Bashkim Trenova
Bashkim Trenova ka lindur më 28 mars 1943 në Sevaster të Vlorës. Në vitin 1966 mbaron studimet në Fakultetin Histori – Filologji, Dega Histori – Gjeografi. Pas studimeve nis menjëherë punën si redaktor në Drejtorinë e Jashtme të Radio Tiranës. Në vitet 1972 – 1975 punon si baterist dhe motorist në Ofiçinën e Automjeteve të Ndërtimit. Në vitin 1975 kalon si gazetar në Sektorin e Jashtëm në "Zëri i Popullit", ku punon deri në vitin 1983 duke qenë edhe përgjegjës i këtij sektori. Në vitet 1984 – 1990 emërohet dhe punon si Kryetar i Degës së Botimeve pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shtetit.
Në vitet 1991 – 1994 kalon si gazetar dhe më pas si kryeredaktor i gazetës "Rilindja Demokratike". Gjatë vitit 1994 – 1995 ka kaluar në Ministrinë e Jashtme si Drejtor i Drejtorisë së Shtypit dhe zëdhënës i kësaj Ministrie. Në qershorin e vitit 1995 deri në shtatorin e vitit 1997 ka qenë emëruar si ambasador i Shqipërisë pranë Mbretërisë së Belgjikës dhe Dukatit të Luksemburgut.
Është bashkautor i vëllimit dokumentar "Heronjtë e Luftës Antifashise Nacionalçlirimtare", autor i vëllimit dokumentar për përdorim të brendshëm "Shtetëzimi, konfiskimi dhe sekuestrimi i pronës private nga shteti në vitet 1945 – 1948", si dhe autor i pjesë për teatër "Çmenduristan".Në vitin 2012 ka botuar "Armiqtë e Popullit"-Kujtime dhe "Heronjtë e Popullit"-Refleksione.Në vitin 2014 ka botuar komedinë dramatike "Vive les Morts!", në vitin 2016 ka botuar kujtime "La coupole rouge", në Francë, në Shtëpinë Botuese Christophe Chomant Edition.
Jeton me familjen në Belgjikë.