Fahrije Hoti u lind më 18 shtator 1969 në Rogovë të Hasit, Komuna e Gjakovës. Ajo është themeluesja e ndërmarrjes "Krusha", në të cilën janë të punësuara pesëdhjetë gra, shumica e të cilave kanë mbetur të veja nga lufta e fundit në Kosovë. Ka qenë gjithashtu themeluese e organizatës së personave të zhdukur “Shoqata gratë e veja”. Fahrije Hoti është nënë e dy fëmijëve dhe njëra nga 200 gratë e Krushës së Madhe që humbën bashkëshortët, djemtë ose të dy bashkë gjatë luftës së fundit.

Fahrije Hoti

Jeta e hershme

Redakto

Fahrije Hoti ka përfunduar shkollimin tetëvjeçar në shkollën fillore, të quajtur dikur "Gani Hoxha", ndërsa shkollimin e mesëm nuk e ka të kryer për shkak të martesës së hershme.

Ajo vjen nga një familje e madhe, e cila e kishte biznesin e saj që merrej me kultivimin e specave, traditë të cilën e trashëgoi edhe Fahrija më vonë.

Martesa në moshë të re me Bashkim Hotin e solli atë nga Rogova në Krushë të Madhe, në Komunën e Rahovecit. Nga kjo martesë erdhën në jetë dy fëmijë, të cilët më vonë u bënë frymëzimi kryesor që ajo të rifilloj jetën e saj pas mbarimit të luftës.

Jeta para dhe gjatë luftës

Redakto

Deri në viti 1998, Fahrije Hoti punonte si rrobaqepëse, ndërsa burri i saj punoi jashtë vendit për tri vite. Lufta si dhe puna e tij bënë që Bashkimi dhe Fahrija të jetojnë bashkë vetëm gjashtë nga nëntë vite martesë. Jeta e mirë familjare që kishte Fahrija u shndërrua në një tragjedi të jetës së saj më 1998, kur forcat paramilitare serbe pushtuan Prizrenin dhe Rahovecin.

Bombardimi nga forcat serbe në Krushën e Madhe filloi në orën 19 të 24 marsit të vitit 1999. Të nesërmen ky fshat ndërroi pamje krejtësisht. Pra, ishte 25 marsi që shënoi shkatërrimin e këtij fshati.

Për të shpëtuar jetën e fëmijëve, Fahrija menjëherë më 26 mars u largua për në Shqipëri, ku qëndruan tre muaj dhe u kthyen në fund të qershorit të vitit 1999.

Po atë ditë të nisjes së tyre, ndodhi një tjetër ngjarje e tmerrshme për familjen Hoti. Kur arritën në Rogovë, një nga ushtarët serb e mori djalin tre muajsh nga duart e Fahrijes duke i kërkuar të holla në këmbim të të birit. Fahrija nuk kurseu paratë, por as paramilitarët nuk kursyen foshnjën nga dhimbja, duke e përplasur atë për tokë. Si pasojë e traumës dhe dhimbjeve, djali nuk mundur të hajë as të pijë për katër ditë radhazi.

Një ditë para se të arratisej ajo bashkë me dy fëmijët, ishte hera e fundit kur ajo pa bashkëshortin e saj, eshtrat e të cilit vazhdon t’i kërkojë edhe pas 22 viteve përfundim të luftës. Besohet se trupi i Bashkimit dhe i shumë burrave dhe djemve të tjerë të këtij fshati janë ngarkuar në një kamion që më pas ka shkuar drejt lumit Drin dhe nuk dihet se ku kanë përfunduar. Burri i saj që nga ajo kohë mbetet në listën e personave të zhdukur që lufta ka lënë më shumë se 10 mijë të vdekur.

Pikërisht kjo luftë bëri që Krusha e Madhe të njihet ende si fshati i të vejave të luftës.

Jeta pas luftës, gjithçka nga e para

Redakto

Lufta shkatërrimtare ishte e vështirë për Fahrijen dhe 200 gra të veja të mbetura nga pushtimi serb.

Ato nuk përballeshin vetëm me dhimbjen e humbjes së më të afërmve të tyre, por edhe me paragjykimet e njerëzve për rreth.

Mentaliteti i kohës së tyre ishte i tillë që gratë e veja duhet të qëndronin në shtëpi dhe kjo ishte pikërisht ajo që nuk bëri Fahrija bashkë me shume gra të tjera. Ato thyen tabutë e kohës.

Themelimi i shoqatës “Gratë e veja” në vitin 2003, për hulumtimin e personave të pagjetur ishte hapi i parë. Dy vite më vonë, Fahrija filloi një iniciativë vetanake për konservimin e ushqimeve dimërore. Ajo nga shtëpia filloi prodhimin e specave dhe të ajvarit, por kjo iniciativë në vitin 2010 u shndërrua në ndërmarrjen e njohur “Krusha”.

Fahrije Hoti siguron ekzistencën e 50 grave

Redakto

Ndërmarrja “Krusha”, e cila drejtohet nga Fahrije Hoti, që nga hapja e saj punëson vazhdimisht gra që kanë mbetur të veja nga lufta në Kosovë, duke siguruar ekzistencën e tyre dhe familjeve të tyre. Aktualisht në këtë ndërmarrje janë të punësuara 50 gra. Me produktet e tyre këto gra furnizojnë rreth 28 markete të qyteteve të mëdha të Kosovës. Mirëpo, produktet e tyre depërtojnë edhe jashtë vendit. Ato që nga viti 2014 kanë pushtuar tregun zviceran.

Gratë nga Krusha përgatisin deri në 8000 kavanoza ajvar për vetëm një porosi në Gjermani.

“Krusha” udhëhiqet qind për qind nga gratë, të cilat krahas punës kujtojnë edhe tmerrin që kanë përjetuar nga lufta.

Angazhimi në politikë

Redakto

Rrugëtimi i saj nuk ishte i fokusuar vetëm në bujqësi. Ajo në vitin 2008 u zgjodh asambleiste në Kuvendin Komunal të Rahovecit nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, për një mandat katër vjeçar. Pas përfundimit të mandatit, ajo e sheh vetën më të dobishme jashtë politikës. Madje gjatë fushatave zgjedhore kur vijnë ta vizitojnë, ajo nuk i pranon sepse kohën e saj dhe të grave të Krushës e konsideron të shtrenjtë për ta humbur duke i dëgjuar të tjerët që mundohen të blejnë vota.

Referimet

Redakto