Estrada e Pogradecit u krijua në maj të vitit 1962. Fillimisht në trupën e saj kishte 5 aktorë, 5 instrumentistë, 2 këngëtar dhe regjisori. Premiera e parë titullohej: "E pe, mendohu!" me regjisor Piro Xeci. Në profilin e saj artistik, kjo trupë ka pasur synimin të paraqesë e fshikullojë dukuri e tipa të ndryshëm negativë me mbartje komike, duke aplikuar gjerazi si format e lehta të humorit, groteskun, farsat etj., ashtu edhe satirë dhe sarkazmën politike. Ka parapëlqyer rëndom materiale humoristike dhe satirike, të ndërthurura me muzikë. Gjatë viteve 1975-1980, Estrada e Pogradecit u plotësua dhe u zgjerua me artistë të shkolluar, aktorë dhe muzikantë me përgatitjen e duhur profesioniste. Si rrjedhojë hapsira dhe kualiteti i rrokjes , i paraqitjes dhe i trajtimit artistik të dukurive, sikundër edhe niveli i interpretimit dhe ekzekutimit aktorial, regjisorial apo muzikor shënoi një rritje. Ka përgatitur mesatarisht 3 premiera në vit dhe ka dhënë një numër të madh shfaqjesh në Pogradec dhe në qytete të tjera të vendit. Ndër premierat më të mira kanë qenë : "Kritikë dhe muzikë", "Godas në shenjë", "Pogradeci ju përshëndet", "Vizita e parë" etj. Tipar dallues i Estradës së Pogradecit ka qenë prania e këngës popullore qytetare e trevës së Pogradecit, përpunimi dhe stilizimi i saj me një gjuhë muzikore të bukur. Regjisorë të saj përmenden: Tomi Mato (1962-1974), Mario Ashiku (1974-1985) dhe Kastriot Ramollari (1985 dhe më tutje). Dirigjentë të orkestrës kane qenë: Mihallaq Kole, njëkohësisht edhe këngëtar, dhe Kristaq Koci. Skenografi më i pranishëm në premierat e saj ishte Anastas Kostandini.

Nga interpretuesit e trupës janë shquar sidomos aktorët: Ilir Shkurti, Ligoraq Riza, Nikoleta Bitri, Athina Mele, Vangjo Shkurti, Vladimir Mullaj, Petrit Krate e të tjerë, dhe këngëtarët: Roza Dhami, Ilmi Sulollari etj. Pas vitit 1991 u larguan shumë aktorë dhe muzikantë. Aktualisht Estrada e Pogradecit thuajse është inekzistente. [1] [2]


Referime Redakto

  1. ^ "Kopje e arkivuar". Arkivuar nga origjinali më 22 shtator 2020. Marrë më 7 shtator 2020. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)Mirëmbajtja CS1: Archived copy si titull (lidhja)
  2. ^ "Kopje e arkivuar". Arkivuar nga origjinali më 7 shtator 2020. Marrë më 7 shtator 2020. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)Mirëmbajtja CS1: Archived copy si titull (lidhja)