Daullja prej letre
Daullja prej letre Autori: Besnik Mustafaj. Botuesi: Toena. Faqet e librit 320.
Romani "Daullja prej letre" ka njohur më parë dy botime në shqip, te shtëpia botuese "Arbri" në vitin 1995 dhe "Ora" në vitin 2004. Botimi francez ka fituar çmimin prestigjioz "Mesdheu" në vitin 1997. Është botuar edhe në greqisht në vitin 1998, ku gjithashtu ka marrë vlerësime shumë të larta nga kritika. Regjisori Besnik Bisha ka realizuar filmin "Mao Ce Dun" me skenar të Mustafajt, mbështetur në disa motive të "Daullja prej letre". Daullja prej letre është një roman me një strukturë ndryshe, në formë mozaiku, ku brenda një mendimi gjithëpërfshirës që shigjeton diktaturën dhe e përqesh atë, gjejnë strehë 9 rrëfenja të ndryshme e të mëvetësishme, si nëntë rrathë të ferrit. Në dukje ato ngjasojnë si novela të pavarura, por në thelb janë të lidhura bukur mirë me njëra-tjetrën; sa në unitetin e brendshëm të argumentit të shtjelluar aq edhe, sidomos, në mënyrën e shikimit, gjer edhe në ecejaken e disa personazheve që diku duken e diku zhduken, për t’u rishfaqur rishtazi. Në bulb të këtyre 9 rrëfenjave, që si tërësi krijojnë një trajtë romanore origjinale, gjallon një detaj i kthyer në metaforë: daullja prej letre. Është një përcaktim a idiomë që edhe kuptohet, edhe s’kuptohet në domethënien e asociuar të saj, që ka sipëri sa një shtresim folklorik, aq edhe diçka anekdotike. Përtej veskut kinse popullor të kësaj shprehjeje të ardhur prej vulgut, si fjalë-metaforë, pra në brendinë e vetë romanit, përkundrazi, ndryhet frika.