Xhamia Burmali

xhami
(Përcjellë nga Burmali xhamia)

Xhamia Burmali u ndërtua në vitin 1495 në anën e djathtë të lumit Vardar pranë Urës së Gurit në qendër të Shkupit. Ajo ishte njëra nga xhamitë më të bukura të Shkupit e cila u rrënua nga fanatikët ortodoks në vitin 1925.

Rrënimi i Burmali Xhamisë në Shkup ne vitin 1925 nuk kaloi pa lënë gjurmë në shtypin e kohës. Gazeta "Vreme" e gjashtë shtatorit të vitit 1925, shkruan se një nga shkaqet kryesore të rrënimit të xhamisë së gurtë ishin fanatikët ortodoks. Në një artikull të titulluar "Shkupi që po vdes dhe Shkupi që po ngrihet", gazeta shkruan se një nga arsyet e rrënimit të Burmali Xhamisë, ose xhamisë së gurtë është që të zgjerohet hapësira e sheshit të qytetit. "Në këtë vend është ngritur shtëpia e Oficerëve që është dhe ndërtesa më e mirë në Shkup. Por përfundimisht kjo ndërtesë e re e humb pamjen e qytetit të Shkupit, pasi xhamia ka pas atë pamjen që identifikonte qytetin", shkruan gazeta. Sipas "Vreme"-s së vitit 1925 që botohej në Beograd në sheshin e Shkupit mund të ishin të dyja, edhe Shtëpia e Oficerëve, edhe xhamia që do të begatonin qytetin, mirëpo, sipas gazetës kjo nuk u ka konvenuar fanatikëve ortodoks. "Kanë mundur ta rrënojnë vetëm minaren dhe objekti të ruhej e të mund të shndërrohej në muze. Sidomos është dashur të ruhen shtyllat e gurit të cilat nuk mund të hasen në asnjë vend të botës, të cilat janë hedhur në lumin Vardar", shkruan ndër të tjera në artikullin e gazetës.

Ndërkaq, sipas historianëve shqiptar arsye tjetër e rrënimit të Burmali Xhamisë është edhe ajo se në vitin 1925, u rrënuan të 120 xhamitë që kishte Shkupi.

"Në vitin 1925 u rrënuan të 120 xhamitë që ekzistonin. Po ashtu në të njëjtin vit u shua edhe organizata e vetme politike e myslimanëve në ish mbretërinë SKS me të vetmin qëllim që të eliminohej qëndresa e tyre", sqaron magjistri Skënder Hasani. Ai thotë se në atë kohë fanatikët ortodoks nxirrnin arsyetimin se në çdo xhami që rrënonin ka pas një kishë.

"Kjo arsye ishte vetëm për të rrënuar objektet e kultit mysliman dhe bëhej me një projekt të caktuar, që përfundimisht, duke i shkatërruar elementët e kultit islam të shpërngulnin edhe popullatën prej këtyre vendeve. Ato vite bëhej kolonizimi i këtyre viseve", tha Hasani.

Tashmë, sërish është ngritur iniciativa për rindërtimin e Burmali xhamisë, të njohur si një nga perlat e Ballkanit. Iniciativa e ngritur prej 38 organizatave jo qeveritare deri më tani ka has vetëm në veshët e shurdhër të Qeverisë, e cila pak ditë më parë i dhuroi Kishës Ortodokse Maqedonase një tokë në mes të Shkupit. Ndërkaq, për xhaminë, ajo i ka sugjeruar që të merren me Komunën Qendër.