Esnafi i tabakëve
Esnafi i tabakëve është esnafi i regjjes së lëkurës. Ky organizim është një bashkim në bazë të të njëjtit zanat.
Tabak, rrjedh nga fjala arabe debbag që do të thotë lëkurë.[1]
Esnafi i tabakëve në Elbasan
RedaktoRegjja e lëkurave sikundër në të gjithë qytetet edhe në Elbasan u vendos në vendet pranë ujit. Në fund të shek. XVII regjja dhe përpunimi i lëkurës arriti në një shkallë të lartë. Në Elbasan kishte 35 punishte (tabakhane) të lëkurës. Me zhviIlimin e prodhimit të mallrave, esnafi i tabakëve u bë forca më e madhe në jetën qytetare të vendit. Si më kompakti dhe më i organizuar nga të gjithë esnafët e tjerë, si më i fuqishmi dhe më i pasur ky arriti që të ngjitet në shkallët e hirarkisë feudale qytetare. Shenjat dalluese të kësaj pozite primare i shohim shumë herët në Elbasan, ku sipas dokumentit të vitit 1580 në fushatat luftarake tabakët rezervonin krahun e djathtë të ushtrisë, që ishte një vend nderi. Deri në shekullin XVIII, tabakët u bënë mbështetje e fuqishme e pushtetit otoman. Me ardhjen në fuqi të pashallarëve shiptarë, kjo mbështetje u dobësua, aq sa tabakët, sikurse esnafët e tjerë u vunë në shërbim të feudalëve vendas. Nga një dokument i shek. XVIII del se pasardhësi i Mehmet Pashë Plakut, Karamahmuti në një ekspeditë drejt Shipërisë së Mesme, kishte me vete rreth 300 luftëtarë të zgjedhur nga esnafët e tabakëve e terzijve. Numri i madh i toponimeve dëshmon për pozitën e rëndësishme të këtij esnafi si: Çesma e Tabakëve, Sheshi i Tabakëve, Teqja e Tabakëve, Mulliri i Tabakëve, Xhamia e Tabakëve, Tyrbja e Tabakëve, Sallatashi i Tabakëve, Rrapi i Tabakëve.[2]
Esnafi i tabakëve në shek. XIX, me rënien në përgjithësi të sistemit esnafor e humbi rëndësinë, privilegjet dhe fuqinë e madhe të dikurshme ekonomike, shoqërore e politiko-ushtarake.
Në degën e përpunimit të lëkurës bënin pjesë tabakët që regjnin lëkurë kafshësh të buta dhe të egra e i ngjyrosnin ato, saraçët që punonin artikuj të ndryshëm lëkurë, opingarët që bënin opinga për fshatarët, papuçitë dhe këpucarët që prodhonin për qytetin.
Regjja e lëkurës si proces ishte jo i njëllojtë për lëkurët e kafshëve të ndryshme. Lëkura në fillim krypej nga faqja e brendshme dhe pastaj kthehej me qëllim që të ishte në kontakt me ajrin, e vendosej në një dërrasë të thatë. Lihej për 4-5 ditë që të thahej dhe ishte e gatshme për punim (lëkura e bagëtive të imta). Po kështu përgatitej dhe lëkura e vajit e cila qëndronte në vaj disa ditë. Proçesi i përpunimit të lëkurës për meshin bëhej duke i hequr leshin, duke i kriposur, dhe duke i hedhur preparate kimike primitive me originë bimore.
Në Elbasan, prodhoheshin lëkura të ngjyrosura (të kuqe, të verdhë, të zezë, bardhë), punohej meshini i hollë dhe i bardhë, saftiani i butë me ngjyra, qeselë me shkëlqim etj. Saftiani ishte lëkurë e përpunuar e dhive dhe e kecave dhe ajo me ngjyrë të kuqe që quhej kajser. Specialisti i fundit i ngjyrosjes së kajserit ishte Sula i Bajram Tabakut që jetoi deri ne vitet e para të shek. XX.[3]
Në vitin 1932 qyteti kishte 10 tabakë.[4]