Beteja e Petrinjës

This is the stable version, checked on 29 prill 2013. 2 pending changes await review.


Popullsia e fshatrave rreth Liqenit të Ohrit, u bashkua me kryengritësit që vinin nga Dibra. Në Strugë e rrethina u krijuan çetat kryengritëse, si ajo e Avdulla Gojëdrinit, Demir Lenës, Riza Ajros e të tjera. Kryengritësit mbajtën një tubim historik tek vendi që quhet "Plepat e Teferiçit", ku morën pjesë përfaqësuës nga Ohri, Prespa e Struga, midis tyre edhe Milan Mato nga Struga, Riza Ajro, Demir Lena dhe Emro Sinani, nga Ladorishti. Komandant u zgjodh Riza Ajro dhe nënkomandant Demir Lena

Rizai u thotë të tubuarve: "Duhet t'i biem serbit. Dibra e ndoqi deri në Strugë, ne duhet ta ndjekim më tutje". Demir Lena, që kishte mbledhur shumë luftëtarë dhe që disa prej tyre nuk ishin të armatosur, iu përgjegj: "S'kemi armë dhe fishekë". "Më duket se u trembe, Demir!"- i tha Rizai. Demiri që ishte më tepër ushtarak dhe e kishte mbajtur kurdoherë dogranë majë krahit, ia priti: "Me serbin nuk luftohet me fjalë. T'i gjejmë armët njëherë, se për këtë ditë na duhen, mandej nisemi". Dhe kështu bënë. Fshatarët i nxorrën armët e municionet e fshehur, kush një kollan e kush një torbë me fishekë dhe u gatitën për luftë. Njësia e armatosur e mori emrin Taborri i Strugës.(gabim:taborri i struges u themelua ne 10 mars te 1914 ne pogradec nga Demir Lena) Luftëtarët u hodhën në ndjekje të regjimentit XVI të ushtrisë serbe dhe çliruan krejt trevën e Strugës dhe të Ohrit.

Serbia mobilizoi forca të mëdha ushtarake të regjimenteve IX, XI dhe XVII me mëse 60.000 ushtarë dhe sulmoi në tre drejtime: Prizren-Lumë; Tetovë-Gostivar-Mavrovë-Dibër; Manastir-Resnjë-Ohër-Strugë.

Shqiptarët u organizuan për mbrojtje. Qeveria e përkohshme e Dibrës caktoi komandant të mbrojtjes në trevën e Strugës, Milan Maton. U bënë disa luftime të përgjakshme. Por beteja më e madhe ishte ajo e Petrinjës.

Në këtë mal zunë vend forcat kombëtare me çetat e Irfan bej Ohrit, Milan Matos, Riza Ajros, Demir Lenës, Dan Canës e të tjera. Këto forca mbështeteshin nga Prefekti i Elbasanit, Aqif pashë Elbasani. Forcat e ushtrisë serbe sulmuan në të gjithë vijën e frontit, pasi gjuajtën me artileri. Beteja u zhvillua e ashpër nga data 28 shtator deri më 2 tetor 1913.

Luftimet më të përgjakshme u bënë në Qafën e Bukovës, ku ishte vendosur çeta e Demir Lenës. Këtë qafë donin ta merrnin me çdo kusht serbët, por Demir Lena dhe luftëtarët e tij qëndruan trimërisht për pesë ditë e net resht. Ndërkohë, ushtrisë serbe i erdhi në ndihmë një forcë e re. Po Demir Lena me ladorishtarët nuk u thye. Çdo plumb i tyre binte në shenjë. Ditën e pestë të betejës, luftëtarëve iu mbaruan municionet. Demir Lena kishte pasur të drejtë. Ushtria serbe e armatour rëndë mundi ta shpërthente mbrojtjen në Petrinjë në 2 tetor. Luftëtarët shqiptarë u tërhoqën gjatë natës. Prej tyre, mbetën të vrarë shtatë burra ladorishtarë:

Baftjar Ajro, Nurimehmet Hoxha, Elez Ajro, Halil Klenja, Bilal Çollaku, Maksut Ajro dhe Zylyftar Klenja.

U plagosën: Riza Ajro, Demir Lena, Hamza Coma, Banush Coma e mjaft të tjerë.

Nga ushtarët serbë u vranë rreth 500-600 vetë.

Kryengritësit u tërhoqën drejt Strugës dhe zunë vend në vijën Vishnje-Belicë-Ladorisht- Rajcë. Demir Lena, i plagosur në bark, kaloi me mundim me pak shokë nga Shën Naumi dhe doli në Pogradec, në shtëpinë e patriotit të shquar Jashar bej Starova, ku u mjekua dhe u bashkua sërish me luftëtarët e tjerë në Ladorisht. Më 2 tetor u zhvilluan luftime afër Salikes dhe në fshatin Ladorisht. Ladorishtarët e vazhduan luftën deri në datën 7 tetor. Gjatë qëndresës u vranë shumë prej tyre. Te Gryka e Merasë, afër plepave, serbët therën shumë banorë të fshatit dhe i hodhën në hendek si Bilal Çollakun, Maksut Ajron, Zylyftar Klenjën e të tjerë. Hajdar Ajron, serbët e prenë me sopatë në Strugë. E motra me bashkëshortin e saj, e morën në një thes dhe e varrosën në kopshtin e Demir Ajros.

Hakmarrja serbe kundrejt luftëtarëve dhe familjeve të tyre ishte e tmerrshme. Një genocid i përgjakshëm dhe një spastrim etnik i paparë. Në ditët e para të tetorit 1913, mbreti i Serbisë, Pjetri, lëshoi një dekret që meshkujt shqiptarë nga 7-70 vjeç të likuidoheshin për pjesëmarrje në kryengritje.

Në Ohër, 40 qytetarët më të njohur, i therrën dhe i hodhën në pusin e kalasë, që u quajt "Pusi i gjakut". Fshati Bukovë u zhduk nga faqja e dheut. Në Strugë vranë e burgosën pa gjyq me qindra shqiptarë, që kishin marrë pjesë në kryengritje, por edhe njerëz të pafajshëm. "Dora e zezë" dhe "Narodna Odbranes" bënë kërdinë tek shqiptarët e pambrojtur.

Ja ç'shkruan në një letër drejtuar familjes një ushtar serb:

"Këtu ndodhin gjëra të tmerrshme. Mua më rriqethën flokët dhe gjithnjë pyes veten: a mund të jetë njeriu kaq barbar? Kjo është e lemerishme. S'guxoj dhe nuk kam kohë të shkruaj më gjerësisht. Kudo kufoma, hi dhe pluhur. Ka fshatra me 100, 150 e 200 shtëpi, ku nuk ka mbetur njeri i gjallë. I mbledhin njerëzit grupe-grupe dhe i masakrojnë me bajoneta…"

Sipas të dhënave statistikore që jep Komisioni Ballkanik, shpërnguljet e dhunshme të shqiptarëve nga trojet e tyre janë alarmante. Vetëm për në Selanik u shpërngulën 135.000 vetë. Për në Shqipëri e Turqi edhe më shumë. Për në Bullgari 50.000. U shkretuan 180 fshatra me 10.934 shtëpi.

Koloneli austro-hungarez, Mitzel, anëtar i komisionit të caktimit të kufijve lindorë e verilindorë, në ditarin e tij të datës 29 tetor 1913, shkruan: "Në fshatin Ladorisht, komisioni për caktimin e kufijve u ndal aty nga mesi i tetorit 1913, kur para syve të anëtarëve të komisionit u shfaq një pamje e tmerrshme: Nga 320 shtëpi që ka pasur Ladorishti, 300 prej tyre ishin djegur nga serbët dhe nga 1500 banorë që ka pasur ky fshat, kishin mbetur vetëm 100 vetë" (nga Ditari i kolonelit Mitzel, dt. 29 tetor 1913. AIH.)

Pjesa më e madhe e luftëtarëve të Taborit të Strugës kaluan në Shqipëri. Demir Lena me shokë shkuan në Bërzeshtë të Librazhdit dhe u vendosën në shtëpinë e atdhetarit Shaban Blloshmi, mik i Demir Lenës. Ndërsa, Riza Ajro emigroi në Turqi, ku edhe vdiq në vitin 1938. Theksojmë këtu edhe rolin tradhëtar të Esat Toptanit, mbështetës i pushtuesve serbë, me të cilët ishte në marrëveshje. Ai ktheu 13 burra nga treva e Strugës, që kishin kaluar në Shqipëri dhe ua dorëzoi autoriteteve serbe, që pasi i torturuan, i dogjën të gjallë.