Despotati i Vlorës
Despotati i Vlorës ishte formacion shtetëror feudal i krijuar në trevat jugperëndimore shqiptare në mesin e shek.XIV. Përfshinte Vlorën, Kaninën, Himarën, Beratin, Spinaricën, Pirgun e Bregun – një zonë me veprimtari të rëndësishme ekonomike. Si sundimtar i parë i kësaj zone njihet Jovan Asen Komneni, që mban titullin e lartë të despotit. Në oborrin e despotit gjendej një rreth i gjerë funksionarësh, me seli në Kaninë. Si qefali, kështjellar i saj përmendet më 1368 një Kastriot. Në Despotatin e Vlorës, një rol të rëndësishëm jo vetëm ekonomik, por edhe politik luajtën tregtarët e mëdhenj, patricë të qytetit.