Eshref Pumo
Eshref Pumo (Gjirokastër, 3 dhjetor 1924 - ?).
Biografia
RedaktoKëtu mori arsimin fillor dhe gjysmën e Gjimnazit, kurse pjesën tjetër e vazhdoi dhe e mbaroi në Tiranë më 1943. Duhet theksuar që në fillim, se Eshrefi bashkë me familjen e tij e përqafuan herët LANÇ. Kështu, vëllai i madh, Pertefi, u inkuadrua në radhët e Ushtrisë Nacionalçlirimtare, ndërsa Eshrefi, në moshë të re, u bë anëtar aktiv i Rinisë Antifashiste më 1942.
Në kohën kur okupatori mundohej që të zbulonte me anën e spiunëve të tij aktivistët e Rinisë dhe të Frontit NÇ, Eshrefi, me guxim dhe në fshehtësinë më të madhe shpërndante komunikata e trakte. Në shtëpinë e tij, bashkë me anëtarin e këtyre rreshtave janë shkruar pankarta të mëdha me parrulla kundër okupatorit, të cilat u afishuan në disa rrugë të qytetit.
Eshref Pumo ka marrë pjesë aktive në demonstratat e zhvilluara në Gjirokastër dhe, më vonë, në ato të organizuara në Tiranë me të rinjtë e gjimnazit. Për vendosmërinë dhe veprimtarinë e tij aktive kundër okupatorit, ai pranohet në radhët e PKSH që në dhjetor të vitit 1943. Me të hyrë në Parti, caktohet të punojë në shtypin ilegal të organizatës së Rinisë në Stegopul dhe në Selckë të krahinës së Lunxhërisë. Më vonë transferohet në Teknikën e shtypit ilegal të PK të Qarkut të Gjirokastrës me qendër në Sheper të Zagorisë. Këtu, bashkë me Qemal Xhangon e Reis Çanin ka shtypur komunikata, trakte, qarkore dhe këngë për brigadat partizane, ka realizuar shumëfishim të gazetave “Kushtrimi i lirisë” dhe “Zëri i Popullit”, që vinin nga Tirana, si dhe broshura të ndryshme me përmbajtje revolucionare. Këtu Eshrefi punoi deri në çlirimin e plotë të Shqipërisë, më 29 nëntor 1944. Falë kontributit që dha gjatë LANÇ, ai mban tri dekorata lufte, si dhe të tjera pune.
Pas çlirimit të vendit ai shkoi për studime të larta në Poloni, ku, më 1952, në qytetin e Krakovit mbaroi Akademinë Minerare. Kur u kthye në atdhe, u emërua kryeinxhinier në Drejtorinë e Përgjithshme të Gjeologjisë. Më tej ai u ngarkua me detyra të rëndësishme shtetërore në sektorin e gjeologjisë.
Nga viti 1965 dhe deri në fund të jetës, Eshref Pumo ka qënë Dekan i Fakultet të Gjeologjisë. Si dekan ai ka gëzuar simpatinë dhe respektin e studentëve, të pedagogëve dhe të punonjësve të tjerë. Në veprimtarinë e tij shkencore përfshihen shumë artikuj, monografi dhe tekste mësimore për studentët. Ndërkohë, ai është bashkautor i përgatitjes së “Harta Gjeologjike e Shqipërisë”. Ai meritoi dhe përligji titullin: Profesor.
Me rastin e 82 vjetorit të lindjes e kujtojmë me respekt e nderim të veçantë. Jeta dhe veprimtaria e tij qenë dhe mbeten një model i përkryer i shërbimit tërë përkushtim ndaj popullit e atdheut.