Bashkia Mirditë
Sipas regjistrit të gjendjes civile2, Mirdita ka një popullsi prej 37 384 banorësh. Me një sipërfaqje prej 867.1 km2, bashkia e re ka një dendësi prej 42.98 banorë/km2.
Bashkia Mirditë gjendet midis koordinatave gjeografike 41° 43’ e 41° 59’ gjerësi veriore dhe 19° 43’ e 20° e 12’ gjatësi lindore, duke u kufizuar në veri me Bashkitë e Fushë Arrësit dhe Pukës, në perëndim me të Lezhës dhe në lindje me Bashkinë e Kukësit dhe Dibrës. Në jug-lindje kufizohet me bashkinë Dibër, në jug me bashkinë Mat dhe Kurbin ndërsa në jug-perëndim me bashkinë Kurbin. Qendra e bashkisë është qyteti i Rrëshenit.
Bashkia Mirditë përfshin 4 qytete dhe 81 fshatra, të shpërndara në 7 njësitë administrative përbërëse të saj: Rrësheni, Rubiku, Selita, Kthella, Fani, Oroshi dhe Kaçinari. Bashkia është pjesë e qarkut Lezhë.
Klima është mesdhetare kodrinore, paramalore e malore. Bimësia është mjaft e pasur dhe përbëhet nga shkurre, dushqe, pyje të përzier, ahishte e kullota malore. Bimët mjekësore janë mjaft të përhapura. Nga pikëpamja fizike territori karakterizohet nga formacione malore, lugina, pllaja, fusha dhe fushëgropa. Lartësia mesatare shkon 557 m mbi nivelin e detit, ndërsa maja më e lartë është Mali i Dejës 2121 m. Territori përshkohet nga lumenjtë Fani i Madh, Fani i Vogël, Uraka. Këta lumenj si dhe përrenj të tjerë malorë, kanë jo vetëm kapacitete prodhuese energjetike, por edhe për kultivimin e faunës ujore.
Zona ka profil ekonomik kryesisht bujqësor dhe blegtoral, ndërkohë që vreshtaria po kthehet në një aktivitet mjaft të përhapur, duke krijuar kushte shumë te mira për zhvillimin e agrobiznesit e agroturizmit.
Ka pasuri të mëdha nëntokësore, veçanërisht bakër, pirit, krom, të cilat sollën krijimin e katër qyteteve te lidhura me industrinë minerare. Pjesa më e madhe e kësaj industrie aktualisht është jashtë funksionit. Kjo është një nga arsyet që Mirdita shënoi një ndër nivelet më të larta të migrimit të brendshëm si dhe të emigrimit përgjatë 25 viteve të fundit.
Për arsye se sipërfaqja e pyjeve në bashkinë e Mirditës është 10 herë më e madhe se fondi i tokës bujqësore, problemet ekologjike të zonës, janë kryesisht të lidhura me pyjet.
Trashëgimia kulturore dhe etnografike është e larmishme dhe unike.
Pas ndërtimit të autostradës A1, Mirdita mori rëndësi si rrugë kalimi dhe si porta natyrore hyrëse për në Kosovë. Ndërtimi i Rrugës së Kombit megjithëse përmirësoi volumin e lëvizjes dhe cilësinë e udhëtimit, solli një impakt modest për zhvillimin social-ekonomik të zonës, e cila ka nevojë për impulse të reja zhvillimi.
Ekonomia
RedaktoNxitja e gjallërimit të potencialeve të brendshme të zhvillimit në zonat e varfra dhe periferike nëpërmjet procesit të programimit sipas zonave funksionale, qasja sipas kontekstit specifik, ndërhyrjet e integruara, përfshirja e grupeve të interesit publikë e privatë përbëjnë disa nga parakushtet bazë për realizimin e një zhvillimi të qendrueshëm ekonomik e social.
Duke u nisur nga këto parime, për Bashkinë Mirditë, së pari u identifikuan drejtimet dhe dimensionet e zhvillimit të saj. Bashkia përfshin 7 njësi administrative: Rrësheni, Rubiku, Selita, Kthella, Fani, Oroshi dhe Kaçinari.
Të dhënat tregojnë se lëvizje të mëdha demografike zhvendosëse kanë ndodhur në të gjithë bashkinë. Këto lëvizje kanë të gjitha kah negativ dhe shënojnë largim dhe ulje të popullsisë në drejtim te zonave të mëdha urbane dhe jashtë vendit. Kjo ulje e popullsisë në rang bashkie arrin në 40.35%. Gjithashtu si pjesë e Qarkut Lezhë, Bashkia e Mirditës ka numrin më të ulët të banorëve për njësi në rang qarku.
Ndryshime shumë të mëdha strukturore kanë ndodhur në ekonomi, duke e përkeqësuar zhvillimin e zonës. Para viteve ‘90, profili ekonomik lidhej me industrinë e shfrytëzimit të pasurive nëntokësore, kryesisht bakër, pirit, krom dhe numri i punëtorëve në industrinë minerare arrinte në 12000.
Punësimi në Bashkinë Mirditë është një problem i mprehtë. Ndryshimet strukturore në ekonominë lokale, mungesa e një infrastrukture moderne, mosshfrytëzimi i potencialeve në bujqësi, blegtori, turizëm, pylltari, shërbime etj. kanë sjellë një nivel të papunësisë 25%.5
Sipas Censusit (2011), popullsia e aftë për punë arrin shifrën 14664 persona, ose 66.3% e popullsisë së bashkisë, ku meshkujt dhe femrat zënë një përqindje të barabartë 50%. Për muajin shtator 2015, sipas të dhënave të zyrës vendore të punësimit të bashkisë, numri i punëkërkuesve të papunë për popullsinë e moshës 15- 64 vjeç, arrin në 2201 persona. 49.5% ose 1090 persona janë gra. Për të rinjtë e moshës 15-29 vjeç numri i të papunëve arrin në 531 ose është 24.1% i të punëkërkuesve të papunë. Grupmosha që shënon numër më të lartë të papunësisë është ajo e popullsisë mbi 50 vjeç me 30.3% te punëkëruesve të papunë.
Nga punëkërkuesit e papunë 5.6% përfitojne pagesë papunësie, ndërsa 46.1% përfitojnë ndihmë ekonomike. Gjithashtu vihet re se sipas nivelit arsimor, papunësi më të lartë shënon grupi i popullsisë me arsim 9 vjeçar, ndjekur nga grupi i popullsisë me arsim të mesëm të përgjithshëm. Papunësi e lartë shënohet tek komuniteti rom, kryesisht për shkak të nivelit të ulët arsimor ku gratë zënë rreth 60%. Punëkërkuesit e papunë afatgjatë përbëjnë shumicën e punëkërkuesve të papunë dhe këtu mbizotërojnë të papunët meshkuj me 50.5%.
Një problem social i evidentuar nga intervistat me grupet e interesit është edhe punësimi i personave PAK, të cilët e gjejnë veten të paintegruar në tregun e punës. Moszbatimi i klauzolave të Ligjit Nr. 107/2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit” në lidhje me barrierat arkitektonike shkakton përjashtimin e mëtejshëm social të tyre. Përsa i përket mbrojtjes sociale të PAK, sipas te dhënave nga Bashkia Mirditë të muajit shtator 2015, 1117 persona përfitojnë pagesa paaftësie dhe kompensim të energjisë elektrike, prej te cilëve 945 të paaftë, të verbër, para e tetraplegjikë dhe 766 persona si invalidë pune.
Megjithëse pranë bashkisë janë ngritur njësia e mbrojtjes së fëmijëve, sektori i barazisë gjinore dhe ai kundër dhunës në familje, ekzistojnë probleme të mëdha të shfrytëzimit të të miturve për qëllime lypje, prostitucioni etj. Mungojnë qendrat për mbrojtjen dhe trajtimin e grave dhe fëmijëve të dhunuar e të trafikuar, si edhe qendrat ditore për moshën e tretë dhe personat PAK. Gjithashtu nga intervistat me grupet e interesit janë evidentuar probleme që lidhen me dhunën në familje. Strehimi është një problem i rëndë social për shkak të varfërisë dhe mundësive të pakta të gjetjes së një pune.
Duke ju referuar shpërndarjes së të punësuarve sipas aktiviteteve ekonomike në % , në qendrat urbane numri më i madh i të punësuarve shënohet në aktivitetet e shërbimeve, të ndjekur nga tregtia me shumicë e pakicë, bujqësia, pylltaria e peshkimi si dhe industria. Në zonat rurale dhe njësitë periferike, bujqësia, pyjet dhe peshkimi të ndjekura nga shërbimet shënojnë aktivitetet ekonomike me më shumë të punësuar.
Mundesoi: Saimir Kola
- ^ "Bashkia Mirdite - Webfaqja zyrtare". Arkivuar nga origjinali më 3 qershor 2018. Marrë më 18 korrik 2018.
{{cite web}}
: Mungon ose është bosh parametri|language=
(Ndihmë!)