Bursa Shqiptare e Titujve ALSE SH.A., është e para bursë titujsh me kapital privat që ushtron aktivitetin në Republikën e Shqipërisë. Në Bursën ALSE tregtohen të gjithë llojet e instrumenteve financiare që njihen nga Ligji nr. 9879, datë 21.02.2008 “Për Titujt” (i ndryshuar), dhe që plotësojnë kriteret e listimit apo kuotimit të përcaktuara në rregulloret përkatëse të ALSE.

Historiku

Redakto

Sistemi financiar në Shqipëri

Shqipëria ka një sistem financiar të zhvilluar në mënyrë asimetrike me shtyllën e zhvilluar të sektorit bankar, dhe një sektori jo-bankar të zhvilluar në mënyrë modeste. Kështu, si pjesë e sektorit financiar jobankar, Shqipëria ka një treg ku pothuajse mungon tregu i kapitalit, edhe pse shumë operatorë të tregut janë të licensuar (firma brokerimi, kujdestare, fondet e investimeve, fondet e pensioneve, jeta-sigurimit, etj). Nga ana tjeter, pavarësisht nga një prani e qartë e skemave të kursimit kolektiv (fondet e investimeve dhe fondet e pensioneve, skemat e sigurimit të jetës) gjatë 5 viteve të fundit, zhvillimi i tyre i mëtejshëm është penguar në mënyrë rigoroze nga mungesa e tregut të brendshëm të kapitaleve dhe investimeve alternative.

Bursa e Tiranës

Për vite me radhë, Bursa e Tiranës (BT) ishte e vetmja bursë e krijuar ndonjëherë në Shqipëri. Fillimisht, ajo u krijua si një departament i Bankës së Shqipërisë (BSH) me synim shkëputjen pas një periudhe të caktuar kohore. Aktiviteti kryesor i BT-së përfshinte organizimin e tregut primar dhe sekondar për letrat me vlerë të borxhit afatshkurtër qeveritar (bonot e thesarit). BT u shkëput përfundimisht nga BSH në muajin Korrik 2002, për t'u krijuar e më pas funksionuar si një shoqëri e pavarur aksionere me kapital shtetëror. BT mori nga Komisioni i Letrave me Vlerë (sot AMF) licencën përfundimtare për të operuar si një treg i rregulluar letrash me vlerë në vitin 2003 dhe e rinovoi atë përsëri në vitin 2005. Megjithatë, BT për arsye nga më të ndryshmet nuk arriti kurrë të bëhej një partner i besueshëm për biznesin shqiptar duke mbetur thjesht një koncept juridik. Për këtë arsye, në muajin Prill 2015, AMF vendosi të pezullojë licencën e këtij tregu në Republikën e Shqipërisë, në përputhje me vendimin e aksionarit nr. 16 datë 16.04.2015.

Bursa Shqiptare e Titujve

Bursa Shqiptare e Titujve ALSE sh.a. nisi në vitin 2014 si një projekt ambicioz me mbështetjen e Bankës Credins, me një ekip ekspertësh të specializuar në letrat me vlerë dhe tregjet e kapitalit, me qëllim krijimin e një platforme elektronike tregtimi në pronësi private, që do të bejë të mundur përputhjen e ofertës dhe kërkesës për letra me vlerë në Shqipëri. Kjo platformë elektronike do të mbushte mungesën e tregut të organizuar (bursës), ku biznesi vendas mund të rrisë kapitalin në mënyrë alternative nga sektori bankar.

Projekti u lobua tek palët e interesuara (institucione financiare brenda e jashtë vendit) me qëllim sigurimin e mbështetjes financiare. Më pas u kalua tek studimi i tregut, identifikimi i sistemeve elektronike të tregtimit, përgatitja e rregulloreve dhe dosjes së licencës pranë Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF). Duke parë potencialin e lartë të zhvillimit të këtij projekti si dhe kushtet e favorshme për zhvillimin e tregut vendas të kapitaleve, në vitin 2016 kësaj iniciative iu shtuan edhe dy institucione të tjera financiare: AK Invest dhe Banka Amerikane e Investimeve.

Licensimi i ALSE

Redakto

Me vendimin e tij nr. 88, datë 03.07.2017, Bordi i AMF licencoi shoqërinë “Bursa Shqiptare e Titujve ALSE” sh.a., si bursa e parë shqiptare me kapital privat e licencuar në vend. Vendimi i Bordit të AMF-së erdhi pas vlerësimit në përputhshmëri me kërkesat e legjislacionit të të gjithë dokumentacionit lidhur me objektin e aktivitetit, kapitalin, organet drejtuese të shoqërisë, infrastrukturën dhe sistemet teknologjike të nevojshme për realizimin e aktivitetit të saj. Tregtimi zyrtar i Titujve të Borxhit Qeveritar (Bono Thesari dhe Obligacione Thesari) në Bursën ALSE, ka nisur për herë të parë në Shkurt 2018.

Vizioni dhe misioni

Redakto

Vizioni i ALSE është krijimi i një tregu kombëtar titujsh i cili të kthehet një një pikë kyçe të tregut financiar vendas dhe një nyje e rëndësishme lidhëse me tregjet e huaja, për të mundësuar aksesin sa më të lehtë e të shpejtë të biznesit shqiptar tek burimet e lira të financimit. Ky vizion do ta kthente ALSE jo vetëm në një treg të besueshëm në sytë e biznesit dhe investitorëve vendas por edhe në një partner serioz e të besueshëm për investitorët e huaj, apo institucionet homologe ndërkombëtare në industrinë e titujve.

Misioni i ALSE është krijimi i një tregu funksional e të centralizuar i cili do të mundësojë përputhjen e kërkesës dhe ofertës për tituj në tregun vendas. Gjithashtu, ALSE synon organizimin e tregtimit të titujve në një ambjent eficient nga pikëpamja e kostove të ulëta të ndërmjetësimit, treg transparent, të pa-anshëm dhe me standarde që garantojnë mbrojtjen e investitorëve të portofolit.

Pse një kompani duhet të listohet në Bursë

Redakto

Dy janë arsyet pse një subjekt (biznes apo ent emetues) kërkon listimin e titujve në një bursë:

  • Rritja e Kapitalit – Bursa konsiderohet si një ndër mënyrat më të lira të financimit të aktivitetit të biznesit. Listimi i titujve në bursë realizohet kryesisht nëpërmjet të ashtu quajturave Oferta Publike Fillestare (IPOs) të cilat i mundesojnë biznesit të ftojë publikun të investohet ne titujt e tij në këmbim të performancës financiare të lartë dhe me norma të pritshme kthimi që tejkalojnë riskun e ndërmarrë nga investitorët.
  • Prestigj – Ka raste kur edhe pse nuk kanë nevojë për fonde të lira për rritjen e volumit të biznesit, subjekte të ndryshme preferojnë të listohen në Bursë duke e konsideruar atë si etalon të korrektesës financiare dhe standardizimit të transparencës financiare e institucionale.

Avantazhet e Listimit

Redakto
  • Krijimi dhe sigurimi i një tregu të përhershëm – në të mund të blihet dhe të shitet në cdo kohë një titull i caktuar.
  • Ekzistenca e Bursës si vend takimi – në të bëhet përputhja e shpejtë për përmbushjen në kohë dhe në sasi të kërkesave dhe ofertave për tituj.
  • Transaksionet ekzekutohen me kosto minimale – bursa regjistron të gjitha tregtimet aq shpejt, sapo ato ekzekutohen. Sistemi elektronik i tregtimit realizon shfaqjen në kohë reale të numrit të aksioneve të ekzekutuara dhe cmimin e tyre të tregtimit.
  • Çmime reale e transparente – cmimet vendosen sipas parimit të kërkes-ofertës dhe në përputhje me rregullat e tregtimit të bursës.
  • Vlerësim real të vlerës së tregut – përcaktimi i cmimeve reale mundëson edhe vlerësimin real të vlerës së tregut të subjektit emetues (cmim x sasi titujsh = vlera reale e tregut).
  • Prestigj – për shkak të kuotimit të shpeshtë të cmimeve të titujve dhe mediatizimit të këtyre transaksioneve financiare, listimi i titujve në një bursë konsiderohet edhe si prestigj për subjektin emetues. Kjo për shkak se në bursë listohen vetëm subjekte që plotësojnë një seri kriteresh rigoroze cilësore dhe sasiore

Anëtarësimi në ALSE

Redakto

Për tu Anëtarësuar, çdo bankë dhe/ose shoqëri komisionere e licensuar nga AMF duhet të aplikojë pranë Bursës ALSE, në përputhje me dispozitat e Kapitullit 2 të Rregullores së Bursës Shqiptare të Titujve.

Pranimi i një banke dhe/ose shoqërie komisionere të licensuar nga AMF për t’u Anëtarësuar në ALSE i nënshtrohet miratimit paraprak me shkrim nga ALSE. ALSE u jep të drejta hyrjeje të barabarta në Tregun e ALSE të gjithë Aplikantëve të përshtatshëm që plotësojnë kriteret e pranimit të përcaktuara në këtë Rregullore dhe në Ligjet Shqiptare përkatëse.

Procesi dhe Hapat e Anëtarësimit në ALSE

Redakto
  • Aplikantët depozitojnë pranë ALSE aplikimin me shkrim për Anëtarësim, duke përdorur formularin standard të miratuar nga ALSE dhe gjithë dokumentacionin e kërkuar.
  • ALSE mund t’i kërkojë Aplikantit informacione dhe dokumente shtesë dhe mund të nisë hetimet për verifikimin e informacionit të dërguar prej tij, nëse e gjykon të nevojshme. ALSE mund t’i kërkojë njërit apo disa përfaqësuesve të Aplikantit që të paraqiten për intervistë pranë ALSE.
  • ALSE pasi merr një aplikim për Anëtarësim dhe çdo informacion shtesë të kërkuar prej saj, e miraton ose e refuzon aplikimin sipas gjykimit të saj të vetëm ose e miraton me disa kushte dhe/ose kufizime që i gjykon të përshtatshme. ALSE e njofton Aplikantin me shkrim për vendimin e saj, duke dhënë edhe arsyet e këtij vendimi. ALSE duhet ta miratojë vendimin e saj dhe t’ia bëjë atë të ditur Aplikantit brenda një afati prej tridhjetë (30) ditësh pune pas datës në cilën ka marrë të gjithë informacionin, që në gjykimin e saj, e ka konsideruar të nevojshëm për vlerësimin e aplikimit.
  • Në rastin e miratimit të Anëtarësimit, vendimi i ALSE duhet të përfshijë edhe autorizimin që lejon Brokerin/at e Anëtarit të veproj(n)ë si përdorues i/të Sistemit ETS.
  • ALSE do të ruajë konfidencialitetin e informacionit të dërguar nga një Anëtar ose një Aplikant në lidhje me një aplikim për Anëtarësim ose të marrë prej saj gjatë shqyrtimit të aplikimit.
  • ALSE njofton AMF-në dhe, sipas rastit, Institucionin/et e Klerimit dhe Shlyerjes, për pranimin e Anëtarëve të rinj dhe të Brokerave të tyre, si dhe për datën e miratimit të tyre dhe /ose datën kur do të fillojnë të tregtojnë.
  • Në rast se ALSE vendos të refuzojë një aplikim, ajo njofton menjëherë Aplikantin me shkrim. Aplikanti në fjalë mund ta apelojë vendimin e ALSE për refuzimin e Anëtarësimit pranë AMF, në përputhje me Ligjet Shqiptare në fuqi.

Lidhje web

Redakto