Autoportret me teleskop Roman me Autor Besnik Mustafaj. Shtëpia Botuese: Toena. Faqet e libit 464. Botuar në nëntor, 2013.

Që në hyrje të librit autori paralajmëron se ky nuk është një roman autobiografik, edhe pse njëri nga personazhet quhet Besnik Mustafaj. E megjithatë, shumë prej detajeve që ai paraqet në të kanë të bëjnë me takime të rëndësishme të kohës kur ai ishte ministër i Jashtëm. Tisi i postit prej ministri, që në fjalimet e tij jashtë vendit kujdeset të gjejë fjalët e duhura për të përcjellë shqetësimin për Kosovën, i vishet kaq bukur romanit. Përpos kësaj, në disa raste ai i referohet në libër “eprorit” të tij, çka siç kuptohet nga ne si lexues, ai duket të jetë as më shumë e as më pak se ish-kryeministri Sali Berisha. Një tjetër personazh që zë vend në libër është Ana B. Në hollet e një hoteli luksoz në Monako, ai takon një lexuese të tij që është njëherazi këshilltare e Presidentit slloven. Një tjetër personazh, tejet grotesk, është Selami Beshiri. Besnik Mustafaj flet gjithashtu për atë që e quan thesar i vërtetë, i paçmueshëm, i gjithi flori e diamante, krijuar nëpërmjet sekuestrimeve të pasurisë së klasave të përmbysura nga revolucioni dhe vënë mënjanë në një vend ultrasekret, sigurisht jashtë Shqipërisë dhe sigurisht jo në ndonjë bankë.