Azis Gjergji
Azis Gjergji (lindur më 1948, Gusmar) është një skenarist dhe shkrimtar shqiptar. Bir i një familjeje oficeri të Kufirit, edukimin parashkollor dhe fillor i mori në Shkodër, ndërsa shtatëvjeçaren e mbaroi në Korçë. Studimet e Mesme, Universitare e Pasuniversitare i kreu në Tiranë, në fushën e Historisë Botërore dhe të Shqipërisë. Ka dhënë kontribut si skenarist dhe realizues i dokumentarëve historikë në Televizionin Shtetëror të Shqipërisë, në rubrikat : “Historia e Luftës së Parë Botërore” (25 seri, 1972) ; “Midis dy luftërave” (25 seri, 1973) dhe "Ngjarje dhe Data" (1974-1990, 80 seri). Për realizimin e dokumentarit televiziv "Isa Boletini" është lauruar me Çmimin e Republikës, Shk. II (1979). Ka qenë anëtar i Redaksisë së "Fjalorit Enciklopedik Shqiptar 2", botuar ne 3 vëllime nga Qendra e Enciklopedisë pranë Akademisë së Shkencave (2008-2009). Është autor i librit studimor historik "Myslim Peza-dëshmitar dhe protagonist (1912-1939)”, botuar në Tiranë (2008) dhe ribotuar në Prishtinë me titullin "Myslim Peza dhe Mbreti Zog" (2009). Aktualisht jeton në qytetin Paducah, KY, USA, ku vazhdon të merret me studimin e ngjarjeve dhe personaliteteve historicë të Shqipërisë (periudha 1912-1939).