Bysheku ndodhet në jug të qytetit të Elbasanit, në luginën e lumit Shkumbin, në fshatin Shushicë të komunës me të njëjtin emër, rreth 4 km larg nga qyteti i Elbasanit. Është një pikë turistike me burime të shumta ujore, ku veçohet një burim karstik, me prurje 70 litra në sekondë që del rrëzë një shkëmbi gjigant[1]. Me rrapet shekullore është një nga pikat historike e turistike më të bukura të Elbasanit dhe një nga vendet më të preferuara tradicionalisht nga elbasanasit për piknik. Vendasit e quajnë veten me fat që natyra u ka dhuruar një pasuri kaq të çmuar. Shushica është një nga fshatrat e përfshirë në projektin zhvillimor “100 fshatrat”.[2]

Fshati i Shushicës në të cilën gjendet Bysheku, përmban dhe atraksione të tjera me vlera turistike, si p.sh.: një degëzim i rrugës së vjetër Egnatia që bën lidhjen me fshatin Fushë - Buall. Vende të tjera interesante për t'u vizituar janë: Pylli i Zabelit dhe Kisha e Shën Thanasit.

Në ditët e sotme në këtë zonë ka një zhvillim të madh të bujqësisë, vreshtarisë dhe blegtorisë.[3]

Historiku

Redakto

Bysheku njihet në kronikat turke me emrin Buzurshek. Në regjistrin kadastral të viteve 1431 - 32 të mbajtura nga Perandoria Osmane, në këtë fshat ishin regjistruar 280 shtëpi. Në shek. XV në Byshek janë zhvilluar dy beteja të rëndësishme kundër pushtuesve osmanë. Një në dimrin të viteve 1432-1433 midis Gjergj Arianitit dhe ushtrisë osmane të komanduar nga Ali Bej Evrenozi që përfundoi me një fitore të shqiptarëve. Kjo fitore bëri bujë, pasi ishte fitorja e parë e një ushtrie ballkanase, pas humbjes së betejës së koalicionit në Fushë-Kosovë. Beteja e dytë u bë në prill të vitit 1467, midis ushtrisë së Skënderbeut dhe forcave ushtarake të udhëhequra nga Sulltan Mehmeti II që ishin drejtuar për të rrethuar Krujën për të tretën herë. Beteja ishte e përgjakshme dhe të dyja palët patën humbje. [4]

Festa e Byshekut

Redakto

Në fund të gushtit ose në fillim të shtatorit bëhet festa e Byshekut. Festa zhvillohet me këngë e valle, ku marrin pjesë muzikantë dhe kërcimtarë nga zona e Elbasanit të cilët performojnë për banorët dhe vizitorët e Byshekut të cilët marrin pjesë. Ushqimet tradicionale janë gjithashtu pjesë e festimeve të kësaj dite, festë e cila vazhdon deri pasdite vonë.

Referime

Redakto
  1. ^ Belegu, Kreshnik; Çiftja, Hektor (2012). Elbasani turistik Guidë - Atouristik guide to Elbasan. Tiranë: Shtëpia botuese "Erik". fq. 106. ISBN 978-99956-36-49-4.
  2. ^ "Byshek – Bashkia Elbasan". elbasani.gov.al. Marrë më 2023-09-25.
  3. ^ "Byshek – Bashkia Elbasan". elbasani.gov.al. Marrë më 2024-03-24.
  4. ^ Bashkia e Qytetit (2003). Elbasani-Enciklopedi. Sejko. fq. 87.