Fadil Zeqiri u lind në Kajcanj të Paramithisë së Çamërisë, më 15. 07. 1937. Shovinistët grekë, gjatë Luftës së Dytë Botërore, i vranë prindërit dhë shumë të afërm të tij. Mbeti jetim dhe kështu detyrohet të vijë në Shqipëri. U strehua në Sarandë, në jetimore. Katër ditë udhëtoi për në Durrës e pastaj shkoi në Tiranë, ku dhe u rrit e u edukua në Shtëpinë e Fëmijës. Kreu Shkollën e Mesme “Skënderbej” dhe më pas, në Bashkimin Sovjetik, studioi për Marinë Detare. Pesë vjet i bëri atje, nga të cilat tre në Riga të Lituanisë dhe dy në Azerbaxhan për ABD dhe Marinë të Përgjithshme. Emri i tij ka qenë nderi i Sazanit, Karaburunit, Orikumit, Vlorës e Babicës, ku shërbeu me përkushtim e devotshëri në funksion të forcave detare shqiptare. Pa u shkëputur nga puna studioi për Letërsi si dhe thelloi studimet duke përfunduar dhe Fakultetin Juridik. Për shumë vite ka qenë pedagog në Shkollën e Lartë të Marinës në Vlorë. Ishte kryetar i Këshillit të Përgjithshëm të Shoqatës “Çamëria”, anëtar i kryesisë së Shoqatës Atdhetare – Kulturore Mbarëkombëtare “Ismail Qemali”, ku ka qenë i ndjeshëm qëndrimi i tij kombëtar, në shërbim të rritjes së ndjenjës së atdhedhashurisë dhe respekimit deri në adhurim të simboleve të ndritura kombëtare si Pirro i Epirit, Gjergj Kastrioti, Hasan Tahsimi, Elena Gjika, vëllezërit Frashëri, Ismail Qemali, Isa Boletini e gjithë ata pishtarë drirëbërës për të orientuar shqiptarët në rrugën e diturisë, e lirisë, mirësisë e vëllazërisë, se vetëm ajo na sjell përparim. Fadil Zeqiri ka qenë anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë qysh nga viti 1965. Ai ka debutuar kryesisht në prozë, por ka shkruar dhe poezi, skenarë filmash, ekranizuar a botuar sidomos për interesa të ushtrisë, në radhët e së cilës kaloi tërë jetën, qysh nga fëmijëria e derisa mbushi moshën e doli në pension. Në prozë ka nxjerrë në dritë nga shtëpia botuese “Naim Frashëri” librat: “Midis dallgëve të oqeanit”, “Me vështrim nga deti” – tregime, “Shtegëtimi i fundit” – roman, “Nëndetësja 61” – roman, “Dhembi i tretë” – tregime, “Udhëtim në një hambar” – tregime, “Shënjestra dhe manushaqja” – tregime, monografinë “Ilia Dashi”, kushtuar heroit nga Poro e Myzeqesë së Vlorës. U nda nga jeta më 2 gushtit 2008.

Referimet

Redakto

"Zgalemi i Çamërisë dhe një mesazh për letrarët" nga Albert R. Habazaj (Gazeta Kombëtare 25/05/2013)