Artan Maku, piktor dhe regjisor. Lindi në Tiranë më 11 gusht 1954. Pasi studii në Institutin e Lartë të Arteve u emërua piktor më 1981 në sektorin e filmit vizatimor në Kinostudio. Filmin e parë si piktor dhe regjisor e realizoi në vitin 1981 “Dhelpra dhe iriqi”. Në vitin 1984 krijon personazhin e Pikut, një karakter me të cilin xhiroi disa seri filmash vizatimorë deri në vitin 1988. Filmi i tij “Lulja magjike”, 1985 u vlerësua me çmimin e tretë në Festivalin e 6 të filmit dokumentar e vizatimor shqiptar. Filmi “Piku me lëkurë dhelpre” merr çmimin Desiderio në Festivalin e fëmijeve GIFFONI, Itali 1989. Filmi “Koha moderne” vlerësohet me Best Animation në Festivalin Ndërkombëtar NINE ELEVEN, Prishtinë 2007. Që nga viti 2005 Artan Maku i është kushtuar produksionit të filmit krahas punës krijuese në fushën e animacionit. Me kompaninë filmike MAKU PRODUCTION ka prodhuar një sërë titujsh veprash të reja të gjinisë së animacionit dhe të filmit me metrazh të shkurtër duke u prezantuar me to në shumë Festivale kombëtare dhe ndërkombëtare filmi. Në vitin 2010 merr jetë projekti i tij ANIFEST ROZAFA, Festivali ndërkombëtar i filmit të animuar për fëmijë dhe nga fëmijët, i pari i këtij lloji në Shqipëri.