Biblioteka e Akademisë së Shkencave
Biblioteka e Akademisë së Shkencave e Shqipërisë është krijuar në vitin 1972, njëherazi me krijimin e Akademisë së Shkencave. Biblioteka e Akademisë ka karakter special. Ajo kryen një shërbim me cilësi të lartë për kërkimin shkencor, duke zhvilluar dhe ofruar një informacion të gjerë dhe shumëdisiplinor jo vetëm në gjuhën shqipe, por edhe në gjuhë të tjera. Konsiderohet si qendra kryesore e informimit të mirëfilltë shkencor në Shqipëri. Biblioteka ka një trashëgimi prej rreth 65 000 vëllimesh dhe shumë periodikë, të cilët mbulojnë të gjitha subjektet e kërkimit shkencor.
Materiali është kataloguar sipas Klasifikimit dhjetor (KDU) dhe rregullave anglo-amerikane të katalogimit (AACR2). Në BASh është instaluar programi CDS/ISIS dhe ka filluar katalogimi i automatizuar i hyrjeve të reja. Shumë shpejt kjo bibliotekë do të ketë shërbimin e shfrytëzimit të katalogut elektronik (on-line). BASh është anëtarësuar në IFLA dhe bashkëpunon, sidomos në sektorin e shkëmbimit bibliotekar, me shumë biblioteka në botë. Ajo boton një buletin periodik të hyrjeve të reja, dhe është qendër e organizimit të seminareve dhe takimeve të ndryshme me karakter shkencor. Biblioteka e Akademisë së Shkencave është njësia bazë për dhënien e informacionit të duhur mbi produktivitetin shkencor teknologjik dhe gjithçka të re, në lidhje me anëtarët e Akademisë: në organet qendrore, në institucionet qeveritare, në ato kërkimore shkencore, në universitete, në subjektet e interesuara shtetërore e private si dhe në shoqërinë civile. Ajo kryen të gjithë korrespondencën në lidhje me shkëmbimet e literaturës, brenda dhe jashtë vendit. Në kuadër të projektit ERA2012 (Burimet elektronike për Shqipërinë) biblioteka organizon akses në një gamë të gjerë të burimeve elektronike me text të plotë me cilësi të lartë.