Autoriteti i Aviacionit Civil i Kosovës
Autoriteti i Aviacionit Civil i Kosovës (AACK, serbisht: Autoritet Civilnog Vazduhoplovstva, anglisht: Civil Aviation Authority of Kosovo) është një agjenci e pavarur rregullatore e ngarkuar me rregullimin e aspekteve të sigurisë së aviacionit civil dhe rregullimin ekonomik të aeroporteve dhe ofruesve të shërbimeve të navigacionit ajror në Republikën e Kosovës. AACK-ja ka kapacitet të plotë juridik. AACK-ja është organizatë e vetëfinancuar buxhetore dhe autoritet publik dhe i nënshtrohet dispozitave përkatëse mbi organizatat buxhetore dhe autoritetet publike në ligjet dhe aktet e tjera ligjore të zbatueshme në Republikën e Kosovës.[1]
E themeluar me Ligjin Nr. 03/L-051 për Aviacionin Civil, nga 1 janari 2009 AACK-ja ka marrë kompetencat e plota nga organi paraprak i cili ka rregulluar këtë fushë në kuadër të UNMIK-ut që nga viti 2004, Zyra Rregullative e Aviacionit Civil. AACK-ja është njëra nga autoritetet publike me përgjegjësi dhe funksione në fushën e aviacionit civil në Kosovoë. Ligji përcakton që Ministria e Infrastrukturës (MI) është përgjegjëse për rregullimin ekonomik të transportit ajror, ndërsa Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) është përgjegjëse për rregullimin e aspekteve të sigurimit të aviacionit.
Ligji gjithashtu themelon Komisionin për Hetimin e Aksidenteve dhe Incidenteve Aeronautike (KHAIA), si institucion që funksionon në kuadër të Zyrës së Kryeministrit të Republikës së Kosovës.
Fushëveprimi
RedaktoAACK-ja është përgjegjëse për:
- zbatimin e legjislacionit mbi aviacionin civil dhe zbatimin e politikave të miratuara nga Ministria e Infrastrukturës ose Qeveria në fushën e aviacionit civil;
- ofrimin e këshillave dhe propozimeve për MI-në, Qeverinë dhe Kuvendin lidhur me politikat dhe legjislacionin nga fusha e aviacionit civil;
- nxjerrjen e rregulloreve implementuese dhe urdhrave të navigacionit ajror, në përputhje me Ligjin për Aviacionin Civil dhe Marrëveshjen mbi Hapësirën e Përbashkët Evropiane të Aviacionit, me qëllim të zbatimit të politikave të aviacionit civil të MI-së dhe legjislacionit përkatës nga fusha e aviacionit civil;
- lëshimin e licencave, certifikatave dhe lejeve në përputhje me kompetencat dhe përgjegjësitë e AACK-së të përcaktuara nga Ligji për Aviacionin Civil;
- rregullimin e sigurisë së transportit ajror në Republikën e Kosovës;
- rregullimin e ekonomisë së aeroporteve dhe shërbimeve të navigacionit ajror;
- ofrimin e këshillave për MI-në në lidhje me përgatitjen nga Ministri të propozimpolitikave mbi shfrytëzimin e hapësirës ajrore të Kosovës të cilat i përmbushin nevojat e shfrytëzuesve, duke pasur parasysh sigurinë kombëtare, faktorët ekonomikë dhe mjedisorë dhe nevojën për standarde të larta të sigurisë;
- mbikëqyrjen dhe sigurimin e zbatimit në mënyrë efektive të legjislacionit, standardeve, rregullave, procedurave dhe urdhrave të aviacionit civil, përveç kur, me Ligjin për Aviacionin Civil ose me një akt tjetër themelor juridik, ky funksion shprehimisht i është dhënë MI-së ose një autoriteti tjetër publik;
- shpërndarjen e informatave për publikun rreth çështjeve relevante mbi funksionet dhe aktivitetet e AACK-së;
- marrjen e masave, kryerjen e hetimeve dhe inspektimeve dhe nxjerrjen urdhrave, rregullave, rregulloreve dhe/ose procedurave të cilat AACK-ja me arsye i konsideron të nevojshme për (i) zbatimin e rregullt dhe të ligjshëm të dispozitave të Ligjit për Aviacionin Civil ose (ii) ushtrimin e rregullt dhe të ligjshëm të kompetencave dhe detyrave të cilat i janë dhënë AAC me këtë ligj; dhe
- ushtrimin e funksioneve të tjera të cilat kanë të bëjnë me Aviacionin Civil në Kosovë që i janë dhënë AACK-së sipas Ligji për Aviacionin Civil ose një akti tjetër themelor juridik.