Avokati i Popullit (Shqipëri)
Avokati i Popullit shqyrton ankesat ose kërkesat: ndaj organeve të administratës qendrore, pushtetit vendor dhe të tretëve që veprojnë për llogari të tyre, ndaj policisë, shërbimit sekret, burgjeve, forcave të armatosura dhe pushtetit gjyqësor si dhe ankesa apo kërkesa të tjera që nuk përfshihen në dy seksionet me sipër, bashkëpunon me organizatat joqeveritare si dhe bën studime në fushën e zbatimit të të drejtave dhe lirive të njeriut. Njësia për Parandalimin e Torturës merret me inspektimet dhe vizitat në ambientet ku është privuar liria e individit, me qëllimin për të parandaluar rastet e torturës apo dënimeve të tjera çnjerëzore dhe degraduese.
Institucioni i Avokatit të Popullit është parashikuar për herë të parë në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, miratuar me referendum më 28 nëntor 1998.
Kushtetuta, në pjesën e saj të dytë, në katër nene, 60 deri 63, përcakton funksionin, parimet e veprimtarisë, statusin dhe kompetencat e Avokatit të Popullit, kurse në nenin 134, pika “dh” përcakton të drejtën e Avokatit të Popullit për të vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese.
Ligji përkatës nr.8454 datë 04.02.1999 “Për Avokatin e Popullit” u miratua nga Kuvendi i Shqipërisë në shkurt të vitit 1999. Ky ligj është hartuar duke pasur parasysh legjislacionin e vendeve të tjera të Evropës, të cilët e kanë krijuar më parë një Institucion të tillë. Pas ndryshimeve të bëra në Ligjin “Për Avokatin e Popullit”, në maj 2005, ky ligj mund të konsiderohet një nga ligjet më të mira në Evropë përsa u përket çështjeve të juridiksionit dhe kompetencave të Avokatit të Popullit.
Kodi i Procedurave Administrative, ligji “Për të drejtën e informimit për dokumentet zyrtare”, ligji “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim” si dhe ligji “Për mbrojtjen e Konsumatorit”, përbëjnë bazën ligjore, ku përcaktohen thuajse të gjitha të drejtat dhe detyrat funksionale të Avokatit të Popullit.
Juridiksioni i Avokatit të Popullit është mjaft i gjerë. Sipas nenit 60 të Kushtetutës dhe nenit 2 të ligjit përkatës, Avokati i Popullit mbron të drejtat, liritë dhe interesat e ligjshme të individit nga veprimet ose mosveprimet e paligjshme e të parregullta të organeve të administratës publike ose të të tretëve që veprojnë për llogari të saj. Juridiksioni i tij përfshin Qeverinë, ministritë, institucione të tjera qendrore, siç janë Shërbimet Sekrete, Banka Kombëtare dhe Bankat me pjesëmarrje kapitali shtetëror, Entet Publike etj; organet e pushtetit vendor, ku përfshihen prefekturat, qarqet, bashkitë, komunat si dhe ato institucione apo autoritete publike që veprojnë për llogari të këtyre organeve të administratës publike dhe institucionet në varësi të tyre në qendër dhe rrethe.
Në rubrikën përkatëse do të gjeni bazën ligjore, mbi të cilën bazohet veprimtaria e Avokatit të Popullit.
Historia e institucionit kushtetues Avokati i Popullit
RedaktoInstitucioni i Avokatit të Popullit ka pasur në të kaluarën e tij një aktivitet mjaft të spikatur, lidhur me evidentimin dhe parandalimin e rasteve të torturës, trajtimit çnjerëzor dhe degradues. Krijimi i një fizionomie të tillë në këtë fushë ka ardhur si rezultat i përmbushjes me seriozitet të kompetencave që gëzon ky organ nga Kushtetuta dhe Ligji Nr.8454 dt.04.02.1999 “Për Avokatin e Popullit” (i ndryshuar).
Shpesh veprimtaria e Institucionit të Avokatit të Popullit ka qenë subjekt referimi në mjaft raporte ndërkombëtare, në të cilat është vënë theksi mbi rëndësinë e evidentimit dhe eliminimit të rasteve të dhunës.
Si rrjedhojë e natyrshme e veçorive dhe arritjeve të punës tonë në këtë fushë, në qershor të vitit 2007 Avokati i Popullit në bashkëpunim me Qendrën Shqiptare për Rehabilitimin e Viktimave të Torturës zhvilloi një seminar të përbashkët me Temë “Shqipëria pa Torturë”. Qëllimi i këtij takimi ishte të hidheshin ide dhe të jepeshin propozime mbi mënyrën se si do te vihej ne zbatim Ligji Nr. 9094 dt.03.07.2003 “Për Ratifikimin e Protokollit Opsional të Konventës kundër Torturës dhe Ndëshkimeve të tjera Çnjerëzore dhe Degraduese (OPCAT)”.
Në përmbajtjen e këtij akti ndërkombëtar të ratifikuar edhe nga vendi ynë, ishte parashikuar në mënyrë taksative që shtetet pale duhet të krijonin një strukturë kombëtare për parandalimin e torturës, ose të atashonin një veprimtari të tille pranë një institucioni të përshtatshëm për këtë profil pune.
Sipas OPCAT, veprimtaria e Mekanizmit Kombëtar për Parandalimin e Torturës (MKPT) synon në realizimin e vizitave të rregullta në të gjitha ambientet e institucioneve publike ku liria e individit është e kufizuar apo dalja prej tyre bëhet kundrejt një vendimi gjyqësor apo urdhri administrativ. Me këtë nënkuptohet se institucione të tilla si burgjet, paraburgimet, komisariatet e policisë, spitalet psikiatrike, repartet ushtarake etj, do të jenë objekt i përhershëm inspektimi. Me tej, problemet që do të dalin nga këto vizita do të ngrihen në rekomandime dhe raporte periodike kombëtare dhe ndërkombëtare me qëllim respektimin dhe përmirësimin e vazhdueshëm të standardeve të trajtimit të individëve në këto ambiente.
Në përfundim të diskutimeve dhe analizave të gjithanshme mbi rolin e MKPT-se, në praninë edhe të përfaqësuesve të qeverisë dhe shoqërisë civile, Institucioni i Avokatit te Popullit u evidentua si organi me i përshtatshëm që plotësonte të gjitha kushtet për të kryer një veprimtari të tille. Ky institucion, sipas tyre, plotësonte tërësisht kriteret ndërkombëtare të ashtuquajtura “Parimet e Parisit” duke qene i pavarur dhe duke gëzuar kompetenca të plota ligjore për të realizuar inspektime dhe për të pasur akses në çdo ambient sigurie.
Me këtë rast nga të gjithë të pranishmit u hodh propozimi që Avokati i Popullit duhet të merrte në të ardhmen atributet ligjore për të ushtruar detyrën e MKPT-se.
Për të formalizuar një qëndrim te tillë, Avokati i Popullit i drejtoi një rekomandim Kuvendit të Shqipërisë dhe Kryeministrit ku i kërkoi zyrtarisht autorizimin për të kryer rolin e MKPT-se, duke parashtruar si kërkesë shtimin e 5 vendeve të reja pune për kryerjen e këtij funksioni.
Në përgjigje të kësaj kërkese, me miratimin e buxhetit të Institucionit të Avokatit të Popullit për vitin 2008, nga ana e Qeverisë u miratua shtimi i fondit të pagave për 5 vende të reja pune, me ane te te cilave u nënkuptua plotësimi i kushteve financiare për të përmbushur detyrën e MKPT-së. Ky veprim shënoi fillimin (de facto) të punës së Avokatit te Popullit ne rolin e MKPT-se. Nevizojme termin (de facto), pasi ky funksion u shoqërua më pas edhe me njohjen (de jure) të kësaj strukture me anë të rezolutave përkaste të Kuvendit të Shqipërisë.
Në mars 2008 Mekanzimi Kombëtar për Parandalimine Torturës gjeti një parashikim të veçantë edhe në ndryshimet e Ligjit Nr. 8328 dt.2.04.1998 “Për te drejtat dhe trajtimin e te dënuarve me burgim dhe të të paraburgosurve”.
Vizioni i ndërtimit dhe vënies ne punë me efiçense të MKPT-së është strukturuar nga ana e Avokatit te Popullit në 5 drejtime kryesore të cilat janë inspektimet në Polici, Burgje dhe Paraburgime, Ushtri, Spitale dhe Qendra Sociale. Në qershor të vitit 2008 për të realizuar funksionin e MKPT-së krijohet Njësia për Parandalimin e Torturës e përberë nga 5 punonjës. Në vitet në vijim kjo strukturë fillon një aktivitet të dendur monitorues dhe parandalues. Në vitin 2009 kjo strukturë fillon bashkëpunimin me Nënkomitetin e Parandalimit të Torturës së OKB-së dhe Këshillin e Evropës. Ne qershor 2010 kjo strukturë kryen raportimin e parë pranë OKB-së lidhur me rezultatet e punës së saj.