Elementë teorik të stabilitetit të anijes e zbatimi praktik
Elementë teorik të stabilitetit të anijes e zbatimi praktik, pjesa e parë Gjinia: Studim. Autori: Përparim Zaimi, Albert Koço. Shtëpia botuese: "Edlora". Viti i botimit 2011. Faqet e librit 290. ISBN 978-99928-139-27-6
Fragment nga libri
Para fillimit të ngarkimit e deri në momentin që arrin në portin e shkarkimit, komanda e anijes kryen një sërë veprimesh të tilla si:
• Plani i ngarkimit: shpërndarjen e ngarkesës në hambar sipas kurbaturës (m3) dhe faktorët stivues të mallit në ton/ m3 (ose m3/ton).
• Llogaritjen e stabilitetit statik (të peshës) dhe stabilitetin dinamik (të formës) për të nxjerrë një lartësi metaqëndrore (GM) të pranueshme sipas llojit të ngarkesës që transporton anija.
• Mënjanimin në maksimum të efektit të sipërfaqeve të lira të lëngjeve në tanke si dhe ndikimin që kanë ato mbi lartësinë metaqëndrore.
• Llogaritjen e konsumeve ditore në karburant, vaj lubrifikant, furnizime të ndryshme dhe ujë të ëmbël, mbi bazën e të cilave do të kryhet furnizimi deri në portin e mbërritjes duke shtuar 10 % rezervë.
• Përpilimin e planit të lundrimit duke zgjedhur rrugën më të shkurtër e me më pak rreziqe lundrimore deri në destinacionin përfundimtar si dhe përcaktimin e vendeve të strehimit dhe qëndrimit në spirancë në rast të motit me erë dhe valëzim të fuqishëm.
• Marrjen e vazhdueshme të informacionit mbi kushtet e motit në rajonin e lundrimit për të marrë masat e duhura siguruese.
• Kontrollon funksionimin e mekanizmave dhe aparaturave në bord, mjetet e sigurisë për përballimin e fatkeqësive të mundshme në anije dhe shpëtimit në det.
• Drejtuesit planifikojnë dhe kryejnë veprime për mirëmbajtjen e anijes, njohjen e saj në imtësi si dhe evidentojnë e njohim mirë cilësitë manovruese të anijes.