Dibra e Madhe dhe një vështrim në Dibrën e Vogël

"Dibra e Madhe dhe një vështrim në Dibrën e Vogël" libër me Autor Prof. Dr. Arian Kadiu.

Libri me një tematikë psiko-sociale, ka si qëllim të informojë lexuesin e thjeshtë, por dhe studiuesin se Dibra e Madhe dhe Dibra e Vogël, përveç ruajtjes dhe kultivimit të traditave kulturore kanë nxjerrë në pah figura të shquara të jetës politike, sociale dhe kulturore të cilat jetojnë dhe sot në kujtesën e dibranëve përmes këngëve, valleve dhe folklorit dibran. Ndër të tjera në librin e Z. Arian Kadiu, përshkruhen edhe vlerat historike, juridike dhe humaniste që mbart Dibra dhe kuvendet e saj të ndritshme, që janë dhe pjesë thelbësore e formimit dhe zhvillimit të shtetit shqiptar. Roli i kryengritjeve dibrane dhe i përfaqësuesve të tyre historikë, vlerat e artit, kulturës dhe sportit të qytetarisë dibranë, oxhaqet e Dibrës, kolana e burrave të shquar dibranë, trajtohet me një gjuhë të thjeshtë e të kuptueshme për lexuesin. Prof. Arian Kadiu, përshkruan në librin e tij peshën dhe rëndësinë që mbarti për të gjithë dibranët dhe shqiptarët e trevave shqipfolëse festimi i “100-Vjetorit të Kuvendit të Dibrës (1909-2009)” në qytetin e Dibrës së Madhe. Kjo ngjarje u festua me gaz dhe lot në sy nga dibranët dhe nga shqiptarët e diasporës, thekson në këtë libër Z. Kadiu.