, është ai i Apollonit në Korinth. Është i shek. VII para e.s. dhe prej tij kanë mbetur shtatë shtylla. Tempulli i ruajtur më mirë i Apollonit është ai në Bassae, Messinia[5], që dikur ishte pjesë e Arkadisë. Arkitekti ishte Iktini, njëri nga krijuesit e Parteonit athinas (në mesin e shek. V. pr.e.s). Prej tempujve të tjerë të tij greke ndër më të famshmit konsiderohen ata në Seliun, në Sicili nga gjysma e parë e shk. VI para e.s., në Delfi, në Argos dhe në ishullin Delos (aty në gjysmën e parë të shek. V para e.s. ishte kauza e përbashkët e shteteve anëtare të të ashtuquajturës Lidhja amfiktionike e Delosit). Në Romë që në fund të shek. V pr.e.s., i ndërtojnë tempullin pranë dyerëve të Karmenit, kurse pas vitit 31 pr.e.s, një tempull të ri e ndërton Augusti në kodrën Palatinë. Prej statujave të Apollonit, para së gjithash, veçohet e ashtuquajtura Apolloni i Belvederës ("shembull i bukurisë mashkullore"), kopja romake e skulpturës greke nga mesi i shek. IV para e.s, pastaj Apolloni Musagetes (udhëheqës i Muzave) kopja romake e origjinalit të Skopasit përafërsisht nga fillimi i shek. IV para e.s., pastaj Apoloni Sauroktonos (mbytës hardhuce), kopje e veprës së Praksitelit nga gjysma e dytë e shek. IV para e.s. dhe Apolloni Kitharoedus (Apoloni me kitarë), kopja romake e origjinalit grek nga shek. IV para e.s. Të gjitha këto skulptura sot gjenden në Muzeun e Vatikanit në Romë. Kopjet e shumta antike të shtatoreve të Apollonit gjenden në koleksione të ndryshme, veçmas në Muzeun Kombëtar të Romës, në Napoli dhe në Luvër të Parisit. Njëri prej origjinaleve greke, më i ruajtur, është Apoloni nga balli perëndimor i tempullit të Zeusit në Olimp, përafërsisht i viteve, 460-450 para e.s. dhe sot gjendet në Muzeun Olimpik dhe Apoloni prej bronzi i kohës rreth vitit 520 para e.s. i gjetur më 1958 në Pire (dhe sot gjendet në Muzeun Kombëtar Arkeologjik në Athinë). Për nga lashtësia përafërsisht janë të të njëjtës kohë edhe skulpturat e Apollonit, veçmas Apolloni i Veut nga mbarimi i shek. VI pr.e.s., sot gjendet në Villa Julia në Romë. Apoloni nga Salona (Solini i sotëm afër Splitit), i gjetur në vitin 1820 vepër romake, me siguri është e kohës së hershme perandorake, dhe sot gjendet në Muzeun Arkeologjik në Zagreb. Prej veprave skulpturale të kohës së re po e përmendim Apolloni dhe Dafna e Berninit, në Villa Borghese në Romë (i vitit 1622), të Girardonit (Gjirardonit) Apoloni dhe nimfet pas vitit 1666, në parkun e pallatit në Versajë (Paris) dhe Apolloni i Ogyst Rodenit rreth vitit 1900 që sot gjendet në Muzeun e Rodinit në Paris. Sa i përket paraqitjeve pikturale të Apollonit janë ruajtur që nga antika disa qindra (në të shumtën vaza). Prej pikturave të kohës së re po e përmendim vetëm Apolonin dhe Dafnen të Paul Veroneseit nga mesi i shek. XVI, që sot gjendet në Muzeun Metropolitan të Nju Jorkut, dhe pikturën me të njëjtin emër të Nikolas Pousinit, e vitit 1665 që gjendet në Muzeun e Luvrit në Paris. Në pallatin Clam-Gallas të Pragës gjendet freska e Karl Karlonit e viteve 1727-1730 e cila e paraqet Triumfin e Apolonit. As në numrimin më të shkurtë të veprave artistike lidhur me Apolonin, nuk mund të mos e përmendëm një vepër muzikore, baletin e Igor Straviniskit Apolloni udhëheqës i Muzave. - Në shenjë të Apollonit është pushtuar edhe fqinji më i afërm i Tokës, Hëna. Programi amerikan i gjithësisë në kuadër të të cilit dy astronautë, Amstrongu dhe Aldrini, janë lëshuar në Hënë me 20. VII 1969, me të drejtë quhet me emrin e harkargjendit të birit të Zeusit, Apollo (Misioni Apollo).

Tempulli i Apollon Epikurit në Bassae, zonë e Mesinisë, Greqi.

Tempulli i Apollonit, Arkadia

Referime

Redakto
  1. ^ UNESCO. "Delos" (në anglisht).
  2. ^ Herceku, Nikolas (2021). Adhurimi i Diellit. ISBN 978-1-4583-5223-1.
  3. ^ Enciklopedia, Britanike. "Hyacinthus" (në anglisht).
  4. ^ https://www.theoi.com/Olympios/Apollon.html
  5. ^ UNESCO. "Temple of Apollo Epicurius" (në anglisht).