Biblioteka e universitetit të arteve
Biblioteka e universitetit të arteve është biblioteka më e madhe dhe më e vjetra e artit në Shqipëri. Ajo është një bibliotekë universitare, unike, dhe ndihmon në mënyrë të drejtpërdrejtë në formimin e artistëve të rinj.
Misioni i saj është mbështetja e proçesit mësimor, edukativ dhe artistik, duke u shërbyer studentëve dhe pedagogëve të universitetit të arteve, ashtu si edhe kërkuesve e artistëve nga institucione të ndryshme të artit dhe shkollave artistike kudo që janë në Shqipëri.
Biblioteka është krijuar në vitin 1966, vit në të cilin u krijua Instituti i Larte i Arteve, sot Universiteti i Arteve. Fondi fillestar i saj ishte ai i Bibliotekës së Konservatorit Shtetëror të Tiranës, Shkollës së Arteve të Bukura, dhe Shkollës së Lartë të Aktorëve “Aleksandër Moisiu" si dhe me dhurime nga shoqata dhe dashamirës të artit.
Në fondet e saj disponon materiale të shumëllojshme si libra, parte, dorëshkrime, dizertacione, diploma, periodike, referenca, materiale audiovizuale, literature elektronike, etj. Fondi i Bibliotekës së Universitetit te Arteve përmban rreth 45,000 vëllime. Pjesa më e madhe e fondit është unikale.
Koleksionit i bëhet përpunimi shkencor bibliografik konform standardeve ndërkombëtare duke përdorur Rregullat Anglo - Amerikane të Katalogimit AACR2 (Anglo-American Cataloging Rules), Sistemi Decimal i Klasifikimit, UDC (Universal Decimal Classification), Rregullat Ndërkombëtare të Përshkrimit Bibliografik, ISBD (International Standard Bibliographic Description). Materialet e koleksioneve mund të kërkohen nëpërmjet skedarëve alfabetikë dhe sistematikë, bibliografive dhe listave bibliografike në formë elektronike të cilat ju dërgohen përdorueseve të bibliotekës edhe nëpërmjet postës elektronike si dhe nëpërmjet katalogut online .
Është krijuar katalogu online nëpërmjet aplikimit të sistemeve me bazë "kod në burim të hapur", katalog i cili mund të aksesohet kudo nëpërmjet sitit zyrtar të Universiteti të Arteve.
Është krijuar arkiva digjitale institucionale ku ruhen në format elektronik koleksionet speciale që disponon Biblioteka. Janë krijuar koleksione digjitale përkatëse sipas tre fakulteteve:
Fakultetit të Muzikës: Koleksioni i dorëshkrimeve/ Koleksioni i shiritave të kthyera në digjitale/ Muzika botërore/ Muzika shqiptare/ Tezat teorike të studeteve universitar dhe pasuniversitar/ Biografitë e personaliteteve të Muzikës/ Saxhot dhe mbrojtjet e diplomave të studentëve etj.
Fakulteti i Artit Skenik: Dramat e vjetra/ Biografitë/ Tezat teorike të studeteve universitar dhe pasuniversitar/ Biografitë e personaliteteve të artit skenik/ Punët artistike të studenteve të UART
Fakulteti i Arteve të Bukura: Biografitë/ Ekspozitat e pedagogeve dhe studentëve/ Punimet teorike/ Punët e studentëve për mbrojtjen e diplomave etj.