Etnos në epos
Etnos në epos Studim monografik me Autor Prof. dr. Shaban Sinani. Shtëpia botuese: “Naimi”. Viti i botimit: 2011. Nr. i faqeve: 240 faqe. ISBN 978-9928-109-02-6
Studimi monografik “Etnos në epos”, i botuar tashmë si libër nga shtëpia botuese “Naimi”, është përfundim i një procesi pune kërkimore afro 15-vjeçare të prof. dr. Shaban Sinanit.
Etnosi shqiptar dhe eposi shqiptar janë që të dyja kategori parakombëtare, që vijnë prej kohërash shumë të hershme. Koha e formimit të etnosit shqiptar dhe koha e formimit të eposit shqiptar, “gojëdhënës kombëtare”, përkojnë jo rastësisht në një kalendar krahasimtar. Studimi ka për qëllim të identifikojë këtë kushtëzim dhe të argumentojë ndikimin e formimit të vetëdijes etnike parashqiptare në krijimin e eposit legjendar shqiptar.
Duke qenë i prirur drejt shtresimeve më të vjetra të epikës legjendare shqiptare, ky studim në një farë mënyre është vazhdim i monografisë “Mitologji në eposin e kreshnikëve” (2000, 2006 bis) dhe i studimeve të përfshira në librat “Kështjella e virtytit” (2001) e “Ura dhe kështjella” (2006), botime këto nga i njëjti autor. Nga këndvështrimi i lidhjes kushtëzuese historike dhe etnologjike midis etnosit dhe eposit shqiptar shihen shumica e çështjeve të parashtruara në këtë libër, prej atyre të termave dhe emërtimeve, deri tek marrëdhëniet midis disa prej ligjërimeve më të vjetra të shqipes: ligjërimit biblik-ungjillor, ligjërimit etnografik - prozodisë popullore dhe ligjërimit etnojuridik - traditës së ligjeve të pashkruara.
Ndër të tjera, në këtë libër shqyrtohet edhe “institucioni i besës” tek shqiptarët; i pranishëm në eposin legjendar, por edhe në statutet e bashkësive urbane arbërore në periudhën humaniste të fundit të Mesjetës dhe në kodet etnojuridikë të mëvonshëm; tradicionalisht i shërbyer si një albanizëm që u trashëgua si pjesë e identitetit shqiptar dhe në rrjedhë të kohërave u ballkanizua si dukuri dhënëse shqiptare. Certifikimi i një procesi të ndërlikuar psiko-gjuhësor që dëshmohet përgjatë shekujve, proces në të cilin besa rezulton në një shumëkuptimësi të paskajuar (besa si paqe, besa si fe, besa si besim, besa si bekim; besa si kod etik, besa si nyje juridike, besa si shenjë dhe vetëdije fetare etj.) e bën traditën gojore vendëse të paralelizueshme me procesin historik të formimit të popullit shqiptar.
Në tërësinë e vet studimi ndjek parimin se qëllimeve kombëtare u shërbehet përmes të vërtetave shkencore dhe se një “shkencë atdhetare” funksionuese pa mendimin kritik s’mund të ketë kurrfarë dobie më.