Elevator Action: Returns (në shqip Aksion në Ashensor: Rikthimi ose në origjinalin e saj エレベーターアクション リターンズ Erebētā Akushon Ritānzu, njohur gjithashtu edhe si Elevator Action II) është një lojë arcade e llojit shoot ‘em up prodhuar nga Taito dhe publikuar në vitin 1994. Loja është një ripërpunim i lojës së parë arcade Elevator Action, me ndryshime të shumta.

Pamje nga loja, niveli i dytë.

Historia bën fjalë për një organizatë terroriste që ka vendosur bomba të shumta në godina të ndryshme. Lojtarit i duhet të caktivizojë bombat. Nivelet përbëhen nga tre lloj dyersh: të gjelbra (nga ku dalin armiqtë), blu (ku mund të merren armë, pikë ose jetë) dhe dyert e kuqe në të cilat ndodhen bombat (lojtari duhet të futet në këto të fundit detyrimisht për të vazhduar me lojën).

Lojtari mund të zgjedhë midis tre lojtarëve të ndryshëm me ndryshimet e tyre në fuqi, armë dhe shpejtësi. Personazhet janë Kart Bradfield (përdor si armë primare pistoletë Glog 18 dhe armë dytësore Granadë), Edie Burret (përdor si armë primare pistoletë Bereta M92F dhe armë dytësore Fire Bomb) dhe Jad The Taff (përdor si armë primare pistoletë Desert Eagle dhe armë dytësore Sensor Bomb). Lojtari humbet nëse merr një numër të caktuar goditjesh, nëse shtypet në ashensor ose nëse bjen një kat më poshtë.

Loja është e thjeshtë në pamje të parë, vetëm me dy butona. Një nga butonat shërben për gjuajtjen, tjetri për kërcimin ndërsa kombinimi i tyre shërben për hedhjen e një bombe si armë ndihmëse. Loja është publikuar edhe për konzola të tjera. Elevator Action: Returns ishte pjesë përfshirë në volumin Taito Legends 2 publikuar në vitin 2007 për Xbox, PC dhe PlayStation 2.

Shiko edhe

Redakto

Lidhje të jashtme

Redakto