Jemi mesue me shijue veprat e shkrimtarëve simbas shkrimeve të tyne, tue lexue krijimtarinë hyjm në kantakt të drejtpërdrejtë me botën dhe me shpirtin e tyne krijues. Një mënyrë për me studiue nji personalitet asht edhe letërkëmbimi i tij me njerëz të shquem të brezit të tij. Në letërkëmbim, ose siç thirret korrespondencë del në pah, vëhet në dukje, jo aq shumë krijimtaria e shkrimtarit por shumë herë bota e brendshme, ndiestitë e zemrës, fisnikëria e naltë e shpirtit. Në letërkëmbimi në të shumtën e rasave nuk ka vend çensura, flet shpirti i lirë jo i ndrydhun prej publikut admirues apo kritikues. Prandej korrispondenca asht nji element përbas, themelor për kritikën letrare dhe historinë e letersisë per me njoftë botën komplekse të shkrimtarit dhe krijimtarinë e tij. Në korrispondencë zbulohen të fshehta rreth ideve dhe shkrimit të vepravet, çështjevet shoqnore e politike e historike të vendit, kuptojmë gjendjen shpirtnore dhe morale të shkrimtarit, atë çka zemra e tij mendon e shmendon në atë periudhë të caktueme të jetës së tij.

Kështu edhe Poeti ynë françeskan e kombëtar Át Gjergj Fishta zhvilloi nji korrispondencë të dendun me bashkëkohës të tij, me bashkëvëllazen të tij freten, prifta shekullar, albanolog, shkrimtar e poet, balkanolog e njerëz të artit dhe të kulturës shqiptare e asaj europiane.

Në ketë përvjetor të vdekjes së tij duem të sjellim para lexuesit disa letra të Át Gjergj Fishtës përkthye në shqip. Letrat Át Fishta ia ka dergue Át Pal Dodaj, nji tjeter françeskan që poeti kishte shumë konsideratë për të. Át Pal Dodaj asht pak i njoftun për publikun shqiptar, por në të vertetë shumë asht marrë me studime gjuhësore, historike, etj. Disa nga këto shkrime janë botue në revistën Hylli i Dritës. Át Pal Dodaj si diplomat e njeri i zoti sa u zgjodh Provincial i dha nji formë krejt tjeter Provincës Françeskane Shqiptare, sa që simbas Át Benedikt Demes që shkruen rreth vitit 1942 ende sot ecim simbas projekteve dhe ideve të Át Pal Dodaj. Át Gjergj Fishta ndiente nji respekt të veçantë për të, dhe ishte njeriu ku Poeti i besohej, i shprehte lirshëm idetë dhe medimet, gjithçka që ndodhte në jetën e tij të brendshme dhe përrreth tij. Duket sikur ishte nji At shpirtnor për Poetin. Át Pal Dodajt Poeti i pat shkrue ma se 200 letra. Në ketë letërkëmbim të tyne ne shohim dhe mund të gjejmë të dhana për subjektet e veprave të Fishtës, mbi formimin e tij si shkrimtar, prozator, mbi zhgënjimin e tij rreth pavarësisë së Shqipnisë, zhvillimevet politike, etj. Në ketë korrispondencë spikat shpirti i Át Gjergj Fishtës në të gjitha ndiesitë, përjetimet, gjendja shpirtnore, vetmia, humori dhe sidomos dashnia e madhe për Shqipninë. Shumë herë na shfaqet euforik, emotiv, kritikues, dishmitar i Shqipnisë që ishte në prag të pamvarësisë së saj. Në letërkëmbimin del në pah edhe zhgënjmi i tij, mosmarrveshjet në lidhje me alfabetin, mbylljen e Hyllit të Dritës, pakënaqësitë e tij per disa pseudoshqiptar që ndrrojshin fytyrë e identitet për interesa personale. Nji pjesë e këtyne letrave janë përkthye me nji mjeshtërir të veçantë nga Dr. Persilda Asllani me redaktues Dr. Aurel Plasarin në veprën: Fishta Estetikë dhe Kritikë, Hylli I Dritës, Tiranë 1999.

Letra 1

Redakto

Këtu Poeti na përcjell dëshirën e tij për me u marrë me studimin e Dramatikes, ku ndër të tjera thotë se ka lexue Shakespeare dhe komeditë e Molierit. Po ashtu flet edhe për aksiomën e tij që ka përdorë në satirë, si dhe për punimin e parë të tij në prozë: Kombësia e kleri Katolik.

Shkodër, 5-II-1908 E kam marrë gjysëletren tande… Drama asht duertrokit mjaft. Duertrokitjet e qytetarve tonë, asht e vertetë, nuk janë të tilla sa me i rritin mendjen nji autori, sepse këtu, me perjashtim të disa të jashtëm e të ndonji shqiptari, si Zurani, nuk e kanë idenë e artit komik: do të duertrokitshin çdo lojë ma shumë se nji komedi të Molierit apo të Goldonit… Në komedinë teme jam kujdes të sjell të vlefshmen me të kënaqshmen, simbas aksiomës: Ridendo castigat mores, e më duket se kam arrit me sukses. Due me ju kushtue me kujdes të madh studimit të dramatikës, për me pa se a mund të arrij në ndnji përfundim. Kam lexue shumë prej veprave të Shakespeare e të gjitha komeditë e Moliére. Kam nda dhe due të botoj disa shkrime serioze, d.m.th. odi dhe poema dramatike. Tash po shkruej Vrasjen e Shën Gjonit në formë dramatike e me ndjenja krejt demokratike e republikane. Po të dergoj kopjen e parë të punimit tem në prozë: Komsija e kleri Katolik. Për pjesën e III të Lahutës ende nuk kam mujt të projektoj përvijimin. Nuk due me u përshpejtue sepse dëshiroj të baj nji punë sikurse duhet të bahet. Për me krye Iliaden, janë dasht shumë shekuj: për me shkrue Lahutën të kalojnë të pakten do vjet… E ti kur vjen në Shkodër për me më takue, i yti Gjergji

Letra 2

Redakto

Në ketë letër Poeti flet për fillimet e sëmundjes së tij të zemrës, që mesa duket do ta shoqnoj deri në dekë.

2 korrik 1909 “Shetitja në Nenshat për mue ka kenë e dhimbshme, sepse prej asaj dite e në vijim kanë fillue të duken në mue shejat e para të smundjes së zemres. Për disa ditë nuk kam mujt me ndej në kambë, prej shpërqëndrimit të madh, e që dje, mbas nji përmisimi dy ditor, jam ndie prap keq, në menyrë që sa të kem shkrue ketë letër, do të ulem në shtrat, sepse po me vjen si nji dobësim në zemër. Çka do të bante Pali im, atëherë kur nuk do te ishte në jetë Gjergji, që herë pas here i shkruen fjalë miqësie?”

Letra 3

Redakto

Në ketë letër Át Gjergj Fishta i difton mikut të tij rreth shkrimit të dramës Shën Françesku i Asizit, ku i thotë se e ka mbarue së shkruemi për 12 dit, nuk harron me ba edhe nji krahasim me poetin italian Metastasio.

Shkoder 10 nanduer 1909 “Si kundërpërgjigje artit oratorik, miku em, po të them diçka mbi poetiken. Por para se të filloj me folë, larg prej meje ves i mallkuem i krenarisë!!! – Drama mbi Shën Françeskun ka vu dy gisht pluhën mbisyprinë, sepse u mbarue me kohë nga i nënshkruemi i përvujtë, që ka nderit të merret në konsideratë prej teje. I dashtun – hapi mirë veshët! – në 12-XII dit, po, po në 12-XII dit kam shkrue 1200 po them njimij e dyqind rreshta njimbëdhetërrokshe e shtatërrokshe con me disa arje, e të gjithë rreshtat janë të bashkëngjitun mes tyne. Drama asht shkrue mbi foggia si ajo e Metastasio. Kështu pra, i dashtun, si mesatare njiqind rreshta në ditë. Ditën e fundit në tre orë e gjysë paradite kam shkrue 154 rreshta; isha i lodhun aq shumë sa që për dy dit kam pasë nji dhimbje të fort koke. Metastasio ka kompozue në 18 dit nji melodram me rreth 1500 rreshta. Unë kam pasë në kujdesë gjuhën shqipe, koret, meditimet, Meshët konventuale, Shkollën, shqetësimet e të afërmve, etj. etj., dhe mund të them se kam vendos nji “rekord” në poezinë tonë. Larg prej këtu ves i mallkuem krenarie!!!”

Letra 4

Redakto

Shkodër, 5-XII-1909 “Neser më duhet tu predikoj Jezuitve: kështu pra do ta kuptosh pse po ti shkruej këto dy rreshta sikur koprracit do ti duhej të nxjerrte prej xhepit të tij paren e vet… Në “Odisen” unë kam paraqit nji fakt historik, dhe asgja tjeter. Që edhe sot gjinden disa Mtues në botë asht e pa evitueshme, dhe asht natyrore që ata, që për keq ndaj Poetit, nuk marrin as ma të voglin hap për me u largue prej shtëpijave të zanuna, për faktin e thjeshtë, që unë nuk jam Uliks. Me gjithketë, tue i dëgjue ata rreshta, Mtuesit modern duhet të përgjojnë të dera prej frikës se Uliksit. Edhe rreshtat e kanë forcën e tyne. Bonifaci VIII kje Papë: megjithatë i duhet të qendroj në ferr, të paktën deri në ditën e gjykimit të mbramë, sepse aty e ka dënue nji hy i vogël Dante Alighieri. Për inatë tem Mtuesit e Shqipnisë do të vazhdojnë të jenë të fortë dhe të urdhnojnë në shtëpinë e tjetrit; por megjithketë nuk mund të mohosh, që ndoshta për shkak të rrehshtave të mi, do të dëbohen nga zemra e Telemakëve shqiptar, dhe kjo per mue mjafton, sepse jam i sigurtë, që mazza e Uliseut do të bie mbi krye të tyne, edhe nese janë të mbrojtun prej ndonji yzbergu i çfarë do lloj identitetit. Por, “Odisea” nuk ndalet vetem në faktet e Shqipnisë; ajo shtrihet në të gjithë njerëzimin. Në Odisenë kam dashtë të paraqes triumfin e lirisë, sikurse në Shën Françeskun vëllazninë dhe në Shën Gjon kryepremin barazinë në kuptimin e krishtenë. Kështu pra per nji fakt të thjeshtë që dashnorët e Penelopes shqiptare të ndihen të therun prej rreshtave të mi. Ma mirë se kaq; prej nji fundrrie të tillë as nuk mundem as nuk due të di gja. Nuk kam as çka të shpresoj: shëndetin dhe hirin mund të mi jap vetëm Perëndia, emnin e mire duhet ta baj vet, e jo Mtuesit me marritë e tyne… asgja tjetër nuk më duhet në botë veçse miqët e mi.

Letra 5

Redakto

Në ketë letër Poeti përsëri trajton çështjen e Lahutës, dhe thotë se Shkrimtari asht ai që nuk përshkruen vetëm objektet që përjeton në ngjarje të ndryshme, por përjetimin dhe mbresat që lanë objektet në shpirtin e tij.

Shkodër, 6 prill 1910 “E kam marrë të shumpritunen (letrën) tande të 5/4 dhe gëzohem me gjithë zemër që gjendesh me shëndet të mirë, por posaqëeisht gëzoj nga dashnia që me sjell, e cila në fakt thanë hapun, më jepet si përgjigje ndaj drejtësisë, sepse flaka e dashnisë, që unë të jap, asht ma e madhe së bishti i kometës së ktij viti, e cila asht e gjatë 24 milion kilometra… Përsa i përket kërkesës së dytë, d.m.th. pjesëve rakitike të fantazisë ime, nuk kam çka me të thanë. – Zhurma, plogështia dhe moskujdesi em, punët e Shqipnisë që nuk mbrrijn asnjiherë në lima të mirë, etj.etj. bajnë që fantasia eme nuk arrin me pasë frytet e mësimit. Duresë. Asht e vertet, kam vu dorë në pjesën e tretë të Lahutës dhe shpresoj ta përfundoj gjatë vitit, sepse duket se edhe dhimbja e kokes po më kalon – nji preteks më pak i demelisë teme. Këshilla që më jep në lidhje me formën dhe stilin që të përdori në ketë pjesë të tretë asht i drejtë; sepse perndryshe në vepër mungon lidhja e nevojshme. Megjithketë tue marrë të njetën formë e tue bashkue stilin popullor me klasiken, do të munohem të vëjë ma shumë se mendime në zhvillimin e veprimit, edhe disa episode tue paraqit të pakten pasionet më të rendesihsme të jetës; sepse simbas mendimit tem, kjo ban që të edukohet dhe të mësohet ma mirë kombi. Përshtypjet prodhohen në shpirt prej objekteve. Tash me riprodhue në shkrim objektet që kanë lanë përshtypje në ne, dhe jo përjetimet, përshtypjet që kemi marrë në shpirt, simbas meje, nuk do të ishte art: por do të ishte treguesi i nji mendje të zakonëshme dhe fëminore. Shkrimtari i vertetë, mendimtari dhe filozofi riprodhon vetveten në shkrim; kështu riprodhon pershtypjet/perjetimet e jo objeketet e jashtme. E bukura në objektet e jashtme nuk mund të jetë objekti artit të vertetë, sepse, artisti tue riprodhue nuk krijon por thjeshtë kopjon gja që nuk asht art. Nëse Leopardi në kangën e famshme të Gjineshtres, do të na kishte pershkrue si botanik Gjineshtren e jo përshtypjet të marruna prej saj, kush sot do të lexonte kangen e tij? Pra, shkrimtari duhet të paraqes shpirtin e tij në shkrim, gja që nuk bahet, nëse nuk riprodhojmë nepermjet mendimeve objektet; jo si ndodhen në botën e jashtme, por si paraqiten në shpirtin tonë, ku vetëm aty ka ndejen e bukura artistike (nuk flas për të bukurën filozofike)….. I dashtun, nëse vazhdoj me ketë hap, nuk e di kur do ta mbyll letrën, e kush e di se sa blasfemi nxjerr përjashta. Kështu…… të kalojmë në histori..

Letra 6

Redakto

Në ketë letër Poeti i shkruen Át Palit per dëshirën e tij me punue me dramatiken, ku në veçanti flet për kryevepren e tij Makabejt, Poeti mori ketë temë biblike për me pershkrue dhe himnizue dëshirën e vendosun të shqiptarve për liri. Tragjedinë Makabejt Fishta nuk e përfundoj simbas dëshirit të tij në vitin 1911, por e përfundoj në Troshan e Rubig ku kje shterngue me ndej prej nderkombëtarve në vitin 1914.

Shkoder, 20-I-11 Nuk e di sa ka të vertetë në parashikimet e tua biologjike, ne lidhje me pozicionin e trunit në diafragmë të kungullit tonë, i thirrun ironikisht krye dhe në veçanti të atyne të poetve; por ketë e di sigurisht, që truni em nuk ishte në vend atë ditë kur u dhashë fjalën disa zotnive të shkruej dhe të paraqes për karnevalet e ardhshme nji dramë origjinale në pesë akte, që me ka ba me humb “busullën e alfabetin”. Të thom të vertetën asnjiherë nuk e kam ndi nji kënaqsi të ngjashme. Kam nji dëshirë të madhe që ta përfundoj, por nga ana tjeter më vjen keq se më duhet të shkruej sa ma shpejtë të jetë e mundun, dhe druej së ka me lanë mangësi në teknikë, prejse asht puna ime e parë e këtij lloji. Tema asht: I maccabei pro aris set focis, argoment shumë i përshtatshem për ngjarjet tona kombtare: nuk më duhet gja tjeter veçse të kopjoj jetën dhe ndjenat tona, per me ba nji kryevepër. Sot e përfundoj aktin e parë, megjithëse nuk asht plotë gjallni, sikurse shpresoj që do të jenë ata që vijnë më pas, në përgjithësi mund të pelqehet. Por, gjindem ngusht me kohën, per me përfundue nji punë të tillë në pak javë. Natën nuk mund të shkruej, sepse mban ftohtë; ditën mes Kishës, shkollës dhe shqetësimeve të njipasnjishme mund të punohet shumë pak. Ti e di se që tre vjet jam vu të studioj Shakespeare: nëse pra nuk dështoj në ketë sprovë të parë, mund të jesh i sigurt, se mbas pak … viteve, do te shkruej nji tjeter. Po të shkruej këto gjana, për me të ba të ditun, se ti me quen demel dhe e regjistron si plogështi heshtjen teme. Ke kuptue?

Letra 7

Redakto

Edhe në ketë letër të bukur Poeti i difton bashkëvëllaut të tij për vumjen në skenë të melodramit “Shqyptari i Gjytetnuem”, ku asht prit me sukseë e me entuziazem prej publikut shkodran. Poeti nuk ngurron të baj edhe nji krahasim mes Dramës se tij dhe nji punim të Schiller.

Shkodër, 12 Kallnduer 1912 “Përsa i përket punës teme të vogel poetike, që ti thue se e admiron, pa e njoftë pse-në, të them, që nuk meriton të studiohet. Puna asht origjinale, edhe se Schiller e ka shkrue nji të tillë, që titullohet: “Mirënjohje Arteve të Bukura”. Idea eme ishte me u tregue rrugën e qytenimit shqiptarve; ndersa Schiller shkruen që njeriu të dashunohet në shkenca dhe arte. Pjesa e dytë e Dramatikës ka ngjashmëni në shumë shprehje me veprën e Schiler; por megjithketë asht si ide. Ketë mund të thom, që puna eme asht ma e naltë se ajo e Schiller si ide dhe si veprim. Sigurisht që të shfaqunt e Fesë në shqip, që deshiron qytetni, dhe ndjeshja e frazave në motot dhe në recituesit të pjesës së parë, e ngrisin shpirti e shikuesit shqiptar në idelae të pastra e janë të tilla që e çojnë në mallëngjim fortiter et suaviter; aq asht e vertetë sa që atë natë kanë kja prej entuziazmit deri edhe mysliman, të cilët kishin pak interesë me pa në skenë Fenë me kryq në dorë. – Megjithketë të tham, që nuk vlen me kerkue poetikën e bukur në punën teme; sepse duhet ma parë me gjetë se me zbulue. Mue më mjafton që puna eme të ketë arrit qellimin që të erudicionoj tue entuziazmue publikun për qytetni e për Atdhe. – Nji herë tjeter do të shkruej për ketë. Ndersa të përqafoj e githmonë i yti

Letra 8

Redakto

Këtu Poeti lajmron për fillimin e botimit të së Përkohshmes Hylli i Dritës. Bashkë me ketë lajm të gëzueshëm vënë në dukje edhe gjendjen shoqnore e politike të Shkodrës.

Shkodër, 15 shtatuer 1913 Sot kemi fillue botimin e të Përkohshmes, (Hylli Dritës) në të cilën do të publiokohen këto shkrime: (të shihet numri i parë i revistës Hylli i Dritës). Këtu në Shkodër gjendja asht në statu quo, pluhun e baltë, Admirala, kual, lecka e “Rrnoftë Shqypnija”; por punë per me i dhanë jetë Shqipnisë, pak ose aspak. Njerzit rrin nën hije, tue pritë me gojë hapun, si fëmij korbash që nana, sorra Europë tu sjell me hangar. Asht e kot që unë të humb kohë tue shkruej gjanat e Shkodrës, të këtij problemi të ri që ka infektue tanë botën.