Fabula të zgjedhura (Gjikë Kurtiqi)
Fabula të zgjedhura Autori: Gjikë Kurtiqi. Botuesi: Toena. Faqet e librit 204.
Gjikë Kurtiqi është pa dyshim njëri nga fabulistët tanë më të spikatur, i cili del para lexuesve me një vëllim me fabula të zgjedhura nga 12 vëllimet e botuara prej tij ndër vite. Duke lexuar fabulat e këtij vëllimi ajo që të bie menjëherë në sy është niveli i spikatur artistik dhe tematika e tyre. Kryesisht fabulat kanë tematikë aktuale, trajtojnë problemet që shqetësojnë e preokupojnë sot njerëzit, dhe shoqërinë tonë.Personazhet e fabulave të Gjikë Kurtiqit nuk janë vetëm kafshët e egra e të buta si elefanti, luani, tigri, ujku, dhelpra, lepuri, gjirafa, majmuni, gomari, kali, pela, qeni, macja, miu, sorra, bilbili etj., por dhe objekte e fenomene si në fabulat: "E drejta dhe korrupsioni", "Zjarri, uji dhe derri", "Qafa dhe zinxhiri", "Plastelina dhe mermeri", "Turpi dhe nderi", "Muri dhe tavani", "Smira, koprracia dhe fati", "Vida dhe perona", "Lajka dhe kritika" etj. Një nga vlerat e fabulave të Gjikë Kurtiqit është edhe mjeshtëria e përdorimit të dialogut, i cili bën që moralin lexuesi ta nxjerrë përmes bashkëbisedimit të personazheve dhe jo përmes gojës së autorit, siç ndodh jo rrallë në fabulat e autorëve të tjerë.