Bledi Çuçi
Bledi Çuçi (Tiranë, 14 Nëntor 1970) është ministër Shteti për Çështjet Vendore i shtetit shqiptar
Shkollimi
RedaktoÇuçi përfundoi studimet pasuniversitare (Master) për menaxhim në Universitetin Hasselt në Belgjikë (1998); studimet e larta për Drejtësi në Universitetin e Tiranës (1995) dhe studimet në shkollën e mesme të përgjithshme “Petro Nini Luarasi” në Tiranë (1989).
Karriera
RedaktoÇuçi ka shërbyer në disa funksione drejtuese ndër të tjera, si Kancelar i Gjykatës së Rrethit Tiranë në vitet 2000 -2 001. Ka qenë Këshilltar i Ministrit, Drejtor i Drejtorisë Juridike dhe Integrimit dhe Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Pushtetit Vendor deri në fund të vitit 2005.
Gjatë kësaj kohe z. Çuçi ka qenë edhe përfaqësues i qeverisë shqiptare në Komitetin për Demokracinë Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës, Strasburg (2003 - 2005); anëtar i Grupit Negociator të Shqipërisë lidhur me nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit mes Shqipërisë dhe Komunitetit Evropian (2003 - 2006) dhe anëtar i Bordit të Drejtorëve të Institutit për Trajnimin e Administratës Publike në Shqipëri (2003 - 2005).
Gjatë viteve 2006 - 2010, ai ka punuar si ekspert i pavarur për çështje të administratës publike, të reformës në drejtësi dhe të kuadrit ligjor për biznesin në programe të financuara nga USAID, Departamenti për Zhvillim Ndërkombëtar i Mbretërisë së Bashkuar (DfID), Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) dhe BE-së Shqipëri dhe Kosovë. Në vitet 2010 - 2011, z. Çuçi ka qenë Drejtori Ekzekutiv i Shoqatës për Autonominë Vendore.
Angazhimi politik
RedaktoU aktivizua me strukturat drejtuese të PS-së që prej vitit 2007, kur u zgjodh anëtar i Asamblesë Kombëtare të PS-së dhe kryetar i Komisionit të Asamblesë për Çështjet e Pushtetit Vendor. Ai u rizgjodh anëtar i Asamblesë së partisë edhe në vitin 2011. Në vitet 2011 - 2012, z. Çuçi ishte ekspert i PS-së në Komisionin e Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore. Që prej Shkurtit 2012, ai mban detyrën e Nënsekretarit për Çështjet Zgjedhore në PS.
Ai ka ndjekur një seri kursesh e trajnimesh profesionale lidhur me administrimin e sistemit gjyqësor, prokurimet publike, mbrojtjen e mjedisit dhe menaxhimin e administratës publike, të organizuara nga Banka Botërore, Bashkimi Evropian, USAID dhe qeveria italiane në Shqipëri, Lituani, Greqi, Itali e disa vende të tjera.