Bahtir Sheholli
Bahtir Sheholli studiues kosovar, lindi në Hërticë të Komunës së Besianës (ish-Podujeva), më 16 mars të vitit 1943. Shkollën fillore e kreu në Kërpimeh, shkollën e mesme muzikore në Prizren, kurse fakultetin muzikor në Universitetin e Arteve në Beograd – dega e Teorisë Muzikore. Po aty vijon edhe studimet në sektorin e Etnomuzikologjisë në katedrën e Historisë Muzikore dhe të Folklorit Muzikor në Beograd, kreu edhe studimet pasuniversitare. Gjatë vitit 1978–1979 u specializua në konservatorin e muzikës në Shën Petërsburg – BRSS, ku po ashtu ka bërë hulumtime shkencore në një pjesë të bjeshkëve të Kaukazit etj. Një pjesë të aktivitetit të tij profesional ia kushtoi pedagogjisë dhe mësimdhënies në gjimnazin e Podujevës, në vitet 1963 – 1970, dhe nga viti 1977 disa vite rresht ka punuar si mësimdhënës i lëndës së formës muzikore, historisë muzikore botërore, njohurisë së veglave dhe folklorit muzikor në shkollën e mesme muzikore të Prishtinës. Prej vitit 1976 punoi në Institutin Albanologjik të Prishtinës si hulumtues në Sektorin e Etnomuzikologjisë. Nga viti 1974 deri më 1987 ka qenë anëtar i Organeve të Revistës së Folklorit Burimor Kosovar të Gllogovcit, si seleksionues dhe udhëheqës artistik i saj. Si organizator dhe drejtor artistik me grupe të ndryshme folklorike ka përfaqësuar Kosovën në shumë manifestime në ish-Jugosllavi, Shqipëri, Gjermani, Francë etj., në të cilat është shpërblyer me çmime të larta dhe mirënjohje publike. Bahtir Sheholli ka drejtuar si kryetar edhe shoqatën e kompozitorëve të Kosovës. U nda nga jeta më 11 mars 2010.