Bjeshkët e Tërbunit dhe Kushnetit janë bllok malor në anën jugperëndimore të rrethit të Pukës, me lartësi 1476 m (maja e Suçelit). Shtrihen midis luginës së Fanit të Madh në lindje, luginës së Gomsiqes në veri dhe pellgut të Kalivaçit e atij të Ungrejt në jugperëndim e jug. Kanë strukturë bllokore dhe të copëtuar në formë rrezore, nga degët e lumit Drin dhe Fanit të Madh. Bjeshkët e Tërbunit dhe Kushnenit ndahen thuajse mes për mes nga lugina e sipërme e Gjadrit, mjaft e thellë dhe me shpate shumë të pjerrëta. Në veriperëndim të kësaj lugine blloku merr emrin Bjeshkët e Tërbunit, kurse në juglindje quhet Bjeshkët e Kushnenit.