Eritrocitopoeza
Kjo faqe është e palidhur nga faqe të tjera. |
Eritrocitopoeza është procesi i krijimit të eritrociteve të reja (rruazave të kuqe të gjakut) prej qelizave amë të tyre nëpërmjet procesit të diferencimit, maturimit dhe humbjes së bërthamës dhe kryhet në palcën e kuqe të eshtrave. Për eritrocitopoezën janë të nevojshëm shumë faktorë si : ndërtimi normal i palcës së eshtrave, prania në palcë e të gjithë faktorëve të nevojshëm për ndarjen dhe maturimin e qelizave (Fe, Co, Cu, albuminat, vitaminat - B12 dhe acidi folik), temperatura e përshtatshme lokale etj. Palca e eshtrave çdo orë krijon rreth 900 milion eritrocite, ndërsa në rast nevoje eritrocitopoeza mund të rritet për 6-8 herë.
Linja qelizore e eritrociteve
RedaktoParaardhësi më i hershëm i njohur i linjës qelizore të eritrociteve është proeritroblasti ose pronormoblasti. Proeritroblasti është qeliza më e madhe e linjës qelizore eritrocitare, ka një bërthamë të madhe me një ose më shumë bërthamëza dhe qartë e veçuar nga citoplazma. Citoplazma është pak bazofile dhe nuk përmban granula. Në këtë nivel të maturimit fillon endocitoza e kompleksit Fe3+ nga matriksi jashtëqelizor. Me ndarjen e proeritroblastit krijohet eritroblasti bazofil. Ai është diçka më i vogël se paraardhësi i tij, bërthamëza shpeshherë nuk i duket, ndërsa citoplazma e zë ¼ e volumit të qelizës dhe është bazofile, përshkak të pranisë së ribozomeve të shumënumërta që gjenden në të. Në ato sintetizohet globina, derisa në mitokondre fillon sinteza e hemit. Me ndarjen e eritroblastit bazofil krijohet eritroblasti polikromatofil ose intermedijer. Me zvogëlimin e përmasës së qelizës, zvogëlohet edhe bërthama, e cila tashmë zë gjysmën e vëllimit qelizor, ndërsa në citoplazmë fillon të shihet sinteza e hemoglobinës. Me ndarjen e eritroblastit polikromatofil formohet eritroblasti acidofil. Bërthama e tij është e vogël dhe ndërpritet sinteza e ADN-së (qeliza humb aftësinë për tu ndarë), kurse citoplazma tani zë pjesën më të madhe të qelizës dhe përmban sasi të mëdha të hemoglobinës. Me largimin e bërthamës nga eritroblasti acidofil formohet retikulociti, i cili në citoplazmë ende përmban sasi të vogël të materieve bazofile (mbetje të organeleve qelizore). Bërthamën e tretin makrofagët e ishujve eritrocitarë. Në këtë stad qelizat kalojnë nga palca e eshtrave në qarkullimin e gjakut nëpërmjet kapilarëve sinusoidal me anë të dijapedezës. Ndërpritet endocitoza e hekurit, por sinteza e hemoglobinës vazhdon edhe për një kohë të caktuar dhe ngadalë ndalon. Janë të nevojshme rreth 5 ditë që nga proeritroblasti të krijohet retikulociti, ndërsa edhe 2 dytë që nga ai të krijohet eritrociti i ri. Të gjitha këto qeliza, duke filluar nga proeritroblasti e deri te eritrociti quhen me emrin e përbashkët eritron.
Rregullimi i prodhimit të eritrociteve
RedaktoPjesën më të madhe të eritrocitopoezës e rregullon shtypja parciale e oksigjenit në inde. Çdo gjendje e cila shkakton zvogëlimin e shpërndarjes së oksigjenit në inde dhe qeliza, çon në rritjen e prodhimit të eritrociteve. Faktori kryesor i cili ndikon në rritjen e eritrocitopoezës është hormoni eritropoetin. Ajo është një glikoprotein, e cila në pjesën më të madhe tajohet në veshkë, por një pjesë e vogël edhe në mëlçi. Vendi primar i veprimit të këtij hormoni janë qelizat burimore pluripotente, të caktuara për krijimin e proeritroblasteve. Veprimi sekondar i eritropoetinës është përshpejtimi i integrimit të hekurit në hem dhe përshpejtimi i kalimit të retikulocitit në gjakun periferik. Përveç eritropoetinës edhe sistemi nervor dhe hormonet (androgjenet, prolaktin, hormonet vazoaktive) dhe molekula ciklike adenozin-monofosfat (cAMP) kanë veprim në stimulimin e eritrocitopoezës.