Besim Fagu lindi në qytetin e Tiranës në vitin 1925 dhe vdiq në vitin 1999. Fill pas luftës, ku ai ishte inkuadruar partizan, u lidh përjetësisht me ushtrinë dhe sportin. Ai është padyshim një nga lojtarët e rrallë jo vetëm në Shqipëri, por edhe më tej për numrin e madh të kampionateve të fituara me një skuadër. Besimi ka luajtur për klubin e kuq për 12 vite rresht. Mbrojtësi shtatlartë i “Partizanit” do ta mbyllte karrierën e tij të suksesshme me tre tituj rresht në 1957, 1958 dhe 1959, duke e çuar në shtatë numrin e trofeve me “Partizanin”. Gjatë kësaj periudhe, përveç shtatë titujve, Besim Fagu ngriti edhe katër herë Kupën e Shqipërisë. Gjithashtu Besim Fagu ka qenë pjesë e trofeut të vetëm ndërkombëtar të Shqipërisë pasi fitoi Kupën Ballkanike me kombëtaren në 1946. Ai është themeluesi dhe drejtuesi për shumë vite i klubit sportiv “Partizani”, një ndër klubet më me emër në historinë e sportit shqiptar.