Dea Dardanica
Dea Dardanica ose Busti i Perëndeshës Dardane është një figurë prej mermeri nga shekulli II, një artefakt arkeologjik i gjetur në Kllokot që me sa duket paraqet një lloj personifikimi të Perëndeshës Dardane (Latin: Dea Dardanicae) si një hyjneshë e panteonit dardano-ilir dhe si një personifikim i diellit në formën antropomorfe të besimit politeist (pagan). Perëndesha Dardane në përgjithësi përmban edhe një varg personifikimesh e simbolesh tjera si janë: dielli, gjysmëhëna, edhi, cjapi, këndesi, sëpata, altari, kalliri i grurit, hardhia e rrushit, shporta e bollëkut, kurora e qytetit, labirinthi, etj. [1][2][3]
Vështrim
RedaktoDea Dardane është një figurë gruaje e skalitur në mermer, që është gjetur në Kllokot dhe është pa mbishkrim por i takon shekujve II-III të erës sonë. Në të paraqitet veshja autoktone e grave, me elemente veçuese të kokës, nënkresëses që i mbulon flokët dhe shamisë të rënë mbi supe. Ka fytyrë vezake, sy të mëdhenj në trajtë bajameje dhe kapakë të theksuar. Bebëzat e theksuara kanë pozitë asimetrike, e djathta më lart dhe e majta më poshtë, çka bën që shikimi të duket hyjnor dhe jashtë realitetit tokësor. Stoli ka vathët e mëdhenj në trajtë të kalaveshit të rrushit dhe qafore me varëse rrethore dhe sferë të theksuar në mes. Varësja simbolizon diskun diellor, apo vetë diellin, e ngjashme me "Hyjneshën në fron" të periudhës eneolitike dhe të monumenteve të periudhës romake të Hyjneshës Dardane nga Romula Malva (Rumuni) dhe Branetiqit të Ulët (Serbi). Këto dhe fakti se Hyjneshën Dardane e njihnin të gjithë dhe se vjen nga hapësira jo larg Smirës, ku u gjet monumenti tjetër i saj, bën që monumenti të njihet me emrin "Busti i Hyjneshës Dardane" (më parë njihej me emrin: "Busti i gruas nga Kllokoti").[4]
Shih edhe
RedaktoReferime
Redakto- ^ Shukriu, Edi. "Dea Dardane - Ikonografia dhe funksionet 2004". Kosova.
- ^ "HYJNESHA DARDANIA". Peizazhe të fjalës. 2011-06-25. Marrë më 2024-03-25.
- ^ Dobruna-Salihu, Exhlale (2011). "Altari i Deae Dardanicae dhe stacioni benefi ciar nga Vendenisi / A votive altar of Dea Dardanica and a beneficiary station from Vendenis". Iliria (në shqip dhe anglisht). 35 (1): 243–254. doi:10.3406/iliri.2011.1108.
- ^ "HYJNESHA DARDANE: Dea Dardanicae – Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës". ashak.org. Marrë më 2024-03-25.