Draft:Shërbimi Shëndetësor në Kosovë (1992 - 1999)
Shërbimi Shëndetësor në Kosovë në periudhën mes viteve 1992 - 1999 ka qenë një formë e vetorganizimit unik në fushën e shëndetësisë për ofrimin e shërbimeve përkatëse banorëve të Kosovës, në kushtet të apartheidit të imponuara nga regjimi i Serbisë. Nismëtar dhe bartës i këtij organizimi ka qenë Dr. Gani Demolli në kuadër të Shoqata Humanitare Bamirëse e Kosovës “Nënë Tereza”.[1]
Historiku
RedaktoKriza e thellë politike që e përfshiu Kosovën me vite të tëra, në vitin 1990 kulminoi me krizë të thellë ekonomike kur shumica e të punësuarve shqiptarë përmjet masave të dhunshme u larguan nga vendet e tyre të punës dhe kështu mbetën pa të ardhura personale si dhe pa sigurim social dhe mbrojtje shëndetësore. Përjashtimi i punëtorëve shëndetësorë nga puna filloi qysh në mars të vitit 1990, për shkak të ofrimit të ndihmës që ua ofruan nxënësve të helmuar.
Që nga viti 1990 u themeluan dhe vepronin një sërë klinkash private, por ato ishin shumë të papërballueshme për shumicën dërmuese të popullatës. Për këtë shkak më 30 mars 1992, në Kodrën e Trimave në Prishtinë Dr. Gani Demolli hapi ambulancën e parë humanitare, Poliklinika “Nëna”, duke vënë themelet e Shërbimit Shëndetësor të SH.H.B.K. “Nëna Tereze”. Me kohë shembullin e Kodrës së Trimave, lagjes më të varfër në Prishtinë, e ndoqën edhe shumë lagje dhe fshatra, kështu që më 23 mars 1999 në Kosovë ishin 96 ambulanca, ishte një shërbim shëndetësor i afirmuar dhe respektabil në përmasa kombëtare dhe ndërkombëtare.[2]
Ishte ky një shërbim specifik shëndetësor, dhe mbase i vetmi i këtij lloji në botë dhe këtyre përmasave. Një shërbim të ngjashëm e kishte vënë në jetë Partia Black Panthers në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në fillimvitete 1970 në disa qendra.
Disa nga veçoritë tij ishin:
- të gjithë punëtorët shëndetësorë dhe të tjerët punonin pa kurrfarë kompensimi material:
- të gjitha ambulancat ishin të vendosura në shtëpi private dhe të ofruara nga popullata pa kurrfarë kompensimi material,
- dyert e këtij shërbimi ishin të hapura për të gjithë, pavarësisht nga përkatësia kombëtare, fetare, partiake apo bindjet politike:
- për të gjithë pacientët, shërbimet shëndetësore, barnat dhe materiali sanitar ishin falas:
- me pajisje medicinale, barna dhe material sanitar, këtë shërbim e furnizonin shumë organizata, asociacione dhe individë nga mbarë bota — falas:
- shërbimi shëndetësor kurrë nuk ka disponuar me xhirollogari e as që ka funksionuar me donacione në të holla — të gjithë aktivitetin e ka zhvilluar falë angazhimit vullnetar të personelit dhe donacioneve në barna, material sanitar dhe pajisje the dhuruara nga donatorët e jashtëm,
- i planifikuar që të funksionojë për një kohë të shkurtë, dhe vetëm për këshilla nënave dhe të sëmurëve kronik, me kohë ky shërbim u shndërrua në shërbim multidisiplinor.
Kështu p.sh. në poliklinikën “NËNA” funksiononin gjatë gjithë kohës këto shërbime: praktika e përgjithshme, pediatria, interno, kirurgjia, gjinekologjia, neuropsiatria, dermatologjia, pneumoftiza, ORL, oftalmologjia, stomatologjia, kujdesi intensiv, farmacia dhe shërbimi i transportit.
Maternitetit
RedaktoShërbimi më i vështirë për t'u realizuar ishte Materniteti në Prishtinë. Në Kosovë ekzistonin dy qendra të maternitetit të cilat udhëhiqeshin nga personeli shqiptar: në Gjakovë dhe në Drenas (Gllogovc). Shumica e kryeqytetasve por edhe të qendrave tjera shfrytëzonin këto dy qendra, Për shembull këngëtarja Rita Ora ishte lindur në Drenas, ndonëse prindërit i jetonin në Prishtinë. Arsyet për këtë ishin se shumë gjinekologë hezitonin të punonin pa pagesë, sakohë që fitonin mirë nëpër klinkat private. Pas përpjekjeve titanike të Dr. Gani Demollit, më 1995, Anton Çetta, i vuri gurthemelin e maternitetit të SHHB “Nënë Tereza”,cili filloi punën një vit më vonë. Në sallat e këtij materniteti u linden 12,385 fëmijë, u kryen më se 800 operacione të komplikuara si dhe u ofruan shumë shërbime gjinekologjike.
Fushata e vaksinimit kundër Polios
RedaktoMë 1996, kur epidemia e polios përfshiu rajonin e Hasit, nën patronatin e UNICEF-it dhe të OBSH e të udhëhequr nga Shërbimi Shëndetësor, më se 7000 veprimtarë të Shoqatës, të përkrahur nga subjektet politike dhe jo-politike te Kosovës, mobilizuan prindërit që të vaksinojnë fëmijët e tyre. Gjatë fushatës së parë, aktivistët e SHHB “Nënë Tereza” “zbuluan” më se 60 mijë fëmijë që nuk ishin vaksinuar kurrë. Fushata e cila vazhdoi edhe në vitin 1997 dhe 1998, përfshiu me vaksinim mbi 630 mijë fëmijë, ndërpreu hovin e polios, e gjatë kësaj fushate, ne dëshmuam se jemi këtu, se dimë dhe mundemi të organizohemi dhe se meritojmë përkrahjen nga bota demokratike.
Shërbimi shëndetësor në luftë
RedaktoMasakrat e para ndaj popullatës civile në Drenicë, shënuan fillimin e një epoke të re të të menduarit dhe të të vepruarit. Si punëtorë shënde- tësor definitivisht kuptuam se po na kanosetrreziku i shfarosjes biologjike, kuptuam se jemi plotësisht të papërgatitur për të kryer misionin tonë, por edhe kuptuam se më në fund jemi të gatshëm që të nda- jmë fatin me popullin tonë.
Ambulancat jashtë zonave të konfliktit e intensifikuan punën, zgjeruan dhe përforcuan ekipet mjekësore, zgjeruan dhe adaptuan lokalet shtesë për pranimin e pacientëve nga zonate konfliktit.
Në zonat e konfliktit mjekët dhe motrat e Nënës Tereze ishin aty, ku ishin fëmijët, gratë pleqtë, të lënduarit, të plagosurit. Ashtu si edhe shtëpitë tjera, u dogjën edhe ambulancat e Nënës Tereze, por për dallim prej shtëpive, ambulancat të nesërmen hapeshin. në fshatin tjetër, nën tenda apo qiell të hapur, hapeshin aty ku popullata stacionohej për një, dy apo më shumë ditë, duke pritur ofensivën tjetër.
Punëtorëve shëndetësorë si dhe popullatës në terren ndihmë e madhe u arrinte prej Prishtinës nëpërmes “ekipeve mobile”, të cilat në fillim nën flamurin e UNICEF-it dhe të MSF-it, e më vonë të IMCsë dhe MDM-it francez, për çdo ditë i vizitonin, iu sillnin barna, ushqim, veshëmbathje, iu sillnin shpresën, iu tregonin se nuk janë vetëm.
Kosovarët përjetuan periudhën më të rëndë në jetë kur bashkësia ndërkombëtare u largua nga Kosova dhe kur grupe të ndryshme të shfrenuarish shkatërronin, digjnin, dhunonin, vrisnin dhe masakronin populllatën e pambrojtur. Në atë kohë në Kosovë, së bashku me popullatën e pambrojtur, mbetën një numër i vogël punëtorësh shëndetësorë, me pak barna dhe material sanitar që kishin në dispozicion.
E tërë kjo veprimtari u realizua në kushte dhe rrethana të jashtëzakonshme, pa kurrëfar sigurie personale dhe kolektive, në objekte private, jo adekuate, me pajisje medicinale të vjetruar, pa infrastrukturë përcjellëse dhe me pengesa permanente të regjimit serb,i cili mbyllte ambulancat, konfiskonte barnat dhe materialin sanitar, maltretonte dhe arrestonte punëtorët shëndetësorë.
Fatkeqësisht, tetë anëtarë të Shërbimit Shëndetësor “Nëna Tereze”, angazhimin dhe kontributin e tyre në këtë veprimtari e paguan me jetë. Për tre të tjerë, nuk dihet asgjë. Bindja është, megjithatë, se me kalimin e kohës dhe me rivendosjen e vlerave morale, edhe kjo veprimtari dhe sakrificë madhore e këtyre punëtorëve shëndetësorë do të çmohet, respektohet dhe nderohet.
Falë vullnetit, dëshirës dhe solidaritetit të kosovarëve në vend, si dhe shumë shoqatave, klubeve dhe individëve shqiptarë në botë, por edhe falë përkrahjes materiale dhe morale nga miqtë evropianë dhe amerikanë, të cilëve të gjithë kosovarët do t'iu jenë përherë mirënjohës, Shërbimi Shëndetësori SH.H.B.K. “Nëna Tereze” arriti të mbijetojë dhe të kryejë misionin e vet të shenjtë.[3]
Personeli
RedaktoNumri i personelit që kontribuoi në këto 8 vjet në tërë Kosovën është me sa vijon:
- mjekë të praktikës së përgjithshme (433)
- mjekë specialist, prej të cilëve 38 profesorë të Universitetit (208)
- motra medicinale (884)
- punëtorë ndihmës (102)
- Gjithsej (1637)
Numri i shërbimeve shëndetësore që ofruan këta punëtorë është:
- vizita mjekësore (2 184 914)
- injeksione (1 554 999)
- përpunimi i plagëve (139 546)
- infuzione (11 886)
- Gjithsej (4 491 345)[2]
Shih edhe
RedaktoReferime
Redakto- ^ Ismajli, R.; Kraja, M., red. (2011). Kosova : vështrim monografik [Kosova: A monographic survey]. Prishtinë: Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës. fq. 447.
- ^ a b Gani Demolli (2000) Shërbimi Shëndetësor i Shoqatës Humanitare Bëmirëse të Kosovës "Nëna Terezë", Koha, Prishtinë
- ^ Gani Demolli (2007) Një luftë më ndryshe, Koha, Prishtinë, fq. 5 - 372