Bashkimi (BISHZ)
Revista shkencore, kulturore, artistike dhe sportive "Bashkimi" (BISHZ) (Bashkimi i intelektualëve shqiptarë në Zvicër), hap një rrugë të re për hulumtuesit dhe zhvilluesit shqiptarë si dhe të tjerë të cilët merren me hulumtime dhe analiza në fushat e shkencave natyrore dhe shoqërore. Përveç punimeve shkencore, profesionale, recensuese dhe njoftimeve të rëndësishme, në revistë do të përfshihen posaçërisht artikuj të cilët në mënyrë profesionale e shkencore do të afirmojnë kulturën shqiptare në Zvicër dhe më gjërë si dhe artikuj me tema të zgjedhura nga fushat e artit dhe të sportit.
Duke marrë parasysh që këtu ende ndodhen shumë shqiptarë dhe vetë fakti që kjo revistë po botohet në Zvicër, tregon që shqiptarët këtu janë dhe në të ardhmen do të jenë faktor i rëndësishëm për ngritjen intelektuale, materiale dhe ekonomike të Kosovës në drejtim të teknologjive të reja.
Numri i parë i revistës përbëhet nga 6 punime dhe një njoftim. Punimi i parë është nga fusha e telekomunikacionit me theks të veçantë në modelimin e sistemit të komandimit të rrjetit telekomunikues me ndihmën e bazave të të dhënave. Punimi i dytë është zgjedhur nga fusha e mjekësisë në të cilin jepen të dhëna interesante dhe krahasuese, nga mjekësia alternative dhe nga akupunktura. Dy punimet nga fusha e kulturës, i pari përpunon esenë „Gjarpërinjtë“, ndërsa i dyti paraqet përkthimin e punimit të Cesare Baccare “An Essay on Crime and Punishements”. Punimi i pestë është zgjedhur nga fusha e artit me theks të veçantë në figura të shquara të artit shqiptarë. Punimi i gjashtë është nga fusha e sportit dhe trajton lidhjën e sportit me shkencën. Në pjesën e njoftimit shkurtimisht është bërë paraqitja dhe aktiviteti i gjerëtanishëm i BISHZ-së.