Drejtësia në Islam është një kërkesë e drejtë për drejtë nga Krijuesi i gjithë njerëzisë, All-llahu, (Zoti). Përmes ajeteve Kur'anore Zoti na urdhëron të jemi të drejtë.

Drejtësia e vërtetë, e përshkruar në Kuran, udhëzon njeriun që të sillet me drejtësi, pa bërë dallime mes njerëzve, të mbrojë të drejtat njerëzore, të mos lejojë dhunën pavarësisht nga rrethanat, të qëndrojë në anën e të shtypurve kundër shtypësit dhe të ndihmojë të varfërit. Kjo drejtësi bën thirrje për të drejtat e të gjitha palëve që të mbrohen kur merret një vendim për një mosmarëveshje, duke vlerësuar të gjitha anët e një incidenti, duke lënë mënjanë të gjitha paragjykimet, duke qenë objektivë, të ndershëm, tolerantë, të mëshirshëm e të dhimbsur. Për shembull, dikush që nuk mund t'i çmojë ngjarjet në një mënyrë të moderuar dhe që mposhtet nga emocionet dhe ndjenjat, nuk do të arrijë në vendime të sakta dhe do të mbetet nën ndikimin e ndjenjave. Ai që është i prirur nga drejtësia, duhet t'i lërë mënjanë të gjitha ndjenjat dhe këndvështrimet vetjake. Atij i duhet t'i trajtojë të gjitha palët me drejtësi kur ata kërkojnë ndihmë, të jetë në krah të së drejtës në çdo rrethanë dhe të mos i largohet rrugës së ndershmërisë dhe të së vërtetës. Çdo njeri duhet të mishërojë vlerat e Kuranit në shpirtin e tij në një mënyrë që ai të mund të jetë i aftë të vlerësojë interesat e palëve, përpara të tijave dhe të mbajë drejtësi edhe kur i preken interesat vetjake.[1]

Zoti urdhëron kështu në surën "El-Maide", vargu 42: "...nëse gjykoni, bëjeni këtë me drejtësi mes tyre!" Në suren "En-Nisa", Zoti i urdhëron besimtarët të sillen me drejtësi edhe ndaj vetvetes:

"O ju që besuat! Tregohuni përkrahës të drejtësisë, dëshmoni vetëm për Zotin, qoftë edhe kundër vetvetes, prindërve apo të afërmve tuaj! Pavarësisht nëse pala tjetër janë të pasur apo të varfër, Zoti mundet të tregojë kujdes për ta. Mos ndiqni dëshirat tuaja personale dhe mos iu shmangni të vërtetës! Nëse dredhoni apo tërhiqeni, Zoti është i mirënjohur me atë që veproni."[2]

Në Kuran, Zoti sjell një përshkrim të hollësishëm të drejtësisë dhe u bën të ditur besimtarëve për qëndrimin që ata duhet të mbajnë përballë ngjarjeve me të cilat përballen, si dhe për mënyrën se si duhet ta ushtrojnë drejtësinë. Një udhëzim i tillë përbën një mirësi dhe mëshirë të madhe për besimtarët. Për këtë arsye, ata që besojnë, kanë përgjegjësinë e të ushtruarit të drejtësisë pa bërë dallime, për të fituar aprovimin e Zotit dhe për t'i drejtuar jetët e tyre në paqe e siguri.

Drejtësia, për të cilën Zoti urdhëron në Kuran, është ajo drejtësi që kushtëzohet me ushtrimin e saj në mënyrë të barabartë për të gjithë njerëzit, pavarësisht nga gjuha, raca apo kombësia. Ende në ditët tona, ka në çdo anë të globit njerëz që u nënshtrohen trajtimeve mizore e të padrejta për shkak të ngjyrës së lëkurës apo racës.

Sidoqoftë, Zoti na bën të ditur në Kuran se qëllimi në krijimin e fiseve e popujve të ndryshëm, është "që ata ta njohin njëri-tjetrin". Kombet dhe popujt e ndryshëm duhet ta njohin njëri-tjetrin; kjo do të thotë, të mësojnë për kulturat e tyre të ndryshme, për gjuhët, traditat e veçoritë. shkurt, njëri nga qëllimet e krijimit të racave e kombeve të ndryshëm, nuk është konflikti dhe lufta por pasuria kulturore. Një shumëllojshmëri e tillë është shprehje e bujarisë së Zotit në krijim. Fakti se dikush është më i gjatë se dikush tjetër apo se lëkura e tij është e bardhë apo e verdhë, nuk i siguron atij asnjë epërsi ndaj të tjerëve, ashtu sikurse nuk përbën edhe ndonjë arsye për t'u ndjerë i turpëruar. Çdo trajtë që gjendet në pamjen e jashtme të një njeriu, është një vepër e qëllimshme e Zotit, por për Zotin ndryshimet nuk kanë rëndësi përfundimtare. Një besimtar e di se ai arrin të sigurojë epërsi vetëm në sajë të frikës ndaj Zotit dhe forcës së besimit të tij tek Ai. Ky fakt është i lidhur me vargun e mëposhtëm kuranor:

"O njerëz! Ne ju krijuam prej një mashkulli e një femre dhe ju shndërruam në popuj e fise, në mënyrë që të njiheni me njëri-tjetrin. Më fisniku ndër ju tek Allahu është ai që është më i devotshëm. Zoti është i Gjithëditur, i Mirëinformuar."[3]

Sikurse Zoti na bën të ditur në këtë varg, të kuptuarit e drejtësisë së rekomanduar prej Tij kërkon trajtim të barabartë, tolerant dhe të paqshëm për këdo, duke përjashtuar çdo diskriminim.

Urrejtja e ndjerë ndaj një bashkësie nuk i ndal besimtarët nga ushtrimi i drejtësisë

Njerëzit mund t'u shkaktojnë çdo lloj padrejtësie njerëzve të tjerë, ndaj të cilëve ushqejnë ndjenja armiqësie. Ata mund t'i akuzojnë këta njerëz për vepra që ata nuk i kanë kryer, ose mund të sjellin dëshmi të rreme kundër tyre, pavarësisht se e kanë të njohur pafajësinë e tyre. Duke llogaritur një armiqësi të tillë, njerëzit mund t'i nënshtrohen një shtypjeje të padurueshme. Disa njerëz mund të refuzojnë të dëshmojnë në favor të njerëzve, me të cilët kanë mosmarrëveshje dhe mund të fshehin provat, megjithëse mund ta dinë se ata janë të pafajshëm. Për më tepër, ata ndjejnë kënaqësi nga mjerimi i këtyre njerëzve, si dhe nga ballafaqimi i tyre me padrejtësinë dhe vuajtjen. Nga ana tjetër, shqetësimi më i madh për ta është vënia e drejtësisë dhe të provuarit e pafajësisë së njerëzve që nuk duan.

Për këto arsye, është shumë e vështirë që njerëzit në shoqëri të korruptuara, të kenë besim te njëri-tjetri. Njerëzit shqetësohen se mos bien viktimë e dikujt tjetër në çdo kohë. Pasi kanë humbur besimin e ndërsjellë, ata humbin gjithashtu edhe ndjenjat e tyre njerëzore si toleranca, dhembshuria, vëllazërimi e bashkëpunimi dhe fillojnë ta urrejnë njëri-tjetrin.

Sidoqoftë, ndjenjat që dikush mban në zemër ndaj një njeriu apo bashkësie, nuk duhet të ndikojnë në vendimet e besimtarit. Pavarësisht se sa imoral apo i keq mund të jetë një njeri, besimtari duhet të lerë mënjanë të gjitha ndjenjat, të marrë vendime të drejta dhe të rekomandojë më të mirën. Ndërgjegjja e tij e frymëzon gjithmonë të zbatojë urdhërat dhe këshillat hyjnore dhe të mos e braktisë kurrë mirësinë, sepse kjo është një urdhëresë që Zoti na jep në Kuran. Në suren "El-Maide" thuhet si më poshtë:

"O ju që besuat! Tregohuni të drejtë në gjykim, dëshmitarë të sinqertë për hir të Allahut! Mos lejoni që urrejtja ndaj një grupi njerëzish t'ju shtyjë të bëni padrejtësi ndaj tyre! Tregohuni të drejtë! Kjo është më pranë devotshmërisë. Kijeni frikë Allahun! Ai është i njohur me atë që veproni."[4]

Sikurse thuhet në këtë varg, mbajtja e një qëndrimi të drejtë është ajo që plotëson më së miri frikën ndaj Zotit. Një njeri besimtar e di se do të arrijë kënaqësinë e Zotit vetëm nëse vepron me ndershmëri. Çdo njeri që vëren sjelljet e mira të dikujt, do të ketë besim tek ai, do ta ndjejë veten mirë në prani të tij dhe do të jetë i gatshëm t'i besojë çdo përgjegjësi e detyrë. Njerëz të tillë trajtohen me respekt edhe nga vetë armiqtë e tyre. Qëndrimi i tyre mundet që t'i shtyjë të tjerët edhe në besimin te Zoti.

Shih edhe

Redakto

Referimet

Redakto

Lidhje të jashtme

Redakto