Demonët

roman i shkruar nga Veli Karahoda

Demonët është roman i shkruar nga Veli Karahoda.

Demonët
AutorVeli Karahoda
SeriaRomani shqiptar
BotoiRilindja
Faqe408

Përmbajtja

Redakto

Kontemplacioni dhe refleksioni

"(...) Dhuna mbi individin në ingranazhet e sistemeve totalitare, ose më konkretisht, ndjekja dhe dhuna policore jugosllave mbi shqiptarin (mbi shqiptarin jokonformist) përbën esencën e subjektit të romanit të përmendur. Kjo është arritur në përpjestime tepër të lakmueshme ndërmjet mbarështrimit të ngjarjes romanore dhe materializimit mjeshtëror të saj. Rrëfimi i narratorit të romanit, Viktor Mosit, nis nga kripta, nga varri, ku është pranguar si pasojë e persekutimit nga dhuna e pushtetit. Imagjinata e shqetësuar e narratorit të përmendur, edhe përkundër ndërgjegjësimit të tij për pasojat, do të shestojë plane për kërkimin e fatit tragjik të intelektualit shqiptar, të një poeti të quajtur David Marku. Madje gjatë kërkimit të tërthoreve të fatit të David Markut, në rrjedhë të hulumtimit, narratori mbi qenien e tij do te ndiejë pothuaj të njëjtën peshë të persekutimit shpirtëror e fizik dhe atë në planin individual, familjar e kolektiv. Sekuencat e ngjarjeve, që janë kontemplimet, po edhe pësimet e heroit të romanit, janë shpërfaqur me përplot imagjinatë, spirituozitet, sensibilitet poetik dhe me elemente të realizmit magjik, që nga dita në ditë po përvetësohet nga prozatorët tanë më të shquar. Materia e librit Demonët të Veli Karahodës është strukturuar në tri tërësi të lidhura organike, të cilat qëndrojnë në raporte harmonike përbrenda tërësisë kompozicionale: 1. Ad Maiorem Gloriam Dei; 2. Hëna mbi Konstantinopojë; 3. Ambrosi i pavdekshëm.

Njohja e thellë e jetës, në të gjitha dimensionet e saj, njohja e gjerë e artit, e kulturës dhe e dijeve të përgjithshme, sensi për kohën dhe realitetin, autorit të këtij romani i ka mundësuar që në prozën e tij te mbrujtur në mënyrë maestrale të korrespondojnë në mënyrë të ndërligjshme dhe reversibile jeta me vdekjen (ose personazhet e gjalla dhe të vdekura), kohët (e shkuara me aktualitetin e ndodhjeve) si identifikime të njëra-tjetrës dhe si transmetuese të mesazheve të ndërmjetvetshme, madje edhe vetë vendndodhjet (me elemente fantastike e fantazmagorike), ku marrin e japin (në vend se qielli me tokën) toka me nëntokën. Rrjedha e ngjarjeve në roman, me gjithë thellësitë filozofike dhe gjithë imazhet poetike (në të shumtën surrealiste), krahas rrymimeve shtresore (laminare) ka edhe ato shtjellore (turbulente), qoftë si pasojë e tensionit psikologjik e emocional të personazheve, qoftë për shkak të dinamikës së ngjarjeve, që është edhe dinamikë e rrëfimit mjeshtëror të këtij artisti të prozës sonë më të re.

Prozë intelektuale dhe elegante

Rrëfimi nis në vetën e parë, që është veta e artistit (S. Hamiti) me gjallërinë e paparë të të gjithë përbërësve të prozës (post)moderne, për të mos thënë me potencën dhe mjeshtërinë e rrëfimit që intrigon pashmangshëm ndërgjegjen e lexuesit: Tringëllijnë orët në katedralen e Shën Marisë. Janë tringëllima të përvajshme që nuk ia dalin dot të shpërthejnë muret e kriptës sime të gurtë, muret e varrit tim (fq. 9). Që në hyrje, recepientit të romanit i imponohet nota elegjiake, pesha e melankolisë, lirizmi i kulluar dhe veç sensit të krijuesit të mirëfilltë të artit, edhe epilogu i tragjikës së kryeprotagonistit të tij. Ngjarjet e pasazheve të para janë locuar në Prizren, ndërsa gjuha e ekspresionit, me krejt gjallërinë e mundshme, krijon përshkrime të habitshme dhe pothuaj të papara në letrat tona (duke mos harruar se çdo rregull ka përjashtim). Nga kjo retrospektive vetëtimthi kalohet në Prishtinë, ku intelektuali Umberto Mosi, i ati i narratorit, Viktor Mosi, “kish humbur ndjenjën e për realitetin” (fq. 11). Për këtë arsye, ai do të mbyllet në “Laboratorin e Fshehtësive të Mëdha”, ku do të merret me dokumentet që provojnë lashtësinë e trojeve shqiptare. Karakteristika të shkrimit të natyrës cerebrale, Veli Karahoda ka dëshmuar edhe në shkrimet e tij të mëparme imagjinative dhe në ato diskursive që i shquan shkathtësia meditative dhe zhdërvjelltësia e ligjërimit eseistik (...)

(...) Për nga shkathtësia e ekspresivitetit, ky roman të kujton veprën e Dostojevskit, Franz Kafkës, Marcel Proustit, etj. Mpleksja e realitetit konkret me fiksionin, ku krijohet realiteti fantastik , shquhet sidomos në përshkrimet që autori iu bën lagjeve dhe, pos të tjerave, edhe rrugëve të njohura të Prishtinës. Në këtë ambient të përshkruar me koloritin më të mundshëm dhe tërheqës, spikat gjendja herë delirante, herë traumatike e personazheve, ku ata janë katandisur në situata të shoqërisë deprimuese. Krahas përbërësve të tjerë specifikë, që u përmendën së paku shkarazi, këto elemente romanin Demonët e shquajnë si të vecantë në prozën tonë më të re. Kjo e bën të vecantë edhe vetë krijuesin e tij, Veli Karahodën, i cili është edhe poet, piktor, eseist dhe publicist i njohur (...) (R. Sylaj, Estetika engjëllore mbi deprimimin demonizues, 2000)