Ethet e Nilit Perëndimor

sëmundje njerëzore
(Përcjellë nga Ethet e Nilit perëndimor)

Ethet e Nilit Perëndimor[1] janë një sëmundje e shkaktuar nga virusi i Nilit Perëndimor, i cili mori emrin nga dega e Nilit Perëndimor në Ugandë, ku u diagnostikua për herë të parë në vitin 1937. Kjo sëmundje u zbulua te një grua që vuante nga një temperaturë shumë e lartë.

Përhapja dhe rastet

Redakto

Ndërkohë që është një sëmundje tipike e kontinentit të Afrikës, ethet e Nilit Perëndimor po përhapen edhe në pjesë të tjera të botës. Rastet e personave të prekur në vendet e Ballkanit tregojnë për këtë zgjerim të përhapjes së sëmundjes.

Simptomat

Redakto

Periudha e inkubacionit për ethet e Nilit Perëndimor varion nga 2 deri në 15 ditë, dhe në format më të lehta, sëmundja zgjat nga 3 deri në 6 ditë.[2]

Simptomat e lehta

Redakto

Rreth 80% e rasteve të transmetuara te njerëzit nuk manifestojnë simptoma. Kur simptomat shfaqen, ato janë të ngjashme me gripin dhe përfshijnë:[3]

  • Temperaturë e moderuar
  • Gjendje parehatie e përgjithshme
  • Ulje të oreksit
  • Të përziera
  • Dhimbje koke
  • Dhimbje sysh
  • Dhimbje shpine
  • Dhimbje muskujsh
  • Kollë
  • Puçrra
  • Diarre
  • Nyje limfatike të zmadhuara
  • Vështirësi në frymëmarrje

Simptomat e rënda

Redakto

Format më të rënda të sëmundjes, që kërkojnë trajtim të specializuar, karakterizohen nga simptoma më të forta, si:

  • Temperaturë e lartë
  • Encefalit (inflamacon i trurit)
  • Meningjit (inflamacion i membranave që mbulojnë trurin dhe palcën kurrizore)
  • Dhimbje të forta të kokës
  • Dobësi dhe paralizë të lehtë
  • Simptoma gastrointestinale
  • Çorientim
  • Të dridhura
  • Konvulsione
  • Puçrra në kurriz, qafë, krahë dhe këmbë
  • Ataksi (humbja progresive e koordinimit të muskujve)
  • Koma[4]

Në përgjithësi, kjo sëmundje është e shërueshme, por për rreth 1% të pacientëve, mund të degjenerojë në meningjit ose encefalit, veçanërisht te personat e moshuar ose me imunitet të dobët.

Transmetimi i virusit të Nilit Perëndimor

Redakto

Virusi i Nilit Perëndimor transmetohet përmes pickimit të mushkonjave. Sa më i madh numri i infeksioneve dhe i mushkonjave në mjedis, aq më e madhe është mundësia e kontaktit me sëmundjen. Ethet e Nilit Perëndimor mund të infektojnë edhe kafshët, në veçanti zogjtë shtegtarë, të cilët janë përgjegjës për përhapjen e virusit në botë.

Parandalimi

Redakto

Mjeti më efikas për parandalimin e etheve të Nilit Perëndimor është përdorimi i pajisjeve ose sprai kundër mushkonjave dhe insekteve për të shmangur pickimet e mundshme nga insektet bartëse[5]. Gjithashtu, rekomandohet që të evitohen zonat ku ka kafshë të ngordhura ose pellgje me ujë të ndenjur, të cilat tërheqin mushkonjat.

Kohëzgjatja e sëmundjes

Redakto

Ndërsa prognoza e përgjithshme është e favorshme, studimet e tanishme tregojnë se ethet e Nilit Perëndimor shpesh mund të jenë më të rënda sesa mendohej më parë, me raste që kërkojnë deri në 90 ditë për shërimin e plotë. Edhe pacientët e prekur nga format e lehta mund të përjetojnë simptoma të llojeve të ndryshme (të dridhura dhe disfunksion senso-motor) për një vit ose më shumë. Në rastet e rënda, disa dëme mund të jenë të përhershme.

Më pak se 1% e pacientëve të prekur paraqesin simptoma të rënda dhe/ose fatale. Personat e infektuar dhe që kanë kaluar ethet e Nilit Perëndimor kanë fituar imunitet të përhershëm.

Trajtimi

Redakto

Aktualisht nuk ekzistojnë vaksina apo trajtime specifike për ethet e Nilit Perëndimor. Zakonisht përdoren medikamente që ndihmojnë në lehtësimin e simptomave të sëmundjes.

Referime

Redakto
  1. ^ https://niph-rks.org/virusi-i-nilit-perendimor/
  2. ^ https://al.spitaliamerikan.com/ethet-e-nilit-perendimor-simptomat-dhe-parandalimi/
  3. ^ https://tiranapost.al/shendeti/fare-jane-ethet-e-nilit-dhe-pse-sduhet-te-shqetesohemi-i533819/
  4. ^ https://indeksonline.net/ethet-e-nilit-shfaqen-ne-evrope-ja-cfare-duhet-te-dini-per-semundjen-vdekjeprurese/
  5. ^ https://shqiptarja.com/lajm/ethet-e-nilit-simptomat-dhe-parandalimi/