Në fillim të muajit prill 1944 Batalioni “Naim Frashëri” pasi kreu me sukses operacionin për pastrimin e zonës së Plashnikut (Berat) dhe Mallakastrës deri në afërsi të Fierit nga nazistët gjermanë dhe bashkëpunëtorëve të tyre, u kthye me pushime në qytetin e lirë të Përmetit, por të zhuritur nga pushtuesit e egër. Për ditët që qëndronim këtu ushqimin na e siguronte Komanda partizane e Vendit, ndërsa natën flinim në shtëpitë e qytetarëve pasi beteja të reja më të ashpra na prisnin përpara. Në këtë kohë Skrapari, Kolonja, Përmeti, Tepelena, Mallakastra, Konispoli, Lumi i Vlorës, Zona e Pezës dhe e Martaneshit etj. ishin nën kontrollin e forcave partizane.

Në prill 1944 me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm të U.N.C.SH. Brigada e 5-të S. që ishte e dislokuar në Lumin e Vlorës dhe bregdetin e Himarës, do të vendosej në zonën kufitare Përmet-Leskovik-Kolonjë për të siguruar Kongresin e Përmetit vendimet e të cilit patën rëndësi historike për zhvillimin e mëtejshëm të luftës për çlirimin e vendit. Po me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm, zëvendësimin e Brigadës së 5-të e bëri Brigada e 6-të S. Batalioni “Naim Frashëri”, që ishte inkuadruar në Brigadën e 6-të S. mori urdhër nga komanda e brigadës për të lëvizur nga Përmeti e për t’u dislokuar në Lumin e Vlorës.

marshimin për në Lumin e Vlorës e filluam në 10-ditëshin e parë të muajit prill 1944 dhe udhëtimin ashtu si gjithmonë e bëmë në këmbë të veshur e të mbathur keq, herë të ngrënë dhe herë pangrënë. Gjatë udhëtimit ushqimi ynë moral ishin këngët e mirënjohura partizane, të cilat na frymëzonin për kalimin e vështirësive. Këngët më të preferuara ishin “Bashkohi shok me ne në cetë”, “Pararoja”, “Në ato maja rripa- rripa”, “Dalëngadalë po vjen behari” etj.

U nisëm nga Përmeti dhe udhëtuam për në Pacomit. Këlcyrë, Luzat, Bëncë, Progonat. Kemi ngjitur një brinjë shumë të thepisur dhe pas shumë vështirësish dhe lodhje raskapitëse kemi dalë në Lekdush në vendlindjen e Mustafa Matohitit në Rexhinë, pastaj kemi udhëtuar në një grykë shumë të thellë me male nga të dy anët në dy fshatra afër e afër ku shihje vetëm një copëz qiell. Kjo ishte gryka e fshatit Vërnik , pra kishim hyrë në zonën e Vlorës

Gjatë marshimit fshatrat që përmendëm ishin djegur e përvëluar nga fashistët italianë dhe nazistët gjermanë. Atje kishim improvizuar disa vende për të fjetur, vecse na mungonte ajo më elementarja, buka, pa bërë fjalë për ushqimet e tjera, por fshatarët me bujarinë e tyre të rrallë në ato kohë aq të vështira, na prisnin dhe na përcillnin me buzë në gaz si bijtë e tyre dhe e ndanin kafshatën e bukës me neve. Vlen për t’u theksuar se ne partizanët hanim cfarë të na jepnin, bukë e qepë, por edhe bukë thatë sepse dallonim shumë nga ballistat, që kërkonin raki, mish të pjekur dhe bakllava e revani si ë filmin “I teti në bronz”.

Në Lumin e Vlorës përbri nesh në sektorin Pllocë -Vajzë vepronte Batalioni i 3-të i Brigadës së 6-të S. Batalioni i saj “Naim Frashëri” përbëhej kryesisht nga përmetarë me përjashtim të kompanisë së 4-të që shumica e partzanëve ishin camër nga zona e Konospolit dhe nga pjesa e Camërisë në Greqi.

Aty nga data 10 qershor 1944 filloi operacioni gjerman dhe i shërbëtorëve të tyre për të asgjësuar forcat partizane ashtu si në gjithë Shqipërinë e Jugut edhe në Lumin e Vlorës. Kundër forcave tona të Brigadës 6-të S. ata hodhën 6 batalione gjermane (pa llogaritur mercenarët ballistë) të armatosur deri në dhëmbë, me armët më moderne të kohës, ndërsa ne ishim më inferiorë si në forca ashtu edhe në armatim. Por ne kishim atë që nazistët, dhe aq më tepër mercenarëte tyre, nuk e kishin, pra ne kishim moralin dhe heroizmin partizan, që spikati ndjeshëm, ashtu si kudo edhe në këtë operacion. Ne ishim gati të sakrifikonim gjithcka deri atë që është më sublime për njeriun, jetën, sepse ne e kishim të qartë përse luftonim dhe sakrifikonim, lirinë e popullit, që ishte ideali partizan.

Batalioni ynë luftoi dhëmbë për dhëmbë me armikun në Gjorm, Brataj, Vranisht dhe Kallarat. Luftime të ashpra u zhvilluan tek përroi i Sorrollakut (Brataj) ku gjermanët sulmuan këtu me qëllim që të kalonin në fshatin Tërbac dhe të dilnin në prapashpinën tonë, por plani i tyre dështoi me disfatë sepse kjo u arrit në sajë të rezistencës sonë. Në Brataj u vranë me dhjetra ushtarë gjermanë, ndërsa nga ana jonë asnjë. Propaganda naziste i kishte droguar jashtë mase ushtarët, kështu ata që u vranë në Brataj, midis sendeve të tjera kishin edhe letërkëmbimet me familjet, por ajo që të binte në sy në këto ishte në krye të tyre sigla e verbër “Halt Hitler”.

Luftime të ashpra u zhvilluan në Vranisht. Këto luftime mund të themi pa e tepëruar që ishin kulmi i luftimeve që zhvilloi Batalioni “Naim Frashëri” në Lumin e Vlorës dhe që ia ngriti më lart lavdinë. Në Vranisht kemi mbërritur më 20 qershor 1944 në mbrëmje dhe kemi zënë luftime në përroin e Kaurit, në rrahun e Stratit në pozicionet që ishin të bëra që nga lufta Italo-Greke (1940-1941). Këtu në mbrëmje itendentët na dhanë nga një grusht mish kutie të thatë nga ai që hidhnin aleatët, por pa bukë. Për karshi nesh në disa luadhe erdhën gjermanët të maskuar. Ata kishin dyshuan mos kishte partizanë në kodër dhe për ta verifikuar nxorrën një patrullë me një tricikël, kaluan përroin në rrugën automobilistike (Vlorë-Kuc) Ne i lamë e nuk bëmë asnjë veprim, tricikli u kthye përsëri në vendin e nisjes. Më datën 21 qershor 1944, në mëngjes herët filloi zjarri i artilerisë gjermane, me topa e mortaja, kundër pozicioneve tona. Pasi pushoi zjarri i artilerisë, gjermanët na sulmuan me kapadaillëk, ashtu sic luftonin ata më këmbë, me këmishë e mëngë të shkurtëra dhe pantallona të shkurtra, automatikun përpara në gjoks, por ata ndeshën në qëndrimin tonë heroik dhe të vendosur. Në orët e para të luftimeve nga skuadra ime u plagos partizani trim Ali Nushi nga Lopësi, nga Camëria. Unë me një partizan tjetër e shoqëruam për në fshatin Kallamat dhe prej aty u dërgua në spitalin partizan. Aliu u plagos në gjoks nga një predhë pushke, e cila ka veti që vendin nga del e hap shumë. Afër dreke jemi kthyer përsëri tek shokët ku në atë kohë gjermanët ishin tërhequr dhe na sulmuan përsëri pasdite. Në këtë betejë të përgjakshme nga ana e armikut u vranë me dhjetra, por numëri i saktë nuk dihet pasi ata të vrarët i tërhiqnin dhe i transportonin në prapavijën e tyre, kurse nga ana jonë ranë heroikisht komandanti i kompanisë së 3-të Sejat Muraj nga Mërtinji dhe partizani Ilia Stavro nga Përmeti, të cilët do të mbeten të paharruar në jetë të jetëve.

Në luftimet që u zhvilluan në Lumin e Vlorës ashtusi kudo gjetkë, mori pjesë edhe populli i asaj zone, burra e gra, gratë na furnizonin me bukë, ujë e municion. Këtu po sjell një shembull kuptimplotë të asaj ndihmese atdhetare të atij populli heroik. Kur ishim të pozicionuar në një kreshtë me gurë të mëdhenj, midis Bratajt dhe Tërbacit, gjermanët na qëllonin me artileri nga Lepenica. Para pozicionit tim më bie një predhë topi, por ajo për fat nuk plasi, si duket ka qenë e sabotuar nga punëtorët antifashistë. Një predhë tjetër bie në shpinën time, por për fat të mirë shpëtoi Komandanti i Brigadës 6-të Tahir Kadareja, i cili ishte nën një gorricë, por ajo që desha të theksoj është se po një nga ato predha që binin pa pushim vranë një fshatar nga Tërbaci, i cili po na sillte bukë. Poeti anonim popullor për të përjetësuar luftimet e Brigadës të 6-të S. në Lumin e Vlorës ka thurrur këto vargje :

Në Ramicë u zu topeja
Plot me gjak u mbush xhadeja
Fshati Brat në hartë
Sokëllin Brigatë e 6-të
…..
Rrahu i Stratit si Bezhani
E qëllon me top gjermani
Po nuk tundet partizani.

Vlen të theksohet se në luftimet që zhvillonte batalioni ynë, një meritë të vecantë ka borizani dëshmor Naun Thomollari nga Kutali i Përmetit, i cili me notat e borisë së tij na bënte me të vërtetë heronj me fletë dhe hidheshim mbi gjermanë e mercenarë me thirrjen “Para partizanë” që i lemeriste nazistët gjermanë, por më tepër mercenarët.

Në shpinën tonë forcat gjermano-mercenare kishin përparuar ndaj unaza e rrethimit ishte ngushtuar. Komanda e Brigadës dha urdhër që të cahej me cdo kusht rrethimi dhe t’i dilej armikut mbas shpine. Në këto rrethana u tërhoqëm nga Kallarati dhe mbrritëm në mbrëmje në grykën e Kucit, që ishte një grykë goxha e madhe. Syri nuk të zinte gjë tjetër vecse gurë të bardhë. Këtu u grumbulluan dy batalione të Brigadës VI dhe disa forca të Brigadës XII S. dhe fshatarë nga zona e Tepelenës dhe Mallakastrës që transportonin materiale luftarake të aleatëve në Porto Palermo. Zalli bardhë nxinte nga njerëz dhe kafshët. Ne gjendeshim ashtu të pangrënë vetëm me një grusht patate.

Të nesërmen në mëngjes herët, më 26 qershor 1944, u ndamë në grupe për të carë rrethimin dhe për t’i dalë mbrapa shpine armikut. Pastaj filluam t’i ngjiteshim malit përpjetë ku nuk kishte asnjë rrugë në atë mal të thepisur. Në mbrëmje ndezëm një zjarr në një gropë sa për t’u tharë nga shiu i ditës. Në mëngjes herët u ngritëm mbasi udhëtuam për një kohë rrugë e pa rrugë dhe dolëm në një luginë në të djathtë të fshatit Golem (Gjirokastër) ku u takuam me forcat e tjera të batalionit tonë dhe vazhduam rrugën e vështirë. Në mbrëmje mbërritëm në një përrua me ujë të ftohtë mbi fshatin Zhulat (Gjirokastër). Itendentët kishin siguruar disa mishra dhish, të cilat i therrëm i poqëm keq e mos më keq, i ndamë në racione dhe i hëngrëm pa bukë.

Këtu përfunduan luftimet e batalionit tonë në Lumin e Vlorës ku nazistët dhe ata që u shërbenin atyre dogjën, plackitën, vranë dhe masakruan gra, pleq e fëmijë. Ky operacion kishte si qëllim asgjësimin e ushtrisë partizane të L. ANC, por ajo jo vetëm nuk u asgjësua, por u rrit në numër dhe u krijuan formacione të reja si Divizione dhe Komparmata, të cilat u hodhën në mësymjen e madhe vendimtare për çlirimin e plotë të qyteteve dhe të gjithë vendit.