Bujar Salihu (1972) nga Pogragja e Gjilanit. Pasi kreu shkollën fillore e të mesme, më 1990 regjistrohet në Fakultetin e Elektroteknikës në Prishtinë. Por vetëm një vit më vonë për shkak të rrethanave politike u detyrua t’i ndërpresë studimet, për të mërguar në Zvicër.

Bujar Salihu

Ka botuar përmbledhjet poetike

-      "NË XIPAT E VETMISË" (1994) shqip e frengjisht, Cyrih

-      “MË PAK SE JETË”(1997), Rilindja-Prishtinë

-      "SKELETI I DALLËNDYSHES" (2002), Rozafa- Prishtinë

- "LINGA E HESHTJES" (2020) Armagedoni, Prishtinë

Është prezentuar:

-      Në revistën preistigjioze gjermane “Metaphorà” (2000), lirikë nga Zvicra, grup autorësh në përkthim të Hans Jochaim Lankschit

-      Në revistën për literaturë internacionale “Log” të Vjenës (2000)

-      Në përzgjedhjen e Ali Podrimjes, sprovë për një antologji të poezisë së re  “I kujt je, Atdhe” (2003)

-      Në “Vështrim nga dritarja e hapur”(2005), shqip e gjermanisht, një përzgjedhje nga Isuf Sherifit, poetë shqiptar e zviceranë.

-      Në përzgjedhje të Ali Podrimjes prezentohet në antologjinë “Një gur i çarë”

-      Në  2007 poezia e tij “Hynore” në konkursin e Bibliotekës së Qytetit të Frankfurtit përzgjidhet në mesin e më të mirave dhe prezentohet në antologjinë "Die Beste Gedichte 2007-2008”(Poezitë më të  mira 2007-2008)

-      Në vitin 2012, përmes një projekti letrar të Ars Clubit "Beqir Musliu", u përfshi në përzgjedhjen poetike "PARNASI ME AROMË GJILANI" etj.

Është aktiv në organizimet letrare të Krijuesve Shqiptarë në Zvicër, aktualisht Kryetar i saj. Është përkthyer dhe botuar në anglishte, gjermanishte, frëngjishte, rumanishte etj.

Për veprat letrare të Bujar Salihut:

-      Bujar Salihu me librin e dytë bën një kërcim të dukshëm kualitativ, si në rrafshin gjuhësor ashtu edhe në përmbajtësor, figurativo-imagjinativ ku e nxjerr në një dritë të re. Gjuha është pikëmbështetje kryesore e binasë  më se të çuditshme që quhet krijim letrar.Në ca poezi të Bujar Salihut hetohet shkathtësia për të krijuar poezi lëvizjesh të çuditshme brenda tekstit e njësisë ciklike. Poeti tekstin e liron nga ngarkesa të ndryshme emocionale dhe na ofron një poezi të kulluar. Poezia e tij rri afër brezit të Rrethit letrar të Prishtinës: Rrahman Paçarizi, Xhavit Beqiri, Beqë Cufa, Sali Beqiri, Lulëzim Tafa, Kujtim M. Shala etj. Të cilët artikulimin e shohin si shpërthim ekzistencial, të jetohet për inat të fatit ogurzi.

(Ali Podrimja Vepra 7, faqe 194, botim i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Prishtinë 2013)

- Bujar Salihu i takon brezit më të ri të krijuesve shqiptarë që u formuan në mënyrë shumë të veçantë pikërishtë nga fillimi i vjetve ‘ e 90 e këndej, e i cili dramat e mëdha të të kohës i përballoi me më shumë sakrifica se asnjë brez tjetër poetësh.Është besimi tepër i madh në poezinë, një emblemë e përbashkët e këti brezi poetësh, të cilët asaj nuk iu rrekën për famën me çdo kusht e as ndonjë motiv tjetër të shitur. Në këtë saktësim do përmendja disa nga emrat më të dalluar të brezit të B.Salihut:A.Tufa, L.Leshanaku, A.Bala, B.Cufaj, V. Berisha, R.Zekthi, I.Belliu, D.Gashi, M.Mavraj, Xh. Beqiri, L.Arapi, Rr. Paçarizi, E. Hatibi etj.

(Shaip Beqiri-Shkrimtar, Revista “Zëri” faqe 29, 23 Janar 1998)


- Ai është i kursyer në fjalë dhe me ndonjë përjashtim, siç do shohim më vonë, arrinë të krijoj poezi duke përdorur ndnjenjën e rëndë, të ashpër shkatërruese të kurbetit. Poezitë “unë prangë e lirisë sime” dhe “ Me kalin tim të akulltë” janë ndër poezitë më të bukura  dhe më të realizuara që janë botuar viteve të fundit mbi bazëne temës së kurbetit. Edhe për një çështje tjetër do ta dalloja librin poetik “Në xipat e vetmisë” të poetit Bujar Salihu. Ai që në vepren e parë na del një mjeshtër i përdorimit të fjalëve të rralla të gjuhës shqipe, që të befason këndshëm, duke i futur krejtë natyrshëm brenda poezisë.

(Mustafë Xhemaili-Shkrimtar, Gazeta “Rilindja”27 janar 1995)

- Poezitë e vëllimeve karakterizohen me simbolikë përfaqësuese të nivelit të lartë stilistik. Këtë simbolikë Bujari natyrshëm e me frymëzim spontan ka arritur ta mishërojë në fabulat e poezive. Në përgjithësi, poezitë i shquajnë mendimet meditative dhe figurshmëria metaforike. Poeti tregohet i kursyer në përdorimin e fjalëve dhe detajeve të tepërta. Bujar Salihu reflekton mendime të thella që për nga brendia janë të kondensuara me fjalë të pakta, ngjashëm me aforizma. Duke hedhur dritë në vlerat e poezive, përfundojmë se Bujar Salihu ka dell poetik, ka imagjinatën e zhvilluar dhe ka kulturë e dije për të shkruar poezi me vlera të theksuara ideoestetike dhe ideoartistike. Theksojmë kështu nga se çdo poezi e tij përkon me frymë të ngrohtë – frymë që shpalos botën e brendshme të pasur, ndjenjat e holla dhe çdo fjalë e ka funksionin e idesë kryesore të vetë poezisë.                                                            

(Prof.dr. Faik Shkodra, lexuar në shënimin e 20 vjetorit të krijimtarisë letrare të Bujar Salihut, më 18 tetor 2014 në Gjilan)


- Poeti Bujar Salihu e vizaton këtë realitet me gjuhën lirike që rezulton nga shpirti i përgjakur i një qenie tejet sentimentale. Ai ka arritur në mënyrë artistike me kompetencë ta shkruajë peozinë e një vaji të madh të fatit njerëzor të të gjitha kohërave- eksodin e shpirtërave të përndjekur.

Gjuha dhe përmbajtja në poezinë e Bujar Salihut krijojnë një harmoni muzikale dhe të pasur në planin ideo-artistik. Tematika është e gjetur dhe jo e imituar apo ribërë në bazë të një versioni ekzistues, të ndonjë paraardhësi që mund të konsiderohet si frymëzues i drejtpërdrejtë i krijimtarisë së tij. Salihu është origjinal dhe i pavarur. Ajo që dukshëm vërehet tek ky poet është zgjedhja e fjalëve dhe fjalëformimi kompetent, kombinacion që atij i jep statusin personal në aspektin tekstual të ndërtimit të vargut dhe gjuhës në tërësi. Pra ka fjalët e veta, të ndërtuara nga pasioni për të krijuar një "mjet personal të komunikimit" poetik. Vepra "më pak se jetë" është dëshmia se në Letërsinë Shqipe në mënyrë dinjitoze hyri edhe një poet lirik i kompletuar dhe kompetent për atë që bën. Për nga tematika dhe stili poeti Bujar Salihu është një zë tejet origjinal i kohës së sotme me mesazhe për të ardhmen dhe njëkohësisht njëri nga zëdhënësit e një gjenerate të re poetësh pa seli të përcaktuar sociale e gjeografike.

(Xhemal Ahmeti- Kritik, Bota Sot, 2002)

- Vëllimi poetik”Skeleti i dallëndyshes” ka strukturë të organizuar poetike dhe artikulon fazat e këtyre proceseve në dy kohë. Prandaj, disa poezi të këtij vëllimi e kanë shpalosur edhe kontrastin historik dhe kanë krijuar antitezën e këtij realiteti. Tematika e poezisë së këtij vëllimi ka shtrirje në evoluim të korrespondimit sa më karakterizues për tematikën e trajtuar. Duke patur parasysh kohën e botimit dhe tërësinë përmbajtësore të librit, konstatojmë se libri komunikon me kohën dhe arrin që t`i qëndrojë kohës dhe nivelit artistik. Bujar Salihu në poezi ka arritur të mund shpërfilljen e sunduesit për shumë kohë, duke sendërtuar vetëdijshëm intuitën e tij prej poeti, ai mund edhe kohën absurde, me synim kah rruga ngadhënjyese, me portretizimin e profilit sa më origjinal. Poezia e Bujarit në këtë vëllim i afron lexuesit kohën, ndjenjën e ngjarjeve komplekse, me imazhin e tjetërsimit kah profilizimi sa më konkret në identifikimin e gjërave, që duken spontane, por në realitet ato vijnë si koordinim i ndodhive për të marrë trajtimin e tyre nëpër orbitën krijuese.

(Nga fjala e Mr. Nexhat Rexha- Krijues, në shënimin e 20 vjetorit të krijimtarisë poetike të Bujar Salihut, 19.10.2014, në Gjilan, publikuar edhe në mediat elektronike)