ZYMBERI, Erson (1983 - )

Erson Zymberi, Paris 2019

Erson Zymberi është regjisor. U lind në Gjilan. Shkollën fillore dhe atë të mesme i kreu në vendlindje. Studimet për Regji Teatri (2006) i kreu në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinë. Poashtu, kreu studimet postdiplomike në programin master të Teatrit Eksperimental (2014), nën udhëheqjen e prof. Bekim Lumit. Si student, me shfaqjen e tij “Tuneli” (Teatri Dodona, Prishtinë, 2005), në Festivalin “Skena UP”, shpërblehet si “regjisori më i mirë i festivalit”. Ka bërë regjinë e shfaqjeve: “Kumbara” (Teatri i Gjilanit,  2007), “Sex, rrena dhe pata t’egra” (Teatri i Gjilanit, 2008), “Gjithçka 1.5” (Teatri ODA, 2008),  “Rekuiem” nga Mehmet Kraja (Teatri i Gjilanit, 2010), “Pacienti i Dr. Frojdit” (Teatri i Gjilanit 2012), “Koloneli Zog” (Teatri Profesionist i Gjakovës, 2014), “Ufo-t” nga Bashkim Hoxha(Teatri i Gjilanit, 2015), “Gishti” nga Doruntina Basha (Teatri Kombëtar i Kosovës, 2015), “Ana dhe Zefi” (Teatri Kombëtar i Kosovës, 2018), “UN Inspektori” (Teatri “Adriana” – Ferizaj, 2019), "Të vdekurit mbajnë zi për atdheun" nga Beqir Musliu (Teatri Kombëtar i Kosovës, 2021), “Bobi Vatson bie nga kati i nëntë por nuk vdes plotësisht” nga Jeton Neziraj (Teatri Dodona - Prishtinë, 2021), etj. Ka qenë regjisor i serialit të famshëm televiziv “O’ sa mirë” për disa sezona (2017, 2019 dhe 2020), regjisor i serialit televiziv për fëmijë “O’ sa mire KiDS” (2018), regjisor i serialit televiziv “Sha je be tu folën?” (2020). Ai ka qenë poashtu edhe Drejtor Artistik i Teatrit të Gjilanit (2008) dhe më vonë edhe Kryetar i Këshillit Drejtues të Teatrit të Gjilanit (2014). Në vitin 2018 është zgjedhur Drejtor i përgjithshëm i Teatrit të Qytetit të Gjilanit ku edhe aktualisht punon.