Dodona ndodhet në Dëshnicë të Përmetit

“Dodona ndodhet në Dëshnicë të Përmetit”, tre libra me autor Kujtim Mateli.

Autori Kujtim Mateli, mbështetur mbi dëshmitë e autorëve të antikitetit dhe gjetjeve arkeologjike, provon se Dodona nuk ndodhet në luginën e Carakovistës në jugperëndim të Janinës, por as në malin e Tomorit në lindje të qytetit të Beratit.  Dodona ndodhet në Dëshnicë të Përmetit, në perëndim të qytetit të sotëm të Këlcyrës, në shpat të malit Trebeshinë (qytet dhe faltore e tempullit), kurse orakulli përgjatë lumit të Dëshnicës (orakulli i lisit të shenjtë). Materialin e grumbulluar e botoi në tre libra të titulluar: “Dodona ndodhet në Dëshnicë të Përmetit”.

Libri 1 : Gjetja e vendndodhjes së Dodonës sipas dëshmive të autorëve të vjetër, botuar nga "Emal" në vitin 2011, faqe 207

Libri 2 : Dosja Karapanos, botuar nga "Emal" në vitin 2016, faqe 256

Libri 3 : Hyjnia e malit Tomor, botuar nga “Turdiu” në vitin 2020, faqe 220.

Libri i parë: “Gjetja e vendndodhjes së Dodonës” vërteton se Dodona nuk ndodhet në luginën e Carakovistës, sipas pretendimit të Kostantin Karapanos, Dodone et ses ruins, Paris 1878. Vendndodhja e Dodonës në jugperëndim të Janinës ka qenë vazhdimisht e kontestuar, sepse nuk përmbush asnjë prej dëshmive të autorëve të antikitetit. Që Dodona të ndodhej në rrethinat e Janinës, pikërisht në luginën e Carakovistës ku dhe pretendohet, duhet të plotësonte disa kushte:

Kushti i parë: Orakulli i Dodonës, sipas dëshmive të autorëve të antikitetit, ndodhej ndanë lumit me emrin Dodon. Quhej edhe lumi i Selinjve. Në luginën e Carakovistës nuk ekziston lumi. Didimos dhe Eustathi thonë :

Lumi Dodon apo Selis kalonte pranë orakullit” 1).

Kushti i dytë: Dodona ndodhet në shpat të malit Tomar. Dodona e luginës së Carakovistës, jo vetëm nuk ndodhet në shpat të malit të kësaj lugine që është mali Uliçka, por as në rrëzë të tij. Ky qytet ndodhet në krahun e kundërt të luginës, në kodrat e Kozmirasë. Të dy këto grupe dëshmish e nxjerrin Dodonën jashtë luginës së Carakovistës. Straboni dhe Eustathi thonë Dodona: “ ndodhej në shpat të malit Tomar” 2.

Kushti i tretë : Autorët e antikitetit thonë se Dodona ndodhet në veri të Epirit, kurse lugina e Carakovistës në jugperëndim të Janinës, ndodhet në mes të Epirit.

Barthelemeu, J.J., në veprën e tij  Voyage du Jeune Anacharsis… shkruan :

Në një nga vendet veriore të Epirit, ndodhet qyteti i Dodonës” 3).

Përcaktimi i vendndodhjes së Dodonës

Mbështetur mbi dëshmitë e autorëve të antikitetit, autori Kujtim Mateli përcakton si vendndodhje të Dodonës shpatin e malit të Trebeshinës, mbi qytetin e Këlcyrës. Në shpat të malit ndodhen rrënojat e një qyteti antik me më shumë se 600 shtëpi. Mbi rrënojat e këtij qyteti, në 400 metra lartësi, ndodhet kalaja antike e Këlcyrës, me sipërfaqe rreth 800 m2. Koha e ndërtimit të kësaj kalaje është përcaktuar nga arkeologët shqiptarë si e shekullit të tretë para Krishtit. Ajo i përket tempullit të Dodonës dhe orakullit që realizohej nga fluturimet e pëllumbave. Ky vend plotëson të gjitha thëniet e autorëve të antikitetit :

1. Ndodhet në shpat të malit.

2. Ndodhet në veri të Epirit, në tokën e Molosisë.

3. Ndanë këtij vendi kalon lumi Dodon (Dëshnica e sotme) dhe që gjatë rrjedhës së tij ka qenë orakulli i lisit të shenjtë që realizohej nga fëshfërimat e gjetheve të lisit dhe lëvizjet e erërave.

4. Në të tre malet e këtij vargmali Trebeshinë-Dhëmbel-Nemërçkë, që plotësojnë kushtin se ndodhen në veri të Epirit, në tokën e Molosisë, nuk ka asnjë vend tjetër që të ndodhet një qytet në shpat të ndonjërit prej këtyre maleve ku të ndodhen rrënojat e ndonjë qyteti. I vetmi vend që i plotëson këto kushte është lugina e Dëshnicës ku ndodhet lumi, pranë të cilit ishte orakulli i lisit, qyteti në shpat të malit, si dhe kalaja antike sipër qytetit si vendndodhje e tempullit dhe e orakullit të pëllumbave.

Dëshmi e rëndësishme që e vendos Dodonën, pikërisht në këtë shpat mali ëshë ajo e gjeografit Skylaksi Kardiensis.

Apollonia është pesëdhjetë stade larg detit; anës qytetit shkon lumi i quajtur Aia. Kurse nga Apollonia në Amanti janë treqind e njëzet stade. Ky lumë  zbret në det, duke qenë tetëdhjetë stade nga Oriku, që është më thellë në detin Jon nga gjithë Orikia, kurse nga Amantia është larg 60 stade. Fqinj me gjithë këta, në viset e brendshme, janë atintanët, sipër Orikisë dhe Kaonisë gjer në Dodonë” 4).

Kjo dëshmi e Skylaksit kërkon që të përcaktohen kufijtë e fiseve me të cilët kufizoheshin atintanët. Pozicioni i Atintanëve në veriperëndim jepet në këndin që formohet midis Apollonisë dhe Orikisë. Kjo hapësirë e Atintanisë përputhet me atë hapësirë që i përket rrethit të sotëm të Mallakastrës. Shohim pozicionin e Atintanisë në jug dhe juglindje.

Luginën e Drinos e jep si tokë të Kaonisë gjeografi Clavdio Tolomeo

La citta` fra terra d` Epiro ….Caoni

Antigonea, Fenica, Ecatompedeo, Onfalio, Elao” 5)  

Stefan Bizantini e jep Antigonenë si qytet të Kaonisë

Antigoneia qytet i Kaonisë në Epir.” 6)

Antigonea ka qenë qytet i Epirit dhe i ka përkitur Kaonisë. Qyteti është i identikuar dhe ndodhet përballë qytetit të Gjirokastrës, në krahun e djathtë të lumit Drino.

Lugina e Drinos jepet si pjesë e Kaonisë edhe nga historiani romak Tit Livi. Në rrjedhën e poshtme të Drinos, aty ku ai derdhet në Vjosë (Aoos), Filipi i V i Maqedonisë kishte planifikuar të ndeshej me ushtrinë romake. Që nga Subashi deri në derdhjen e Drinos në Vjosë, lugina ngushtohet dhe këto vende të ngushta në antikitet quheshin ngushticat e Antigonesë. Këtë emër ia kishte dhënë qyteti i Antigonesë që ishte fare pak kilomentra në juglindje të kësaj ngushtice. Ngushticat e Antigonesë jepen si territor i Kaonisë edhe nga historiani romak Tit Livi.

Pastaj ai (Filipi)... në fillim të pranverës, i nisi të gjitha trupat ndihmëse dhe të lehta, nën komandën e Atenagorës, për në Kaoni, nëpërmjet Epirit që të zinin ngushticat e Antigonesë7)

Autori Kujtim Mateli e përcakton këtë pjesë veriore të Epirit që ndodhet në kufijtë e Ilirisë kështu:

Lugina e Drinos i ka përkitur Kaonisë.

Lugina e Përmetit i ka përkitur Molosisë.

Territoret në të djathtë të Vjosës, sipër Orikisë, Kaonisë dhe Molosisë, para banorët e sotëm të Mallakastrës e në vijim të Tepelenës, i kanë përkitur Atintanisë.

Para, mali i Dodonës që ishte Tomari (Trebeshina e sotme), ndodhet në kufirin ndarës midis Atintanisë dhe Molosisë. Pjesa perëndimore e malit Tomar i ka përkitur Atintanisë, pjesa lindore Molosisë, në shpatin e të cilit ndodhet Dodona. Përballë Dodonës ndodhet fusha e Këlcyrës, e përmendur nga Hesiodi si fusha Hellopia, një nga fushat më të rëndësishme të Luginës së Sipërme të Vjosës

Dëshmi shtesë

A. Në veriperëndim të Dodonës

Stefan Bizantini e jep tokën e Atintanisë si pjesë të Ilirisë dhe qytetin Bylis të ndërtuar nga Neopltolemeu, djali i Akil Pelindit, kryeheroit të Luftës së Trojës.

Byllis, qytet i Ilirisë, pranë detit, ndërtuar nga Neoptolemi i myrmidonëve” 8).

Pindari në Odes (Nemean 4, vargjet 70-74), e jep tokën që sundonte Neoptolemeu, me kufi perëndimor duke filluar me bregdetin, kurse kufiri juglindor kufizohej me Dodonën. Skylaksi Kardiensis dhe Pindari japin të njëjtën të dhënë: Atintania në juglindje kufizohej me Dodonën.

Neoptolemeu sundonte në Epir qetësisht në pronat e veta,

Ku kope të panumërta kullotnin ultësirave

Dhe kodrave që lartësoheshin të veshura deri në majë,

Duke u nisur nga lisi i shenjtë i Dodonës

Deri në brigjet e detit të Jonit 9)

Pra, Neoptolemeu i mirmidonëve ( djali i Akilit të famshëm në Luftën e Trojës) themeloi Bylysin, i biri i Neoptolemeut shkoi në Molosi. Kështu Molosia dhe Atintania shtriheshin në kufijtë e njëra-tjetrës, përderisa, sipas dëshmive të Skylaksit dhe të Pindarit, Atintania shtrihej deri në Dodonë, dhe Dodona ishte pjesë e Molosisë.

B. Në juglindje të Dodonës

Stefani Byzantini i jep Parauejt si banorë të Luginës së Sipërme të Vjosës (Aos) apo siç quhet në ligjërimin bisedor: lugina e Përmetit.

Parauaioi. Fis thesprot, .....

Quhen me këtë emër nga që banojnë pranë lumit Auo”10).

Parauejtë banonin në Luginën e Sipërme të Vjosës. Nga Plutarku na vjen dëshmia se edhe enianët kanë banuar në në Luginën e Sipërme të Vjosës.

There have been several migrations of the Aenianians. For first, when they inhabited the region about the Dotian plain, they were expelled by the Lapiths to Aethicia.  From there they proceeded to take possession of the region of Molossia about the river Auas, from which they received the name Parauaei. After this they took possession of Cirrha.”11)

E shohim këtë dëshmi të Plutarkut, në përkthimin dhe komentin e njërit prej studiuesve të Epirit nga N.G.L. Hamond

Plutarku i njihte më mirë endjet e tyre; në “Çështjet” e tij, ... pohon se Enianët u dëbuan nga fusha Dotiane prej Lapitëve për t`u bashkuar me Ethikët, prej nga pushtuan krahinën veriore të Molosisë (Paruea) përpara se të shkonin në Kirra...”12).

Plutarku i jep enianët bashkë me parauejt të cilët banonin në veri të Molosisë, pranë lumit të Vjosës (Aoos) dhe në afërsi të Dodonës. Sipas Plutarkut: enianët, ethikët, parauejt, lumi Aoos dhe Dodona shtriheshin në të njëjtin territor. Dëshmia e Plutarkut është shumë e rëndësishme, sepse është dëshmi e plotë, përshkruan territorin e disa fiseve dhe nuk të lë interpretim tjetër veç atij që këto fise shtriheshin në luginën e lumit Aos apo Auas, emra me të cilët thirrej lumi i Vjosës në antikitet. Madje Hamond e thotë fare qartë se kur enianët banonin në veri të Molosisë, pranë lumit Aos, banonin pranë Dodonës, që do të thotë se Dodona ndodhej në Luginën e Sipërme të Vjosës (Aos).

Po enianët, fillimisht të njohur si parauej (njerëz që banonin pranë lumit Aoos), kur ata jetonin (ç`ndodhi me ta) në veri të Molosisë, jetonin rrotull Dodonës…” 13)

Kjo ëshmi e Plutakut, që enininët banonin në fushën e Dodonës, është e njëjtë me dëshminë e Homerit që thotë:

Nëzetedy gale Guneu nga Qifi

solli me enienë e me perebë, që rronin

në Dodonë, ku dimri bën me borë e akuj14).

Citimet

1-Didimos Z` 7, H`10, Eustath. Z` 12, H`11

2-Strab. H` 7, Eustath H` 9

3-Barthelemeu, J.J., Voyage du Jeune Anacharsis… Tome troiseme, Paris 1790, faqe 393

4- Skylaksi Kardiensis, Lundrimi (Periplus), Illyrioi, 26

5- Clavdio Tolomeo, La geografia, Epirus

6-Mbi qytet dhe popujt (Urbibus et Populis), Antigonea

7- Tit Livi, Nga themelimi i Romës, Libri XXXII. 5

8- Stefan Bizantini, Mbi qytetet dhe popujt, Bylis

9-The Odes of Pindar, published by Francis Lee, A. M., London 1810, (Nemean 4, vargjet 70-74) fq. 401.

10- Stefani Byzantini, “Urbibus et populis” (Mbi qytetet dhe popujt) Parauaioi

11- Plutarkus, Moralia Greek Questions, nr 13

12-N.G.L. Hamond, Epiri, botuar nga Qendra e Studimeve Shqiptare, Tiranë 2004, fq. 120

13- Hamond, N.G.L., Prehistori and protohistori.

14-Homeri, Kënga II, vargu 748-750

Burimet

1-P.Aravantinos, Pragmateia peri Dodonis, Janinë 1862, fq. 37

2-P.Aravantinos, Pragmateia peri Dodonis, Janinë 1862, fq. 37

3- Barthelemeu, J.J., Voyage du Jeune Anacharsis en Greçe dans le milieu du quartieme siècle avant l`ere vulgare, Tome troiseme, Paris 1790

4-Ilirët dhe Iliria te autorët antikë,Tiranë 2002, fq. 36

5- Clavdio Tolomeo, La geografia. In Venetia, M.D.LXXIIII (1574)

6- Ilirët dhe Iliria te autorët antikë, Tiranë 2002, fq. 417

7- Ilirët dhe iliria te autorët antikë,Tiranë 2002, fq. 109

8- Ilirët dhe Iliria te autorët antikë,Tiranë 2002, fq. 418

9-The Odes of Pindar, published by Francis Lee, A. M., London 1810, (Nemean 4, vargjet 70-74).

10-Ilirët dhe Iliria te autorët antikë,Tiranë 2002, fq.420

11) Plutarkus, Moralia, book IV, Greek Questions.

12 - N.G.L. Hamond, Epiri, botuar nga Qendra e Studimeve Shqiptare, Tiranë 2004

13) Sakellariou, M.B., General editor, “ 4000 years of greek history and civilization”, Athens 1997, fq 40

14- Homeri, Iliada, përktheu Gjon Shllaku, Sh.B. “Onufri”, Tiranë 2006, fq.56.


Libri i dytë

Dhjetë provat që vërtetojnë se Dodona nuk nuk ndodhet në luginën e Carakovistës, në jugperëndim të Janinës. Në librin e dytë, Mateli merr në analizë të plotë të gjitha gjetjet arkeologjike të Konstadin Karapanos (Κωνσταντίνος Καραπάνος) të botuara në librin “Dodonë et ses ruins”, Paris 1878 si dhe recensat e tre autorëve francezë që i certifikuan rrënojat e qytetetit të luginës së Carakovistës si ato të qytetit të Dodonës. Mateli sjell argumentet e tij që ky qytet i luginës së Carakovistës nuk është qyteti i Dodonës mbështetur mbi dëshmi dhe prova të argumentuara mirë, sepse janë dëshmi dhe prova të autorëve antikë që jetuan në kohën kur Dodona ekzistonte si dhe gjetjet arkeologjike që i përkasin kësaj periudhe.

Argumenti i parë

Asnjë burim historik nuk e shenjon Dodonën në mes të Epirit.

Autorët e shekullit XIX që e kërkonin Dodonën në rrethinat e Janinës kanë parë se hapësira rrotull saj nuk përputhej me autorët e antikitetit. Atëherë dolën në konkluzionin se autorët e antikitetit ishin konfuz, “të dykuptimtë dhe të paqartë siç ishin edhe përgjigjet e orakullit.”1)

  Po edhe Konstandin Karapanos që i gjeti një vendndodhje Dodonës, e fillon kështu libri e tij “Dodonë e ses ruines”, Paris 1878.

“Tempulli i Dodonës, megjithëse i shquar, ishte gjer tani pothuajse i panjohur. Autorët grekë dhe latinë na kanë dhënë njoftime shumë të paplota dhe që nuk mjaftojnë për të dhënë një ide të asaj që ajo ishte, as për të treguar vendin e saktë të vendosjes së saj.”2)

Këta autorë-, vëren Mateli,- shkuan në vendin e gabuar, e kërkonin Dodonën në luginën e Carakovistës. Nëse do të shkonin në veri të Epirit ku dhe ndodhet Dodona, atëherë autorët e antikitetit nuk do të ishin as të dykuptimtë, as të paplotë. Autorët e antikitetit kanë qenë të qartë dhe të saktë në dëshmitë e tyre. Mungesa e burimeve historike që ta vendosin Dodonën në mes të Epirit, sjellin provën e parë që ky qytet i luginës së Carakovistës nuk i përket Dodonës.

Argumenti i dytë

Dëshmitë arkeologjike nuk e vërtetojnë Dodonën historike, duke vërtetuan që ky qytet i luginës së Carakovistës nuk i përket Dodonës.

Dëshmitë arkeologjike e kundërshtojnë ekzistencën e Dodonës në luginën e Carakovistës.

Gërmime epirote (Në Epir) prej Evangjelides

Gërmimi i Dodonës i vitit 1935 faqe 213

Dodona historike

“ e denjë për t`u vënë re (vlen të vihet re) se nuk u gjet asnjë relike arkitekturale i mundshëm për t`i atribuar kohëve arkaike. Cilado qoftë katastrofa që mund të ketë pësuar ierorja (tempulli) dhe prej cilësdo lëndë të prishëshme që mund të kenë qenë ndërtuar godinat (ndërtesat), sidoqoftë, do të kishte mbetur ndonjë copë tjegull prej balte, vërtet e vogël, por provë e sigurt e ekzistencës së ndërtesave të njëkohshme (të kohës). Tjegullat e gjetura (shih më poshtë) arrijnë ndoshta deri në fillim të shekullit të Pestë. Por ( nga ana tjetër) të pranojmë se nuk u ndërtuan fare ndërtesa gjatë kohës së lashtë, kjo është shumë e vështirë, sepse edhe sikur (edhe po ) të supozojmë se orakulli funksiononte nën qiellin e hapur ( në shesh të hapur) në pyllin e hirshëm, ku ishte lisi i shenjtë (krahaso Procesverbalet e shoqërisë Arkeologjike 1929 faqe 108-109), sidoqoftë, do të duhej një farë ndërtese për priftërinjtë dhe ruajtësit e dhuratave (dedikimeve) të çmuara, që i dedikonin (falnin) Zeusit pasanikët, të cilët shkonin për t`u falur, ose mbretër, bile dhe qytete të tëra ( ato që përmenden për shtëpinë e shenjtë dhe për statujën e perëndisë, u referohen probabilisht kohëve më të reja). Është edhe kjo çështje një nga problemet e shumta që shtron gërmimi i Dodonës.”3)

Gërmimet e kryera nga z. Evangjelides tregojnë se qyteti i luginës së Carakovistës nuk është qyteti i Dodonës. Z. Evangjelides e thotë qartë, nëse do të ishte Dodona, do të gjendej qoftë dhe një copë tjegull që t`u përkiste kohëve më të vjetra. Po aty nuk ka asnjë shenjë. Mendja njerëzore nuk mund ta pranojë që një faltore me famë që nga Lufta e Trojës (shek. XII) e deri në shekullin e pestë para Krishtit, të zhdukej pa lënë asnjë gjurmë. Shtatë shekuj nuk mund të zhduken pa lënë asnjë shenjë, aq më tepër kur bëhet fjalë për një faltore si ajo e Dodonës. Gërmimet arkeologjike të z. Evangjelides janë një dëshmi e sigurt se qyteti i luginës së Carakovistës dhe faltorja e saj nuk i përkasin Dodonës pellazgjike .

Vjen kështu prova e dytë se Dodona nuk ndodhet në jugperëndim të Janinës, në luginën e Carakovistës.


Argumenti i tretë

Mungojnë gjetjet arkeologjike të periudhës romake dhe të krishtërimit.

  Dihet që Dodona ka ekzistuar edhe në periudhën e Krishtërimit. Faltorja e tempullit të Dodonës u kthye në kishë dhe Dodona u bë një qendër e rëndësishme peshkopale.

Citojmë:  Kristo Frashëri, Gazeta shqiptare 17 nëntor 2010

“Për të zgjidhur këtë konflikt që po acarohej vazhdimisht, u mblodh në vitin 431 koncili i Efezit. Në aktet e koncilit të Efezit që ruhen në arkivin e Vatikanit përmenden si pjesëmarrës në koncilin e Efezit këta peshkopë ilirë: Euhari, peshkopi i Durrësit, Feliksi i Apollonisë dhe i Bylisit, Senecioni i Shkodrës, Kostanci i Dioklesë, Donati i Nikopojës dhe Theodori i Dodonës (Acta Conciliorum Oecumenicorum. Concilium Universale Ephesenum. Edidit Edvardus Schërtz. Acta graeca. Pars altera. Collectio Vaticana 33 80. Berolini et Lipsiae 1927, f. 55, 57). Këta peshkopë, të cilët historiani i parë i kishës që njeh historia, Euzebi, i quan ilirë dhe jo peshkopë të Ilirisë, - çka do të thotë se ata ishin peshkopë të etnikonit ilir …”4)

Ajo që na thotë historiani i parë i kishës, Euzebi, është e qartë: peshkopët e ndarjeve administrative Epir i Vjetër dhe Epir i Ri ishin ilirë. Kjo do të thotë që popullsia e të dy Epirëve ishte ilire, sikundër dhe historianë të tjerë e vendosin Ilirinë deri në Gjirin e Ambraqisë. Po pse në tempullin e luginës së Carakovistës nuk ka asnjë gjurmë të Krishtërimit? Nëse ky qytet do të kishte qenë vërtet Dodona, gërmimet e Karapanos do të ndeshnin në fillim me gjetjet e periudhës së Krishtërimit. Po në këtë qytet nuk ka gjurmë as të periudhës romake. Ndërmjet atyre monedhave epirote që janë gjetur në rrënojat e këtij qyteti, do të gjendej ndonjë monedhë romake a ndonjë dhuratë tjetër që i ishte kushtuar hyjnisë. Përderisa aty nuk ka gjurmë të periudhës romake dhe të krishterimit, kjo është dëshmi e sigurt se ky qytet nuk i përket Dodonës pellazgjike.

Mungesa e objekteve të periudhës romake dhe të krishtërimit tek tempulli i qytetit të luginës së Carakovistës formon provën e tretë dhe shumë të rëndësishme që vërteton se qyteti dhe tempulli i kësaj lugine nuk i përkasin Dodonës. Dëshmitë arkeologjike vërtetojnë se jetëgjatësia e këtij qyteti ka qenë midis shekullit të IV-II, që përputhet me jetëgjatësinë e institucioneve epirote: Lidhjes Molose dhe Aleancës Epirote.


Argumenti i katërt

Emri i hyjnisë Di në qytetet e Epirit dhe të Ilirisë vërtetojnë se hyjnia Di Naios që nderohej në luginën e Carakovistës, provon se ky qytet nuk i përket Dodonës.

Tashmë kemi provuar që gjetjet arkeologjike i përkasin periudhës shek. IV-II para Krishtit. Është me rëndësi të provojmë që edhe në këto gjetje arkeologjike që i përkasin një periudhe shumë të shkurtër nuk provojnë ekzistencën e Dodonës në këtë luginë.

Që ky qytet i luginës së Carakovistës të jetë Dodona, duhet që në gjetjet arkeologjike të ketë një apo disa mbishkrime që të vërtetojnë se këto rrënoja i përkasin qytetit të Dodonës. Në gjetjet e luginës së Carakovistës nuk gjendet asnjë mbishkrim që të shkruhet: qyteti i Dodonës. Mundësia e dytë ekziston që në gjetjet që i kushtoheshin Hyjnisë, mbishkrimet t`i drejtohen Hyut Dodonen. Para se të analizojmë gjetjet e luginës së Carakovistës që i kushtoheshin Hyjnisë, shohim edhe gjetjet arkeologjike të qyteteve të tjera të Epirit dhe Ilirisë se si e nderonin ato Hyjninë e tyre.

Në Epir dhe Ilirinë e Jugut

1- Ambracia- Di Soter

2- Qyteti Kasope- Di Soter

3- Butrint (Buthroto)- Di Soter

4- Qyteti Fotike- Di Dodoneen dhe Di Sarapis

5- Qyteti Pasaron- Di Aresi

6- Qyteti i Carakovistës- Di Naios dhe Di Bouleos

7- Qyteti Bylys- Di Tropeos

8- Qyteti Mavrora (Olimpe) Di Megistos

9- Amantia- Di Boulaios

10- Në Dodonë nderohej Di Dodonen sipas burimeve historike, por edhe të disa gjetjeve arkeologjike.

Shohim që çdo qytet i Epirit dhe Ilirisë e nderonte hyjninë me emrin Di, ndryshe nga Greqia që e nderonte hyjninë me emrin Zeus. Çdo qytet e nderonte hyjninë me një mbiemër të veçantë që ishte i qytetit të tyre dhe që ndryshonte nga qytetet e tjera. Që ky qytet i luginës së Carakovistës të jetë qyteti i Dodonës, duhet të vërtetohet që atje është nderuar Di Dodonen. Vjen kështu prova e katërt se ky qytet i luginës së Carakovistës nuk i përket Dodonës.

Më poshtë sjellim gjetjet arkeologjike që Konstandin Karapanos i ka klasifikuar në 17 kategori, por ato që paraqesin interes janë kategoritë 4, 5 dhe 6. Vetëm këto kategori përmbajnë mbishkrime prej të cilave mund të përcaktohet emri i qytetit apo dhe i Hyjnisë. Të tjerat janë gjetje të zakonshme që nuk kanë asnjë të dhënë që mund të përcaktohej se cilit qytet i përkasin.


Argumenti i pestë

Gjetjet arkeologjike në mbishkrimet e kategorisë së katërt vërtetojnë se ky qytet nuk i përket Dodonës.

Mbishkrimet e kategorisë së katërt.

Nga kategoria e katërt kemi mbishkrimet në bronz që i janë kushtuar Hyjnisë bashkë me dhuratat e tjera. Po sjellim ato që lexohet emri i hyjnisë. Këto dëshmi Karapanos i ka pasqyruar nga Planche nr. XXII-XXVI. Në këto mbishkrime emri i Hyjnisë është:

1. Zeus Dodoneen.

2. Di Naios.

3. Di Naios

4. Dii

5. Dii Naios.

6. Dii Naos.

7. Pa adresë

8. Pa adresë

9. Dii Naos.

10. Dii Naios.

11. Dii Naios.

12. Dii Naios.

     Di Naos.

13. Dii Naios.

14. Dii Naos.

15. Di

16. Dii Naos.

17 Naios dhe Dionës.

18. Dii Naios dhe Dionës.

19. Afroditës.5)

Nëse do të bëjmë një përmbledhje, do të shohim se qytetarët i janë drejtuar tempullit të këtij qyteti 14 herë si Dii (Di) Naios, ose Naos dhe vetëm një herë si Zeus Dodoneen.  Kjo tregon se në këtë qytet Hyjnia nderohej si Dii Naios. Po çfarë ka ndodhur që midis këtyre mbishkrimeve që vërtetojnë se në këtë qytet nderohej Dii Naios, të ketë dhe një mbishkrim me Zeus Dodonen?

Në këtë rast, do të mbështetemi edhe në gjetjet arkeologjike të qyteteve të tjera në Epir. Në qytetin Fotike nderohej Di Dodonen dhe Sarapis. Pra, ky qytet nderonte Dii Dodoneen që nderohej në Dodonë. Mundet që edhe në qytetin e luginës së Carakovistës krahas Dii Naios të nderohej edhe Dii Dodonen. Përderisa qyteti Fotike nderonte Di Dodonen dhe Sarapis, nuk ka pse të çuditemi që të gjendet në këtë qytet të luginës së Carakovistës që nderonte Di Naios, edhe ndonjë mbishkrim që i kushtohet Di Dodonen. Kur të gjitha mbishkrimet vërtetojnë se ky qytet nderonte Di Naios, mbishkrimi që i kushtohet Di Dodonen vërteton se jashtë këtij qyteti ka patur një qytet tjetër që nderonte Di Dodonen dhe që sipas burimeve historike, ky ka qenë qyteti i Dodonës. Pra, këto gjetje arkeologjike të luginës së Carakovistës nuk i përkasin qytetit të Dodonës.

Vjen kështu prova e pestë që vërteton se ky qytet nuk i përket Dodonës.


Argumenti i gjashtë

Gjetjet arkeologjike në mbishkrimet e kategorisë së pestë vërtetojnë se ky qytet nuk i përket Dodonës.

Në mbishkrimet e kategorisë së pestë, (në pllaka bakri dhe bronzi), gjenden dekrete të Ansamblesë së Epirotëve, nxjerrë gjatë mbretërisë së Eakidëve dhe të tjerat mbas shuarjes së kësaj mbretërie që i jep rëndësi proxenisë, të drejta qyteteve në Epir, kontratat e blerjeve, lirimin e skllevërve etj.

Disa nga këto mbishkrime shihet se çfarë vendimesh merrnin institucionet epirote, por dhe për të vërtetuar se ky qytet ishte ndërtuar për t`u shërbyer institucioneve epirote që përfaqësonin vullnetin e popullit të Epirit.

1-Mbishkrim me pika mbi pllakë bronzi.

Aleatët epirotë, nën mbretërinë e Neoptolemeut, djalit të Aleksandrit, i japin të drejta ekskluzive në Epir atintanit Kleomak, në kohën kur Derka ishte prostat i Molosëve.

Planche XXVII nr.1


2-Mbishkrim me pika mbi pllakë bakri.

Ky mbishkrim është shkruar në 12 rreshta.

Kanë nxjerrë të pafajshëm Tryponin, me një vendim gjyqësor trupa gjykuese e përbërë nga gjyqtarët e mëposhtëm të cilët janë të huaj: Theodotos, Aleksimakos, Samitha, Gamithos (ose Gallithos), Ksenis. Nga Molosët janë këta dëshmitarë: Androkas Dodonen, Filipos Dodonen, Filoksenos Dodonen, Drapos Dodonen, Agilaos Dodonen, Kranis, djali i Fonas, Aminadros Dodonen; nga thesprotët janë këta dëshmitarë: Dokimos Larisen, Pinafos Elen, Menandros Tien, Aleksandros Tien, Dinon, djali i Thuksukares, (ose Thoksukaros), Filipos, Filon Onopernos, në vitin e Filoksenos [ djali i ] Onopernos, prostat i Di Naios dhe Dionës.

Planche nr XXVII nr 2.

Këtu shohim që në vendimet gjyqësore ishte i pranishëm dhe përfaqësuesi i faltores së Di Naios dhe Dionës. Ashtu siç kishte një prostat që përfaqësonte institucionet e Epirit që zgjidhej nga populli, po kështu ka patur zgjedhje edhe brenda faltores, që ai, i cili merrte drejtimin e faltores të emërtohej si prostat. Sikur dhe vetëm ky fakt të ekzistonte, vërtetohet që faltorja e këtij qyteti i kushtohej Di Naios dhe Dionës dhe që ky qytet nuk është ai i Dodonës për të cilin pretendohet. Në gjykatat epirote, prostati i faltoreve ka qenë pjesë e trupës gjykuese.


3- Mbishkrim me gdhendje mbi pllakë bakri.

Dekret i Asamblesë epirote, nxjerrë nën mbretërinë e Aleksandrit, i cili i jep të drejta qytetare Ktesonit dhe familjes së tij në kohën kur Aristomaku ishte prostat i Molosisë.

Planche XXVII nr 3.


4- Mbishkrim me gdhendje dhe me pika mbi pllakë bakri.

Dekret i Molosëve që i jep titullin e proksenit dhe privilegjet e lidhura me të, Teodorit, djalit të Stonios dhe pasardhësve të tyre.

Planche XXVIII nr 1.


5-Mbishkrim me pika mbi pllakë bronzi.

Ky mbishkrim përmban një fakt interesant për historinë e proksenisë, e cila nuk njeh ndonjë shembull tjetër. Molosët i akordojnë titullin proxéne jo një individi, por gjithë qytetarëve të Akragas (Agrigente).

Planche XXVIII, nr.2.

6-Mbishkrim me pika mbi pllakë bakri.

Akt dhurimi pasurie të patundshme, dhënë tre personave nga qytetet aleate (të Epirit)

Planche XXIX, nr.1.


7-Mbishkrim me gdhendje mbi pllakë bronzi.

Dekret i Asamblesë epirote, gjatë kohës së strategut Antinous, i jep të drejta qytetare Achen Damarchos, djalit të Dameas.

Planche XXIX, nr. 2.


8- Mbishkrim.

Blerja e skllavit Poliksenos me çmim shumë të lartë, Menecharm ishte naiark dhe Agellis prostat i molosëve.

Planche XXIX, nr. 3. 6)

Të gjitha mbishkrimet vërtetojnë se si funksiononte Lidhja Epirote, çfarë vendimesh merreshin në lidhje me privilegjet që u krijoheshin individëve apo dhe qyteteve jashtë juridiksionit të Lidhjes Epirote. Të gjitha këto vërtetojnë se ky qytet ishte qendra e Lidhjes Epirote. Të gjitha këto akte apo dekrete tregojnë se ky qytet ka lidhje me institucionet shtetërore të Epirit.

Po ajo që ne shohim në këta shembuj dhe në ata në vijim është se kur vendimet ishin të Asamblesë epirote, prostat ishte një person që i shërbente bashkësisë epirote, ndërsa kur vendimet ishin gjyqësore siç është shembulli nr. 2, prostati ishte përfaqësues i faltores, në rastin konkret i Di Naios dhe Dionës.

Në fillim prostati ishte përfaqësues i Lidhjes Molose dhe, kur më vonë në të hynë dhe krahinat e tjera të Epirit, Lidhja Molose filloi të quhej Symahia Epirote. Prostati ishte zyrtar i lartë që zgjidhej çdo vit nga gjiri i parisë fisnore dhe qëndronte krahas mbretit. Ai kishte për detyrë të thërriste mbledhjen e përgjithshme të popullit, ta drejtonte atë dhe të kërkonte të merreshin vendime të ndryshme. Prostati i faltores, deri tani, dimë që ishte pjesë përbërse e trupës gjykuese. Gjetjet arkeologjike që lidhen me institucionet epirote provojnë se ky qytet u ka përkitur këtyre institucioneve. Ky qytet kishte një prostat që i përkiste Di Naios. Nëqoftëse do të ishte qyteti i Dodonës, prostati do të kishte qenë i Di Dodonen. Këto gjetje arkeologjike formojnë provën e gjashtë që ky qytet nuk i ka përkitur Dodonës.


Argumenti i shtatë

Gjetjet arkeologjike në mbishkrimet e kategorisë së gjashtë vërtetojnë se ky qytet nuk i përket Dodonës.

Në të 38 tabletat që gjenden në luginën e Carakovistës, dhe që janë trajtuar secila në studimin “Dodona ndodhet në Dëshnicë të Përmetit II”, Tiranë 2016, asnjëra prej tyre nuk i është drejtuar hyjnisë me epitetin Dodonen.7)

Të gjitha i janë drejtuar me epitetin Naios. Kjo tregon se ky qytet nuk i përket Dodonës. Supozojmë, sipas Karapanos dhe mbështetësve të tij, se këto gjetje në luginën e Carakovistës i janë drejtuar një orakulli dhe ky orakull quhej Di Naios. Çfarë del prej kësaj? Që në Epir ka pasur përpjekje për të krijuar dhe një orakull të dytë, por që nuk është regjistruar në ndonjë nga librat e autorëve të vjetër sepse ka qenë me ndikim më të vogël nga orakulli i Dodonës. Ky është konkluzioni që do të dilte duke vënë përballë njëra-tjetrës dëshmitë e autorëve të antikitetit me gjetjet e luginës së Carakovistës. Edhe sikur gjetjet e luginës së Carakovistës të ishin të një orakulli, ato nuk do të quheshin si gjetje të orakullit Di Dodonen, sepse ato i janë drejtuar Di Naios që nuk i përgjigjen qytetit të Dodonë, por një qyteti tjetër të Epirit.

Fatmirësisht ato gjetje nuk i janë drejtuar faltores së orakullit, por faltores së tempullit duke e zgjidhur përfundimisht dilemën se ky qytet nuk i përket Dodonës. Dëshmitë e autorëve të antikitetit se dy ishin orakujt që vepronin në këtë hapësirë në jug të Ballkanit: orakulli i Dodonës dhe orakulli i Delfit, na orientojnë drejt për ta zgjidhur përfundimisht vendndodhjen e Dodonës që nuk është lugina e Carakovistës. Vjen kështu prova e shtatë që Dodona nuk ndodhet në luginën e Carakovistës


Argumenti i tetë

Topografia e qytetit dhe e faltores së  Carakovistës vërtetojnë se ky qytet nuk i përket Dodonës, por ka qenë i ndërtuar në funksion të institucioneve epirote.

Konstandin Karapanoss, Dodonë e ses ruines, Paris 1878

“Kodrinat e Kozmirasë zgjaten në drejtim të luginës duke formuar një kep që arrin në skaj të luginës kryesore (të pjesës së poshtme) duke u futur në luginë mbi gjysmën e gjerësisë. Ky kep, i gjatë 1.200 metra dhe i gjerë rreth 400 metra shtrihet në një lartësi mesatare rreth 30 metra, ky e ndan luginën në dy pjesë jo të barabarta: Në pjesën juglindore që është më e madhe dhe në atë të veri-perëndimore që është pjesa e sipërme e luginës. Në cep të kepit, me fytyrë nga lindja dhe jugu, ndodhen gërmadhat e Dodonës; ajo përbëhet nga tri pjesë të dukshme: qyteti, teatri dhe vendi i shenjtë”8)

Buleterioni

Buleterioni është institucioni më i rëndësishëm publik në këtë qytet. Sipas arkeologut Dakaris, ka përmasat 43,60 x 32,50 metra.9)

Pra, sipërfaqja e tij shkon afërsisht në 1.4 dynym. Kjo do të thotë se numri i atyre që do të përfaqësonin popullsinë e Epirit ka qenë i madh, ndryshe nuk ka kuptim që të ngrihej një ndërtesë kaq e madhe për një numër më të vogël njerëzish. Shkaku, që ky institucion ndodhet në mes të Epirit, është që të gjitha krahinat e vendit të arrinin aty në kohën sa më të shkurtër. Pra, ky vend u siguronte afërsisht të njëjtën kohë udhëtimi banorëve më të largët të Epirit për të marrë pjesë në mbledhjet e përgjithshme epirote apo përfaqësuesve të popullit në Buleterion. Ky institucion, pavarësisht se funksiononte në mënyrë periodike, aty do të kishte një personel të përhershëm që do të bënte të mundur funksionimin e tij. Në drejtim të Aleancës, që ishte mbreti dhe që banonte në Pasaron, aty do të kishte vendbanimin e tij prostati që drejtonte krahas mbretit si përfaqësues i popullit, magjistratët dhe përfaqësues të tjerë. Në funksion të Buleterionit, lindi faltorja e tempullit dhe akropoli i këtij qyteti.

Tempulli i Di Naios dhe Afërditës

Në funksion të Buleterionit, kërkohej të ngrihej dhe një tempull kushtuar hyjnisë epirote me emrin Di. Sipas mbishkrimeve të gjetura aty, iu kushtua Di Naios dhe Dionës, gjithashtu dhe perëndeshës Afërditë.

Akropoli

Përderisa ky qytet ka qenë qendër e institucioneve epirote, ato duhet të kenë pasur disa banesa që shërbenin për nëpunësit e këtyre institucioneve, disa banesa si hoteleri për prijësit e krahinave që vinin aty në mbledhjet e përgjithshme që zhvilloheshin gjatë vitit apo në raste të veçanta, disa banesa për tregtarët, ndonjë dyqan apo lokal etj. E sigurt është se ka pasur disa banesa për garnizonin ushtarak, ekzistenca e të cilit provohet nga armët e shumta luftarake që u gjendën në këtë qytet. Të gjitha këto ndërtesa që i përkasin Aleancës apo Koinionit Epirot, nuk mund të zinin më pak hapësirë se sa ajo e këtij qyteti, 3.5 hektarë.Po pse nuk u zhvillua ky qytet në ato përmasa që ishin dhe qytetet e tjera të Epirit? Cili duhet të ketë qenë shkaku, kur dihet që hapësira e kodrave të Kozmirasë mund ta bënte atë një ndër qytetet më të mëdhenj? Në 175 vite ekzistencë, do të kishte pasur dhe ai kohën e vet të lulëzimit. Kjo kohë është e mjaftueshme që të ishte i krahasueshëm me qytetet e tjera, i ndihmuar dhe nga fakti se si seli e institucioneve epirote ka qenë qyteti i dytë më i rëndësishëm në Epir pas Pasaronit ku ndodheshin institucionet mbretërore.Shkaku duhet kërkuar tek destinacioni për të cilin u krijua, i cili ishte qendër e seli e Aleancës Epirote dhe mbeti si i tillë deri në fund. Banesat e këtij qyteti duhet të kenë pasur karakter publik. Pas mbarimit të mandatit të njërit prej përfaqësuesve të popullit, ajo shërbente si banesë për përfaqësuesin e ri. Ky akropol kaq i vogël tregon se aty, vështirë të ketë pasur ndokush banesë personale.

  Teatri

Një tjetër objekt që meriton vëmendje në këtë qytet të luginës së Carakovistës është dhe teatri. Në këtë teatër mund të uleshin rreth 15 mijë spektatorë apo dëgjues të veprimtarive të ndryshme I cili shërbente edhe për mbledhjet e Institucioneve epirote. Duke parë numrin e madh të vendeve, të lind pyetja: përse i duhej këtij qyteti nga më të vegjlit në Epir, një teatër nga më të mëdhenjtë, i krahasueshëm me atë të Athinës? Përgjigjia nuk të lidh me qytetin i cili nuk mund të ulte aty më shumë se 500 dëgjues a spektatorë, pra 30 herë më pak se vendet që kishte ky teatër, por me nevojat që Aleanca Epirote kishte për një mjedis të tillë. Aleanca e ushtronte ndikimin e vet mbi të gjithë territorin e Epirit nëpërmjet mbledhjeve të përgjithshme që ajo zhvillonte. Në këto mbledhje zgjidheshin përfaqësuesit e popullit. P.sh: prostatati ishte zyrtari më i lartë i Aleancës Epirote. Zgjidhej çdo vit nga gjiri i parisë fisnore dhe qëndronte krahas mbretit. Ai kishte për detyrë të thërriste mbledhjen e përgjithshme të popullit, ta drejtonte atë dhe të kërkonte të merreshin vendime të ndryshme. Po që të mblidhje të gjithë përfaqësuesit e krahinave të Epirit të cilët ushtronin pushtetin e tyre nëpërmjet prostatit, krahas mbretit që e trashëgonte pushtetin, duhej një vend. Ndaj ky qytet, që ishte dhe selia e Epirit, nuk ndërtoi një teatër për nevojat e tij, por u ngrit një teatër që të shërbente për mbledhjet e përgjithshme të epirotëve. Këto dëshmi janë prova e tetë që vërtetojnë se ky qytet nuk i përket Dodonës, por u ndërtua për t`u shërbyer institucioneve epirote.


Argumenti i nëntë

Përmasat e vogla të qytetit të luginës së Carakovistës sa një lagje e qyteteve të tjera në Epir dhe Iliri, vërtetojnë se ky qytet i luginës së Carakovistës nuk i përket Dodonës, por ka qenë qytet ku kishin selinë e tyre institucionet epirote.

Në simpoziumin shkencor që u zhvillua në Clermont-Ferrand, 22-25 tetor 1984, me temë: “L`Ylliri meridionale et l`Epir dans l`Atiquite” Dakaris jep përmasat e qyteteve të Epirit dhe Ilirisë së Jugut si: Kasope 36 ha., Gumani 28 ha., Bylysi 28 ha. etj, kurse Dodona 3.5 ha. Pierre Cabanes i bënë përshtypje pikërisht madhësia e qyteteve në Epir dhe Iliri. Ndaj ndërhyn pas fjalës së akeologut Dakaris duke bërë këtë koment:

  “Për sa i përket Dodonës ju i keni datuar gjithmonë ndërtimet e para të vendit të shenjtë rreth mesit të shekullit të IV; ajo që të habit me Dodonën janë përmasat shumë të ngushta të akropolit të qytetit, shumë herë më të vogla se qytetet e tjera për të cilat ju folët.”10)

Nga ndërhyrja e Pierre Cabanes ngushtohen akoma më shumë kufijtë e së ashtuquajturës Dodonë në Carakovistë. Mesi i shekullit të katërt, kur janë dhe ndërtimet e para të vendit të shenjtë, do të thotë se ky qytet dhe tempull datojnë aty nga viti 350 para Krishtit. Po t`i zbresim kohën kur ky qytet u pushtua nga romakët, arrijmë në konkluzionin se ky vend i shenjtë i luginës së Carakovistës e ka pasur jetëgjatësinë më pak se dy shekuj. Pra, ky qytet dhe tempull janë ndërtuar kur fuqinë në Epir e zotëronin plotësisht molosët. Duke qenë se ishte një qytet që pati vetëm dy shekuj jetëgjatësi dhe i përcaktuar që të kryente funksionin e Selisë Epirote, shpjegon dhe faktin që ishte një qytet i ndryshëm nga të tjerët. Ishte një qytet i vogël, gati 10 herë më i vogël se Kasope apo 8 herë më i vogël se Bylysi. Nëse do të llogaritim banorët e qytetit të Carakovistës (sipas përllogaritjes që Dakaris bën më lart për qytetet e tjera të Epirit) mezi arrin 1 mijë banorë. Këto të dhëna e vendosin këtë qendër të banuar midis qytetit dhe fshatit.

Kjo sipërfaqe kaq e vogël është një tjetër dëshmi që ky qytet në luginën e Carakovistës nuk ka lidhje me Dodonën pellazge. Ndërhyrja e Pierre Cabanes e vërteton këtë. Ai nuk mund ta imagjinonte dot që qyteti i Dodonës të ishte dhjetë herë më i vogël se Bylysi, Goumani apo Kasope. Si mundej që Dodona pellazge të ishte sa një lagje e këtyre qyteteve?

  Nga të dhënat që na jep Pseudo-Scymni, përreth Dodonës banonin shumë fise barbare të përziera, të cilët banonin edhe pranë faltores. Përderisa thuhet se banonin shumë fise, do të thotë se askujt nuk i ndalohej e drejta të banonte në Dodonë dhe territori në të cilin banonin këto fise duhet të ketë qenë i gjerë, në kufijtë e disa dhjetëra hektarëve,

Ndaj dhe vërejtja e Pierre Cabanes ishte në një farë mënyre e tillë: ndajeni mendjen, ky qytet në përmasat e një lagjeje, nuk mund të jetë njëkohësisht edhe qytet i Dodonës, edhe qytet i institucioneve epirote.

Vjen kështu prova e nëntë që vërteton se ky qytet i luginës së Carakovistës nuk i përket Dodonës por ka qenë një qendër e banuar ku kishin selinë institucionet epirote.


Argumenti i dhjetë

Monedhat e gjetura në luginën e Carakovistës.

Monedhat e gjetura në luginën e Carakovistës prej Konstandin Karapanos dhe që i përkasin Epirit janë 20.

1- monedha me prerje: Apeirotan 9 copë.

2- monedha me prerje:  Mollosson 2 copë.

3- monedha me prerje: Kassopaion 1 copë.

4- monedha me prerje: Kassopaion dhe Mollosson 1 copë.

5- monedha me prerje: Ambracie 5 copë.

6- monedha me prerje: të mbretit Pirro 2 copë.11)

Siç shihet numrin më të madh e formojnë monedhat që i kanë prerë institucionet epirote: Aleanca Epirote (mesi shek. IV-232) dhe Lidhja epirote (viti 232 -167 para Krishtit). Monedhat që vijnë nga qytetet e tjera janë në numër më të vogël. Ndërsa qyteteve të tjera u dihet vendndodhja, monedhat që u përkasin institucioneve epirote është ky qytet ku dhe ato gjenden. Monedhat dëshmojnë se ky qytet ka qenë qendra e institucioneve epirote, në emër të të cilave janë prerë këto monedha.

Monedhat e luginës së Carakovistës provojnë që ky qytet nuk i ka përkitur Dodonës dhe në të njëjtën kohë vërtetojnë se është krijuar për të qenë Selia e Institucioneve Epirote dhe jetëgjatësia e tij gati dy shekullore është e lidhur me jetëgjatësinë që patën institucionet e Epirit. Nëse ky qytet do të kishte qenë Dodona, do të ishte gjetur qoftë dhe një monedhë e vetme që do t`i përkiste periudhës romake. Dodona ka ekzistuar përgjatë gjithë periudhës romake, madje dhe në periudhën e Krishtërimit. Mungesa e monedhave të periudhës romake formon provën e dhjetë ku vërtetohet se ky qytet i luginës së Carakovistës nuk i ka përkitur Dodonës.

Mateli arrin në përfundimin se nuk gjendet asnjë e dhënë nga autorët antikë që ta vendosë Dodonën në mes të Epirit, ndërkohë që të gjitha dëshmitë e autorëve antikë e vendosin Dodonën në veri të Epirit, në tokën e Molosisë. Gjetjet arkeologjike në luginën e Carakovistës vërtetojnë se ky qytet nuk i përket Dodonës, sepse nuk gjendet asnjë dëshmi arkeologjike që të provojë se ky qytet i përket Dodonës. Faltorja e Di Naios vërteton që nuk është qyteti i Dodonës, sepse në Dodonë nderohej Di Dodonen e provuar me dëshmi të shumta në librat e autorëve antikë.


Citimet:

1-Pierre Larousse, Grand dictionnaire universel du XIX siècle, vol. VI, faqe 1023.

2-Karapanos, Konstandin, “Dodonë e ses ruins” faqe 1.

3- Gërmime epirote (në Epir) prej Evangjellis, Dh. faqe 30-31.

4-Kristo Frashëri, Janullatosi tregon..., gazeta shqiptare dt. 17 nëntor 2010.

5-Karapanos, Konstadin, “Dodonë e ses ruins” faqe 39-47.

  6-Karapanos, Konstadin, “Dodonë e ses ruins” faqe 49-68.

  7-Parke, Herbert William “The oracles of Zeus: Dodona, Olympia, Ammon, Blackwell, 1967”, faqe 259-273

  8-Konstandin Karapanoss, Dodonë e ses ruines, faqe 10.

9-Dakaris, S.I. “Organization politique et urbanistique de la ville dans l`Epire antique” faqe 73-75.

10- Pierre Cabanes, “Reflexions sur quelques historiques des confins illyro- epirotes, IVe-Ie J.-C.), faqe 80.

11- Karapanos, Konstadin, “Dodonë e ses ruins”, faqe 108-109


Burimet:

1-Pierre Larousse, Grand dictionnaire universel du XIX siècle, vol. VI

2-Karapanos, Konstandin, “Dodonë e ses ruins” Paris 1878

3-Arkivi i Institutit të Historisë, Gërmime epirote (në Epir) prej Evangjellis, Dh.

4-Kristo Frashëri, Janullatosi tregon..., gazeta shqiptare dt. 17 nëntor 2010.

5-Karapanos, Konstadin, “Dodonë e ses ruins” Paris 1878

6-Karapanos, Konstadin, “Dodonë e ses ruins” Paris 1878

7-Parke, Herbert William “The oracles of Zeus: Dodona, Olympia, Ammon, Blackwell, 1967

8-Konstandin Karapanoss, Dodonë e ses ruines, Paris 1878,

9-Dakaris, S.I. dans “L`Ylliri meridionale et l`Epir dans l`Atiquite, Actes du colloque de Clermont-Ferrand, 22-25 octobre 1984,

10- Pierre Cabanes, dans “L`Ylliri meridionale et l`Epir dans l`Atiquite, Actes du colloque de Clermont-Ferrand, 22-25 octobre 1984, faqe 80.

11- Karapanos, Konstadin, “Dodonë e ses ruins”, Paris 1878