Drejtësia Kushtetuese
Ky artikull ose seksion duhet të përmirësohet sipas udhëzimeve të Wikipedia-s. |
Ky artikull nuk citon asnjë burim, prandaj mund të mos jetë i saktë. |
Drejtësia Kushtetuese është një nocion për të shprehur institucionet dhe teknikat nëpërmjet të cilave sigurohet supremacia e kushtetutës. Thelbi i kësaj është garantimi i realitetit kushtetues.
Sipas një përkufizimi tjetër drejtësia kushtetuese është institucioni dhe teknika që garanton respektimin e hierarkisë së burimeve të së drejtës dhe, me këtë, supremacisë së normës së kushtetutës, si norma eprore në një sistem juridik. Mirëpo deri më tani nga këto përkufizime sikur po del që gjyqtari kushtetues është arbitër i pushteteve. Mirëpo gjyqtari kushtetues është diçka më tepër se aq. Për të shpjeguar këtë duhet të cekim dy definicione të drejtësisë kushtetuese.
Sipas një përkufizimi, drejtësia kushtetuese është funksioni i arbitrimit të kompetencës ndërmjet pushteteve publike,dhe, gjyqtari kushtetues është gjyqtari i këtyre pushteteve, posaçërisht i atij ligjvënës dhe ekzekutiv. Pra një gjyqtar jep drejtësi kushtetuese kur vendos mbi konfliktet, ne te cilat janë palë pushtetet publike pa marrë parasysh a kemi të bëjmë me zbatimin e normave kushtetuese apo ligjore. Përkufizimi tjetër thotë se drejtësia kushtetuese është funksion i zbatimit të rregullave kushtetuese, pavarësisht nëse palët janë pushtete publike ose subjekte të tjera, ose me fjalë të tjera, çdo gjyqtar që zbaton rregullat kushtetuese në çështjet ose mosmarrëveshjet që i shtrohen për gjykim, jep drejtësi kushtetuese.
Rëndësia e drejtësisë kushtetuese
RedaktoVetë kushtetutshmëria shprehet në institucionalizimin e pushtetit politik dhe nënshtrimin e tij ndaj rregullave të caktuara duke imponuar përputhjen me aktin themelor të shtetit (kushtetutën), të të gjitha akteve ligjore që nxjerrin organet e pushtetit publik. Kurse drejtësia kushtetuese e bënë të mundur realizimin e një procesi të tillë të kushtetutshmërisë. Pra, drejtësia kushtetuese ndihmon në institucionalizimin e rendit demokratik, synon kufizimin e pushtetit, si dhe garanton respektimin e lirive dhe të drejtave të shtetasve. Epërsia e kushtetutës,pra, përbënë konceptin kryesor të drejtësisë kushtetuese. Duhet të ceket që funksioni i dhënies së drejtësisë kushtetuese nuk mund të jetë atribut i organeve që nxjerrin ligje (legjislativit) apo atyre që i zbatojnë ligjet (ekzekutivit) sepse ato mund të jene, dhe shpesh janë, objekt i kësaj drejtësie. Për këtë arsye kjo kompetencë duhet t’i jepet një organi, i cili për shkak të pavarësisë që ka ndaj organeve tjera, mund të zgjidhë mosmarrëveshjet ligjore në mënyrë të paanshme.
Teoritë kryesore në fushën e kontrollit kushtetues
RedaktoPërgjithësisht pranohet se ekzistojnë dy modele bazë të drejtësisë kushtetuese: modeli amerikan dhe ai evropian.
Lindja dhe zhvillimi i sistemit të konrollit kushtetues
RedaktoKontrolli kushtetues konsiderohet si një institut juridik i ri në doktrinën e së drejtës kushtetuese, por edhe si një ndër pjesët më të rëndësishme të saj. Zhvillimi ndryshëm i sistemeve të kontrollit kushtetues ka kaluar në dy faza kryesore që kanë si kriter ndarjeje ekzistencën e një Kushtetute të shkruar.
Faza e parë i përket periudhës përpara hartimit të kushtetutës , kur mbarëvajtja e rregullave të jetës shoqërore ishte më tepër një problem i zhvillimit etik, moral, shpirtëror dhe tradicional i çdo vendi, se sa një objektiv dhe qëllim i ligjit.
Faza e dytë i korrespondon zhvillimit të marrëdhënieve shoqërore dhe organizimit të shtetit nëpërmjet Kushtetutës, njohjes së epërsisë dhe vlerësimit të mbrojtjes së saj si një nevojë themelore. Kjo ishte dhe rruga e ndërtimit të shoqërisë moderne, e cila kërkonte jo vetëm marrëveshje për rregullat e sjelljes por edhe një sistem ndërhyrës të mbrojtjes dhe të kontrollit po ashtu. Si do të shohim më poshtë ky institucion për herë të parë do të n’a paraqitur në një vend me sistem juridik Common Law, për të vazhduar zhvillimin e tij, duke u shpërndarë (sot) pothuajse në çdo sistem juridik.
Në Angli
RedaktoKëtu i hasim fillimet e drejtësisë kushtetuese, ashtu sikurse shumë institucioneve të tjera. Paradoksalisht, Anglia është djep i kësaj ideje të një institucioni nuk e ka , dhe s’e ka pranuar as sot e kësaj dite. Megjithatë ideja se gjyqtari mund të refuzoj zbatimin e ndonjë ligji kur ai është në kundërshtim me një rregull më të lartë, është pikërisht Angleze.
Më 1610 gjyqtari Sir Edward Coke, në rastin e Dr. Bonham konstatoj se Common Law kishte fuqi më të lartë se sa ligjet mbretërore. Në këtë rast mendimi i Kokut ishte se “kolegji i mjekëve” të Londrës nuk kishte kompetencë të dënonte z.Bonham për ushtrim pa leje të mjekësisë, sepse ligj që i parashihte atij dënimin ishte i paarsyeshëm dhe në kundërshtim me common law.
Pra përfundimi nga ky rast ishte se kur ligji i parlamentit bëhej i papranueshëm dhe i pamundur për t’u zbatuar ai bëhej i pavlefshëm në kuptimin e common law.
Në SH.B.A.
RedaktoKëtu, drejtësia kushtetuese nuk ka qenë e parashikuar asnjëherë formalisht as në kushtetutat e shteteve e as në atë federale. Kushtetuta (neni 3) nuk e thotë as edhe një fjali që do t’i jepte kompetenca Gjykatës së Lartë amerikane që të ketë të drejtë të shmangte zbatimin e ligjeve apo akteve të tjera si jo-kushtetuese. Megjithatë praktika tashmë kishte filluar t’a aplikonte këtë parim që më vonë do të quhej si rishikim gjyqësor (judicial review) , ku disa njësi federale (shtete) kishin filluar të ushtronin një lloj kontrolli të ligjeve të tyre dhe pajtimit të tyre me kushtetutën e shtetit përkatës.
Mirëpo, rasti i cili do të “instalonte” këtë doktrinë (judicial review) të rishikimit gjyqësorë do të vinte vetëm në vitin 1803. Ishte rasti Marbury vs. Medison.
Çështja lindi për shkak të ndryshimeve politike në Amerikë, pikërisht në fillim të shekullit 19. Më 1800 Tomas Jefferson u zgjodh president i SHBA-ve dhe republikanët fituan shumicën në të dyja dhomat e kongresit. Gjatë kalimit të pushtetit, Xhon Adams (ish presidenti) bëri disa emërime gjyqtarësh federal, të cilët me sa duket ishin partizan të tij. Por disa emërime si ai i Wiliam Marbury, megjithatë nuk arritën të kalonin dhe Jeffersoni me të ardhur në detyrë i pezulloj ato . Atëherë W. Marbury iu drejtua Gjykatës së Lartë, duke parashtruar disa dispozita të ligjit mbi organizimin Gjyqësorë (Judiciary Act 1789). Sipas këtij ligji Gjykata kishte të drejtë të urdhëronte administratën që të vinte në zbatim emërimet e reja. Por Xhon Mashall (gjyqëtar i gjykatës së lartë ) dha një vendim tjetër. Arsyetimi i vendimit ishte pak a shumë kështu Marbury kishte të drejtë të emërohej, por Gjykata nuk kishte të drejtë të urdhëronte zbatimin e vendimit për emërim, sepse dispozita e ligjit mbi organizimin gjyqësor që e parashikonte këtë të drejtë gjykatës, ishte në kundërshtim me Kushtetutën. Duke ia dhënë një kompetencë të tillë gjykatës, Kongresi i kishte kapërcyer kufijtë e njohur me Kushtetutë.
Në teori, argumentimi i marshallit ishte përmbledhur në këto pika:
- Kushtetua është më e lartë se çdo normë tjetër,
- Ligji mbi organizimin gjyqësor, 1789 ishte në kundërshtim me Kushtetutën,
- Ky ligj duhej shpallur i pavlefshëm si Anti-Kushtetues.
Në Evropë
RedaktoEtapa e parë: pas luftës së parë botërore
RedaktoNë këtë periudhë kemi krijimin e gjykatave kushtetuese në gjashtë vende: Austri, Gjermani, Çekosllovaki, Spanjë, Rumani dhe Irlandë.
Shembulli i parë është Gjermania e cila me kushtetutën e Vajmarit (1919), në nenin 102 të saj, i njohu Gjykatës së Shtetit kompetencën e zgjidhjes së konflikteve ndërmjet pushteteve publike , kurse gjyqtarëve të zakonshëm të drejtën për të mos batuar ligjet që ishin antikushtetuese në proceset që ata gjykoni. Çekosllovakia – në kushtetutën e 1920-ës thuhej se Gjyqtarët e zakonshëm ishin të detyruar t’i drejtoheshin Gjykatës Kushtetuese, kur ligji që duhet zbatonin në një çështje konkrete ishte, sipas tyre, në kundërshtim me kushtetutën, Kemi pra këtu një kontroll incidental të detyrueshëm dhe jo fakultativ.
Austria në Kushtetutën e 1920-ës, i solli dy risi të rëndësishme: së pari formimi i Gjykatës Kushtetuese, e cila historikisht ka qenë gjykata e parë e tillë në Evropë e specializuar për çështje të tilla. E dyta, ajo mund të vendoste shfuqizimin e ligjeve dha akteve nënligjore të papajtueshme me kushtetutën federale, kur i kërkohej nga qeveria federale ose e lëndëve. Vendimet në këso raste kishin fuqi të përgjithshme (erga omnes) Gjithashtu kjo Gjykatë kishte kompetencë të zgjidhte konfliktet ndërmjet pushteteve publike, që përbënë një tjetër largim nga modeli Amerikan.
Kushtetuta e Irlandës është i pari tekst kushtetues (1937) i një vendi të common law që shënoj shkëputje nga sistemi juridik Britanik. Kjo kishte një kushtetutë të shkruar, që nuk është e zakonshme për vendet e common law. Kjo kushtetutë (që është në fuqi edhe sot ) ia lejoj Gjykatës së Lartë ( Hight Court dhe Court of Appeal) dy kompetenca të drejtësisë kushtetuese : së pari , kontrollin paraprak të kushtetutshmërisë së ligjeve të votuara (me kërkesë të presidentit) dhe konstatimin e kushtetutshmërisë së një ligji i cili është në zbatim në një procedurë të zakonshme.
Etapa e dytë: pas luftës së dytë botërore
RedaktoKjo etapë përfshinë vendet e Evropës Perëndimore. Gjatë kësaj kohe, vendet evropiane u priren drejt krijimit të një modeli të veçantë, që dallohej dukshëm nga ai amerikan. Vetëm dy vende ndoqën shembullin amerikan (Danimarka dhe Suedia).
Shumica e vendeve evropiane ngritën Gjykatat Kushtetuese, të cilat përgjithësisht zbatonin këto tri teknika kryesore:
- Kontroll konkret kushtetues të normave juridike
- Kontroll abstrakt kushtetues të këtyre normave, dhe
- Kontroll incidental i konstitucionalitetit të ligjeve të zbatueshme në procesin gjyqësor të zakonshëm (një lloj kontrolli konkret).
Duhet thënë se teknika evropiane e zbatuar nga gjykatat e specializuara kushtetuese, është e ndërlikuar dhe e sofistikuar, veç të tjerave për shkak të filozofisë juridike të Evropës dhe pajtimit të kërkesave të një drejtësie kushtetuese me karakteristikat e sistemit të saj juridik romanist.
Etapa e tretë: pas rënies së komunizmit
RedaktoKjo periudhë përfshinë vendet e Evropës Qëndrore dhe Lindore. Nga të gjitha vendet e kësaj pjese të Evropës vetëm tre patën krijuar Gjykatat Kushtetuese para shembjes së komunizmit (Jugosllavia -1963, Çekosllovakia-1968 dhe Polonia-1982) Në kohën e sotme pothuajse të gjitha vendet kësaj pjese të Evropës kanë krijuar Gjykatat Kushtetuese.
Llojet e kontrollit kushtetues
RedaktoFormat e kontrollit të kushtetutshmërisë sipas interesit që mbrohet
RedaktoSubjekti fillestarë kërkues i vlerësimit të kushtetutshmërisë së ligjit apo aktit tjetër, kur e merr një iniciativë të tillë , zakonisht tek ai mund të ketë motive të ndryshme që e kanë shtyrë për një gjë të tillë. Mund të ndodhë që subjekti të jetë individ dhe këtë kërkesë t’a bëjë tërësish për arsye dhe interesa të tij personale, nëse konsideron se me ndonjë ligj apo akt tjetër i është zvogëluar apo cenuar ndonjë e drejtë e garantuar me Kushtetutë. Ose , në një tjetër rast mund të ndodhë që subjekti që i drejtohet Gjykatës Kushtetuese (apo të rregullt në shtetet me kontroll kushtetutshmërie të sistemit të shpërndarë) , të jetë i obliguar në bazë të detyrës zyrtare të referoj çështjen për një kontroll të tillë. Në rastin e parë ,pra, kemi një interes personal e në të dytin kërkohet të mbrohet një interes më i gjerë dhe subjekti që e bën kërkesën nuk e bën në emër dhe për interesa të tij personale( individuale). Varësisht nga motivet në bazë të të cilave subjekti fillestarë që e merr nismën për të kërkuar kushtetutshmërinë e një ligji apo akti tjetër n’a paraqiten dy lloje të kontrollit të kushtetutshmërisë:
Kontrolli abstrakt
RedaktoKarakteri abstrakt i kontrollit të kushtetues të ligjeve apo akteve tjera nënkupton shqyrtimin e kushtetutshmërisë së normës juridike mbi interesat objektive të bartësve të funksioneve publike. Ekzistimi i interesave të tilla objektive të subjekteve që drejtojnë ankesën, e bënë të domosdoshme ekzistimin e një gjykate të veçantë.
Karakteristikë e këtij lloji të gjykimit është shqyrtimi abstrakt (in abstractio) ndaj normave juridike, nga një gjykatë e veçantë si dhe efekti i përgjithshëm (egra omnes) i vendimeve të saj.
Si subjekte ngritëse të këtij lloji të kontrollit paraqiten bartësit e disa funksioneve publike (presidenti, ombduspersoni, kryetari i Kuvendit, kryeministri, komunat, etj.) e në disa raste edhe grupet minoritare. Ky lloj kontrolli konsiderohet si “parandalues” në kuptimin që nuk e lejon një normë juridike , e cila është në kundërshtim me Kushtetutën, që të marr efekt (tek kontrolli Ex ante) apo nëse ka marrë efekt nuk e lejon të ketë efekte të tilla negative në të ardhmen (tek kontrolli Ex-post). Po ashtu si efekt i këtij lloji të kontrolli është pastrimi i sistemit juridik nga normat dhe aktet tjera që mund jenë në kundërshtim me kushtetutën, përpara se ato të cenojnë liritë themelore të individëve dhe parimet e shtetit ligjor. Por ky lloj kontrolli, ka efektin, dhe shpesh përdoret për të zgjidhur “ngatërresat” që mund të kenë ndodhur ndërmjet pushteteve të ndryshme në lidhje me funksionimin dhe kompetencat e tyre.
Kontrolli konkret
RedaktoKontrolli konkret lind kryesisht në procedurat që zhvillohen para një gjykate të zakonshme. Ky lloj kontrolli është gjithmonë kontroll i cili bëhet pasi që norma juridike apo akti të ketë marrë efektet e duhura (pra bëhet ex-post)
Natyra konkrete e këtij lloji të kontrollit vërehet në faktin se ngrihet nga gjykatat e zakonshme në një rast konkret që zhvillohet para tyre. Nëse në një rast të tillë lind ndonjë çështje që gjykatës së zakonshme i krijon dyshimin (në disa shtete bindjen) që një normë juridike është në kundërshtim me Kushtetutën atëherë rastin e tillë e referojnë në Gjykatën Kushtetuese për një kontroll të tillë . Pra “heqja e dyshimit” në lidhje me Kushtetutshmërinë e normës apo aktit, që gjykata e zakonshme e bën duke e dërguar çështjen në Gjykatën Kushtetuese mund të konsiderohet si çështje para gjykimore. Është e tillë sepse nga zgjidhja e kësaj çështje , të cilën zgjidhje e bën Gjykata Kushtetuese, varet edhe se si do të rrjedhë më tej procesi i zgjidhjes së rastit.
Mirëpo duhet cekur se ky lloj kontrolli është konkret vetëm në kuptimin që lind nga një çështje e cila është konkrete dhe zhvillohet ndërmjet palëve. Përndryshe në raportin gjykatë e zakonshme Gjykatë Kushtetuese ky prapë është një gjykim abstrakt (objektiv) sepse e ngrittë një organ publik (gjykata) dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese (pjesa e arsyetimit) nuk dallon nga vendimi që jepet në një procedurë komplet abstrakte. Megjithatë karakterin subjektiv e vërejmë në faktin se gjykatat e zakonshme nuk mund të sjellin vetvetiu , pa pasur një rast të paraqitur nga palët, çështjen e “jo-kushtetutshmërisë” së ndonjë norme juridike. Po ashtu ndërlidhjen e “konkretes” me “abstrakten” në raste të tilla e vërejmë në faktin se pas dhënies së vendimit të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me anti-kushtetutshmërinë e normës në fjalë, ai vendim ka efekte për të gjithë (egra omnes) edhe në rastet e ardhshme. Me një fjalë këtu tash vërehet karakteri objektiv i këtij lloji të gjykimit (kontrollit). Pra rasti rezulton me humbjen e efektit të ligjit (apo pjese të tij) të cilit ligj i ndalohen efektet e mëtutjeshme.
Duhet cekur se ky lloj kontrolli quhet ndryshe edhe si kontroll incidental. Kjo për faktin se fakti se një normë mund të jetë në kundërshtim me Kushtetutën , është vërejtur nga gjykatat e zakonshme në mënyrë të “rastësishme”
Format e kontrollit sipas faktit se kush e ushtron kontrollin
RedaktoKontrolli i centralizuar
RedaktoNë modelin Evropian (kelzian) të kontrollit të kushtetutshmërisë një funksion i tillë është i centralizuar. Kjo nënkupton ekzistimin e një organi të veçantë për mbrojtjen e Kushtetutës. Ky organ zakonisht emërohet si Gjykatë Kushtetuese dhe gjendet jashtë sistemit të gjykatave të rregullta dhe njëkohësisht luan edhe rolin e instancës së fundit të interpretimit të Kushtetutës.
Kontrolli i centralizuar nënkupton të drejtën dhe autorizimin e vetëm një organi për interpretimin përfundimtarë të Kushtetutës e po ashtu edhe kontrollin e përputhshmërisë së ligjeve dhe akteve tjera me të. Por kjo në të njëjtën kohë nënkupton edhe mungesën e autorizimit dhe të drejtës që gjykatat e rregullta të bëjnë një kontroll të tillë. Në rast se gjykatat e zakonshme hasin në raste të tilla, atëherë ato janë të obliguara që rastin e tillë ta referojnë në Gjykatën Kushtetuese (kontrolli incidental).
Sistem i tillë i kontrollit në formë të centralizuar është karakteristikë e vendeve me sistem kontinental (me përjashtime )
Kontrolli i shpërndarë (difuz)
RedaktoNë disa sisteme juridike kompetencat për kontroll kushtetues janë të shpërndara në tërë sistemin e gjykatave. Kjo nënkupton se në këto sisteme të drejtën e kontrollit të kushtetutshmërisë së ligjeve apo akteve të tjera e kanë edhe gjykatat e zakonshme. Një rast të tillë e gjejmë në SHBA, ku një gjyqtar i zakonshëm ka autorizim të zgjidhë vetë një rekurs (ankesë) për kundër-kshtuetutshmëri të ndonjë ligji, pa pasur nevojë t’i referoj çështjen një gjykate të lartë.
Vetë fakti që një kontroll i tillë është i shpërndarë, imponon që ky kontroll të jetë njëkohësisht edhe konkret (sipas faktit se kush e merr iniciativën) dhe ex post (sipas faktit se kur bëhet kontrolli i ligjit apo aktit) . Në të kundërtën po të kishin gjykatat e zakonshme një kompetencë për kontroll abstrakt kjo do të përbënte një ndërhyrje në kompetencat e organeve tjera dhe tejkalim i atyre gjyqësore. Po ashtu fakti se kontrolli i shpërndarë duhet të jetë konkret rrjedhë edhe nga kërkesa e parimit “cases and contraversies” (rasti të jetë i kundërshtueshëm) dhe parimi tjetër që të mungoj karakteri politik në një gjykim të tillë (absent of political question doctrine).
Një çështje tjetër karakteristike e këtij lloji të kontrolli është forma ex-post e tij. Kjo sepse, meqë bëhet fjalë për një çështje konkrete kontrolli nuk mund të jetë tjetër pos pasi të ketë ndodhur miratimi i ligjit apo aktit tjetër. Kjo për faktin se për të “paditur” për kundër-kushtetutshmëri një ligj apo akt tjetër duhet patjetër që ai ligj të jetë bërë i plotfuqishëm. Ndryshe, në mungesë të fuqisë së ligjit apo aktit të tillë ai nuk ka si të prodhoj pasoja (në këtë rast anti-kushtetuese).