Pas ndarjes së Perandorisë Romake në dy pjesë, më 395, trevat ilire hynë në përbërje të Perandorisë Bizantine, siç quhet zakonisht pas kësaj date Perandoria Romake e Lindjes sipas emrit antik të kryeqytetit të saj, Bizant, që për nder të Konstandinit të Madh u quajt Konstandinopojë.

Ashtu siç i kishin dhënë në shek. III-IV Perandorisë Romake një numër perandorësh e gjeneralësh të shquar, po ashtu gjatë periudhës së hershme bizantine (shek. V-IX), trevat iliro-shqiptare i dhanë Perandorisë Bizantine disa perandorë, ndër të cilët shquhen në mënyrë të veçantë Anastasi I nga Durrësi (491-518) dhe Justiniani I nga Taurisium i Shkupit (527-565). Me reformat dhe me masat e zbatuara në administratën civile e ushtarake, këta dy perandorë përgatitën kalimin nga antikiteti në mesjetë dhe hodhën bazat e asaj që do të ishte perandoria më jetëgjatë në historinë e qytetërimit mesdhetar.

Pozicioni skajor në kufi me Italinë, me të cilën interesat e Bizantit mbetën deri në fund të lidhura ngushtë, përcaktoi rolin e jashtëzakonshëm të trevave iliro-shqiptare në kuadrin e Perandorisë Bizantine. Ato u kthyen në një nyje komunikimi të Lindjes me Perëndimin dhe anasjelltas. Një rol të tillë e favorizonte ekzistenca e porteve të rëndësishme gjatë bregdetit të Adriatikut e të Jonit ose e arterieve rrugore që fillonin prej tyre dhe zgjateshin në thellësi të Gadishullit duke lidhur bregdetin me qendra të tilla të rëndësishme, si Nishin, Shkupin, Ohrin, Sofjen, Kosturin, Selanikun, Adrianopojën e vetë Konstandinopojën. Ashtu si në shekujt e lashtësisë, rruga Egnatia vazhdoi ta luante rolin si vija kryesore e komunikimit midis provincave të Perandorisë në rrafshin perëndim-lindje. Përgjatë traktit perëndimor të rrugës Egnatia (Durrës - Apoloni - Peqin - Ohër) janë zhvilluar disa nga betejat më të përgjakshme të historisë bizantine. Perandorët bizantinë i kushtuan vëmendje të veçantë mbrojtjes strategjike të trevave iliro-shqiptare. Perandori Justiniani, sipas biografit të tij, Prokopit të Cezaresë, ndërtoi nga e para apo rimëkëmbi 168 kështjella në katër provincat ilire: të Dardanisë, Prevalit dhe të dy Epirëve. Nga ana e tij, Anastasi I e rrethoi qytetin e tij të lindjes, Durrësin me mure madhështore që shihen ende sot. Veç Durrësit, pikëmbështetje të pushtetit bizantin në Shqipëri përbënin Tivari, Shkodra, Lezha, Kruja, Dibra, Prizreni, Shkupi, Berati, Devolli, Kolonja, Adrianopoja etj. Mbrojtja e tyre dhe e territorit në juridiksionin e tyre, u ishte besuar forcave e komandantëve vendas. Trupa ushtarake iliro-shqiptare shërbenin gjithashtu në vise të tjera të Perandorisë, sa në Lindje aq edhe në Perëndim. Në kohën e perandorit Justinian, ushtarë iliro-shqiptarë shërbenin në ushtrinë bizantine me qëndrim në Itali. Në një nga mbishkrimet e asaj kohe të gjetura në Itali, bëhet fjalë për “numrin e madh të ilirëve” (numerus felix Illyricianorum). Edhe në shekujt e mëvonshëm, reparte nga trevat iliro-shqiptare shërbenin në provincat bizantine të Italisë e në provinca të tjera në Evropë dhe Azi.

Kriza e regjimit të temave dhe revoltat e dukëve Bizantinë të Durrësit në gjysmën e dytë të shek. XI

Redakto

Kryengritja e madhe panballkanike e viteve 1040-1041, si dhe ajo e vitit 1073, që patën jehonë të thellë edhe në trevat shqiptare, paralajmëruan një periudhë të tërë trazirash e revoltash, që tronditën nga themelet Perandorinë Bizantine. Krahas lëvizjeve masive fshatare, periudhën 1040-1081 e karakterizojnë edhe një varg rebelimesh ushtarake të nxitura dhe të drejtuara nga komandantët (strategët) e temave të veçanta. Shqipëria e posaçërisht Tema e Durrësit u bë në ato vite një nga pikat më të nxehta të Perandorisë Bizantine.

Revoltat ushtarake të gjysmës së dytë të shek. XI, mes të cilave edhe revoltat e strategëve (dukëve) të Durrësit, qe një pasqyrim i drejtpërdrejtë i ndryshimeve të brendshme që po pësonte në atë kohë Perandoria Bizantine dhe që lidhen kryesisht me zhvillimin e marrëdhënieve feudale. Pas vdekjes së Perandorit Bazili II dhe fundit të dinastisë maqedone me Konstandinin IX Monomahos (1042-1055), mori fund edhe epoka e karakterizuar nga prona e vogël e lirë e bujkut-ushtar (stratiotit). Deri në atë kohë, e mbrojtur me fanatizëm prej perandorëve bizantinë, që hartuan për këtë qëllim edhe një legjislacion të posaçëm, prona e vogël u la paskëtaj në mëshirën e pronarëve të mëdhenj, që në kurriz të saj filluan të zgjerojnë zotërimet e tyre. Një proces i tillë i gllabërimit të pronës së vogël të lirë dhe i ekspansionit të pronës së madhe feudale, kërcënonte me rrënim klasën e madhe të ushtarëve-bujq, të cilët për më se një shekull kishin qenë shtylla kurrizore e shtetit bizantin, përsa kohë bujqit shqiptarë qenë furnizuesit kryesorë të financave dhe të ushtrisë bizantine. Por bashkë me rënien e klasës së bujqve-ushtarë binte roli edhe i kastës së krerëve ushtarakë, strategëve, ndërkohë që rritej pesha e pronarëve të mëdhenj të tokave dhe e aristokracisë burokratike të kryeqytetit bizantin, Konstandinopojës.

Këto zhvillime të reja në gjirin e perandorisë Bizantine prekën nga afër Shqipërinë, që ishte vendi klasik i fshatarësisë së lirë dhe i stratiotëve. Ndaj, disa nga kryengritjet ushtarake më të fuqishme të shek. XI patën si teatër kryesor pikërisht trojet shqiptare.

Në vitin 1043 ngriti krye kundër pushtetit qendror Georg Maniaku, komandat bizantin i shquar nga luftimet kundër arabëve dhe normanëve në Sicili dhe Italinë e Jugut. Rritja e autoritetit të Maniakut nuk shihej me sy të mirë nga strategu i ri bizantin i Italisë, Mihal Dokianos, dhe nga vetë perandor Konstantini IX, i cili e shkarkoi atë nga detyra. I mbështetur nga repartet e tij besnike, midis të cilave shquheshin kontingjentet e ardhura nga Arberi, Maniaku dha sinjalin e kryengritjes në Sicili, ku trupat e tij e shpallën perandor. Në krye të tyre ai zbarkoi në Durrës dhe i përkrahur nga vendasit, që iu bashkëngjitën ushtrisë së tij bizantino-shqiptare, iu drejtua Selanikut nëpër Rrugën Mbretërore (Egnacia). Ushtria e kryengritësve përparoi në Maqedoni pa hasur pengesa, derisa në vendin e quajtur Ostrov u ndesh me ushtrinë perandorake. Vrasja aksidentale e Georg Maniakut, në kohën kur fitorja për kryengritësit ishte e sigurt, solli shuarjen e lëvizjes.

Megjithatë, ecuria e kryengritjes së Georg Maniakut tregoi qartë se Shqipëria, e veçanërisht Tema e Durrësit në vendin e Arbrit (Arbanon) ishin kthyer tashmë në një terren pjellor për ngjarje të tilla. Historiani bizantin i shek. XI, Mihal Ataliati, shprehet se në atë kohë shqiptarët, dikur aleatë të Perandorisë Bizantine (symmachioi), u bënë "papritur" kundërshtarë të saj (polemioi). Një zhvillim i tillë në marrëdhëniet e shqiptarëve me Bizantin, posaçërisht i atyre të trevës së Arberit, nuk vonoi të pasqyrohej edhe në vetë marrëdhëniet e Temës së Durrësit me pushtetin qendror. Me pakënaqësitë e popullsisë shqiptare bashkoheshin shpeshherë edhe vetë dukët e Temës së Durrësit. Këta po shqetësoheshin gjithnjë e më shumë nga rrudhja e vazhdueshme e kompetencave sa në fushën ushtarake aq edhe në atë civile. Në fakt, pas vdekjes së Bazilit II, ushtria bizantine filloi të mbështetej gjithnjë e më shumë në angazhimin e trupave mercenare të dërguara nga qendra, gjë që e dobësonte rolin e ushtrisë së Temës të rekrutuar tek elementi vendas dhe të drejtuar nga strategu i Temës. Nga ana tjetër, edhe kompetencat e strategut të Temës në lëmin e pushtetit civil u rrudhën në favor të nëpunësve, siç ishte gjykatësi i Temës (krites apo pretor), që varej drejtpërsëdrejti nga qendra dhe që tani trajtonte çështjet e administratës civile. Tronditjet e mëdha shoqërore të atij shekulli, si dhe vështirësitë e jashtme në lindje të Perandorisë Bizantine në marrëdhëniet me Perëndimin dhe me turqit selxhukë, kontribuan për të krijuar terrenin e përshtatshëm për kryengritjet e mëdha të strategëve ushtarakë të Durrësit të gjysmës së dytë të shek. XI. Tema e Durrësit u bë në atë kohë njëra nga vatrat kryesore të kryengritjeve ndaj pushtetit qendror bizantin. I pari ndër strategët e Durrësit, që ngriti krye kundër Konstandinopojës, ishte proedri Niqifor Brieni. Ky kishte qenë më përpara strateg i Temës së Shkupit, ku kishte shtypur kryengritjen e vitit 1073. I transferuar në Temën e Durrësit nga mesi i viteve 70, Brieni ishte dalluar në mbrojtjen e kufijve veriorë në luftë me sllavët kroatë si dhe me diokleasit. Njëherësh ai u ballafaqua edhe me sulmet pirateske të anijeve të normanëve të Italisë, të cilët tashmë synonin të shtriheshin drejt Lindjes, në territoret e Perandorisë Bizantine.

Në tetor të vitit 1077, strategu Niqifor Brieni dha sinjalin e kryengritjes kundër perandorit Mihal VII Dukas. Kronistët bizantinë të kohës pohojnë njëzëri se me kryengritësin Niqifor u bashkua popullsia vendase e Temës së Durrësit si dhe mjaft fisnikë vendas, në mes të të cilëve Bazil Kurtiqi nga Arbri. Niqifori e deklaroi të rrëzuar perandorin Mihal dhe, pasi e shpalli veten perandor, iu drejtua Konstandinopojës me një ushtri që rrugës vinte e zmadhohej me vullnetarë të rinj. Në Adrianopojë Brienin e prisnin kryengritës të tjerë të organizuar nga i vëllai, Johani. Por në të dalë të qytetit forcat kryengritëse u ndeshën me ushtrinë perandorake, të cilën tashmë e komandonte Aleks Komneni, një ndër gjeneralët bizantinë më të shquar të të gjitha kohërave. Ushtria kryengritëse u thye dhe mbeturinat e saj u shpërndanë.

Ndërkohë që Brieni me kryengritësit e tij ishin nisur në drejtim të Konstandinopojës, në Durrës kishte hyrë Niqifor Baziliaku, i emëruar dukë i Durrësit pas rebelimit të të parit. Por edhe duka i ri i Durrësit nuk vonoi dhe, vetëm pak muaj pas Brienit, u vetëshpall perandor dhe ngriti krye kundër qendrës.

I mbështetur nga paria dhe kleri vendas, ku u shqua peshkopi i Devollit, Teodori, ai grumbulloi forca të shumta shqiptaro-bizantine, ku nuk mungonin edhe mercenarë nga perëndimi. Në krye të tyre ai u nis nga Durrësi, kaloi Ohrin dhe iu drejtua qytetit të dytë të Perandorisë, Selanikut. Fillimisht perandori Niqifor III Botoniati u përpoq ta bindte kryengritësin të hiqte dorë nga marshimi mbi kryeqytet, duke i premtuar falje e tituj të rinj finikërie. Baziliaku e refuzoi ofertën dhe kështu u arrit në një betejë të përgjakshme me forcat qeveritare, të cilat i komandonte përsëri Aleks Komneni. Kryengritësit u shpartalluan dhe vetë Baziliaku u çua në pranga në Konstandinopojë.

Kryengritjet e mëdha antibizantine të shek. XI

Redakto

Bazili II ishte perandori i fundit i dinastisë maqedone që mundi të ruajë ekuilibrin e brendshëm shoqëror e politik midis interesave të shtetit, atyre të aristokracisë feudale dhe të fshatarësisë së lirë, si dhe të stratiotëve që përbënin shtyllën kurrizore të shtetit bizantin. Me vdekjen e tij (1018) ky ekuilibër u prish: aristokracia feudale, civile apo ushtarake filloi t'i rrisë në mënyrë të pakontrolluar pronat e veta duke gllabëruar pronën e vogël. Pronarët e vegjël e humbën pak nga pak statusin e mëparshëm të lirisë dhe u kthyen në fshatarë të varur. Për një kohë të gjatë shteti bizantin, e në radhë të parë perandorët e dinastisë maqedone (shek. IX-XI) ishin përpjekur t'i vinin fre procesit të krijimit të pronës së madhe dhe të zhdukjes së pronës së vogël të fshatarit. Fshatari i lirë si dhe stratioti, që merrte nga shteti një parcelë toke kundrejt përmbushjes së detyrimit fiskal e atij ushtarak, kishin përfaqësuar për shumë kohë burimin kryesor të të ardhurave të arkës perandorake dhe njëherësh elementin bazë të ushtrisë bizantine. Por në kushtet e reja që u krijuan pas vdekjes së Bazilit II, pronarët e vegjël u gjendën përballë një sulmi të dyfishtë: të aristokracisë feudale të tokës, nga njëra anë, dhe të shtetit bizantin që rëndoi në mënyrë galopante barrën e taksave në dëm të tyre. Për rrjedhojë u krijua një gjendje shpërthyese, e cila jo rastësisht arriti kulmet e saj në territoret ballkanike të goditura rëndë nga luftërat e fundit bullgaro-bizantine. Në vitin 1040 shpërtheu këtu një kryengritje e fuqishme kundër pushtetit qendror e udhëhequr nga Pjetër Deljani, një bujar bullgar që e mbante veten për nip të car Samuelit dhe që e shpalli sakaq veten car. Kryengritja prej Beogradit u përhap me shpejtësi drejt Nishit e Shkupit. Strategu bizantin i Durrësit, Bazil Sinadeni, mblodhi ushtarakë të temës së tij dhe shpejtoi t'u zërë rrugën kryengritësve të Pjetër Deljanit "përpara se e keqja të përhapej", siç shprehet kronisti Johan Skilice që përshkruan këtë ngjarje. Por revolta preku edhe vetë radhët e ushtrisë së Temës së Durrësit dhe një ushtarak me emrin Tihomir ngriti flamurin e kryengritjes në zonën e Dibrës, ku ishin dislokuar forcat e strategut të Durrësit. Këtu kryengritësit i arriti Pjetër Deljani me të vetët. Forcat e kryengritësve u bashkuan nën drejtimin e Pjetër Deljanit, që ndërkohë kishte hequr qafe Tihomirin. Paskëtaj forcat kryengritëse iu drejtuan Durrësit, të cilin e morën, dhe më tej morën Selanikun. Flakët e kryengritjes përfshinë sakaq edhe temën e Nikopojës, popullsia e së cilës ishte tejet e pakënaqur nga arbitrariteti i nëpunësve perandorakë. Bizantinët mundën të mbanin këtu vetëm kështjellën e Naupaktit mbi Gjirin e Korintit.

Megjithatë, si rezultat i kontradiktave që vazhduan të ekzistojnë në gjirin e drejtuesve të kryengritjes edhe pas vrasjes së Tihomirit, lëvizja u shua më shpejt nga çka pritej po të kihen parasysh përmasat e saj. Këtu luajti rolin e vet edhe një djalë i carit bullgar Ivan Vladisllav, Alusiani, që u arratis nga Konstandinopoja ku mbahej rob dhe u bashkua me kryengritësit. Pasi eliminoi Pjetër Dejlanin, Alusiani u vu në krye të kryengritësve. Por pas një beteje të pasuksesshme me trupat perandorake, Alusiani iu dorëzua perandorit bizantin duke shpejtuar kështu edhe fundin e kryengritjes. Megjithatë kryengritja e madhe e vitit 1040-1041 ishte sinjali i parë i fuqishëm i tensioneve shoqërore që do të mbërthenin Perandorinë Bizantine. Në të njëjtën kohë, ajo qe një tregues i hendekut të madh që ishte krijuar ndërkohë midis pushtetit qendror bizantin dhe provincave perëndimore të tij, ku bënin pjesë edhe trevat shqiptare.

Rreth 30 vjet pas kryengritjes së Pjetër Dejlanit, një tjetër lëvizje shpërtheu në Kosovë, nga ku u hap me shpejtësi në viset fqinje. Kryengritësit kërkuan t'i printe princi i Dioklesë, Mihali, i cili dërgoi për këtë qëllim të birin, Konstandin Bodinin. Në Prizren kryengritësit e shpallën Bodinin mbret të tyre. Me Bodinin u bashkua edhe paria e Shkupit me kreun e saj, Gjergj Vojtehu, i cili erdhi vetë në Prizren. Në Prizren kryengritësit thyen keqas edhe forcat e dukës bizantin të Shkupit, që u dërguan kundër tyre. Pas kësaj kryengritësit morën Nishin, Ohrin, Devollin dhe vetëm në Kostur forcat e riorganizuara bizantine mundën të thyenin grupin kryesor të kryengritësve. Pjesa tjetër e kryengritësve, me "mbretin" Bodin, ishte përqendruar në Nish. Në përpjekje për të sulmuar e për të pushtuar Shkupin, forcat e Bodinit u thyen keq nga ushtria bizantine e dërguar me ngut nga perandori bizantin "për të shuar flakën, përpara se ajo të merrte dhenë", siç është shprehur një kronist bizantin, dëshmitar i ngjarjes. Gjatë betejës Bodini u zu rob dhe u dërgua në Konstandinopojë ku u mbyll në manastirin e Serxhit e të Bakut derisa i ati i tij, Mihali i Dioklesë, organizoi arratisjen e kthimin e tij në atdhe.

Marrëdhëniet e Perandorisë Bizantine me Bodinin e Dioklesë vazhduan edhe më tej të tensionuara. Pas betejës së vitit 1082 në rrethinat e Durrësit, kur Bodini nuk u erdhi në ndihmë ushtrive bizantine të angazhuara në një betejë vendimtare me normanët e Robert Guiskardit, princi i Dioklesë i shfaqi hapur ambicjet për ta shtrirë sundimin e vet sa në viset e Dalmacisë, në veri, aq edhe në territoret e Temës së Durrësit, në jug. Madje, sipas Kronikës së Priftit të Dioklesë, për një periudhë të shkurtër Bodini mundi të pushtojë dhe të mbajë temën në fjalë, së bashku me kryeqendrën e saj, Durrësin (tulit atque obtinuit totam terram Duracinorum et ipsam civitatem Durachium). Perandori bizantin, Aleksi I Komneni, dërgoi atëherë si strateg të Durrësit një kunatin e tij, Johan Duka, i cili rifitoi kontrollin mbi Temën e Durrësit dhe e mbajti Bodinin larg territoreve të saj.

Referimet

Redakto