Dëshnica
Dëshnica është krahinë gjeografike-etnografike në pjesën veriperëndimore të rrethit të Përmetit. Rrethohet nga të gjitha anët nga male të larta gëlqerore (Trebeshina në perëndim, malësia e Skraparit në lindje, Qafa e Kiçokut në veri që e lidh me luginën e Osumit dhe Beratin). Vetëm në juglindje hapet në drejtim të luginës së Vjosës. Dëshnica është luginë kodrinore që përshkohet mes për mes nga përroi i Dëshnicës. Në pjesën e poshtme të përroit gjendet një fushë e sheshtë 5-6 km e gjatë dhe rreth 1 km e gjerë. Qendrat kryesore të banuara të zonës janë Këlcyra, kryeqendra e zonës, Ballabani, Zhepova, Mërtinja, Suka etj.