Evis Kushi është Ministrja e Arsimit dhe Sportit në Republikën e Shqipërisë që nga data 14 shtator 2020.

Evis Kushi

Jetëshkrimi Redakto

Evis Kushi lindi më 7 tetor 1975 në Elbasan. Ajo është e martuar dhe ka 2 vajza.

Kushi është diplomuar në vitin 1997 në degën Administrim ‐ Biznes (Marketing), Fakulteti i Ekonomisë, Universiteti i Tiranës. Në vitin 2008 fitoi gradën shkencore “Doktor” (PhD) në Ekonomiks-Turizëm, Universiteti “Staffordshire”, Angli.

Në nëntor të 2010 fitoi titullin akademik “Profesor i Asociuar,” në Universitetin “Aleksandër Moisiu”, Durrës. Gjashtë vjet më vonë, më 26 korrik 2016, Kushi mori edhe titullin akademik “Profesor” në Universitetin Bujqësor të Tiranës.

Evis Kushi e nisi karrierën e saj në vitin 1998 si lektore në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan, në lëndët kryesore “Bazat e Marketingut” dhe “Ekonometri” (1998‐2012). Mes viteve 2010‐2012, Kushi mbajti pozicionin e shefes së Departamentit “Ekonomia dhe e Drejta”, Fakulteti i Ekonomisë, Universiteti “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan. Në 2012‐2013 shërbeu si dekane e Fakultetit të Ekonomisë, në po këtë universitet.

Nga viti 2013 e në vazhdim, Kushi është deputete e Qarkut të Elbasanit në Kuvendin e Shqipërisë, si dhe ka qenë pjesë e Komisionit për Ekonominë dhe Financat. Njëkohësisht, ka shërbyer edhe si pedagoge me kohë të pjesshme në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan dhe në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë.

Për sa u përket aktiviteteve shoqërore politike, Evis Kushi është anëtare e Partisë Socialiste që prej Marsit 2013 dhe anëtare e Kryesisë së Partisë Socialiste që prej Prillit 2016. Deri në momentin e marrjes së pozicionit të ministrit, ajo ka qenë Nënkryetare e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste.

Kushi ka marrë pjesë në shumë konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe është autore e bashkëautore e një sërë artikujsh shkencorë në revista brenda e jashtë vendit.

Ajo flet rrjedhshëm gjuhën angleze, franceze dhe atë italiane.[1][2]

Referime dhe shënime Redakto

  1. ^ "Kopje e arkivuar". Arkivuar nga origjinali më 20 janar 2021. Marrë më 24 shkurt 2021. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)Mirëmbajtja CS1: Archived copy si titull (lidhja)
  2. ^ "Kopje e arkivuar". Arkivuar nga origjinali më 1 gusht 2021. Marrë më 24 shkurt 2021. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)Mirëmbajtja CS1: Archived copy si titull (lidhja)